Kuvendi ka nisur ndryshimin e rregullores së punës

18 nëntor 2018 | 15:55

Me qëllim të funksionimit më të mirë, Kuvendi ka nisur ndryshimin e Rregullores e punës së Kuvendit.

Në lexim të parë projekt-rregullorja e re ka kaluar, dhe tani është në fazën e amendamentimit. Nga pozita e vlerësojnë si avancim këtë projekt-rregullore, por kështu nuk mendon opozita.

Ka kohë që hartimi i Projekt-rregullores së re është në agjendë. Por vetëm tash ka arritur që të punohet nga grupi punues i përbërë kryesisht nga anëtarë të Komisionit për Legjislacion, dhe të procedohet në Kuvend.

Kryesuesi i këtij grupi, Hajdar Beqa, e ka vlerësuar projekt-rregulloren e re, duke thënë se e forcon institucionin legjislativ.

“Është një rregullore më e avancuar, i rregullon disa çështje që kanë qenë konfuze në raport me rregulloren aktuale, avancon edhe mbikëqyrjen e kuvendit në raport me qeverinë dhe forcon rolin e kuvendit në harmonizim edhe me kushtetutën e vendit”, ka thënë Beqa për “Radio Kosovën”.

Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, që është pjesë e grupit punues, thotë se gjatë hartimit të rregullores, nuk janë marrë parasysh propozimet e Vetëvendosjes për përfaqësimin dinjitoz të grave në Kryesinë e Kuvendit, propozimi që të mundësohet shkarkimi i udhëheqësve të bordeve apo institucioneve të caktuara, të cilave nuk iu kalojnë raportet në Kuvend, e propozime të tjera.

Andaj, ajo ka thënë se nuk është bërë punë e mirë në draftin e Rregullores së re të Kuvendit.

“Sidomos duke marrë parasysh faktin që pas miratimit të saj në parim, kur e ka marrë grupi punues, i drejtuar nga Hajdar Beqa, janë bërë disa prapakthime. Domethënë, edhe ato çështje relativisht të nevojshme që janë adresuar janë kthyer në grupet punues mbrapsht dhe kanë mbetur siç janë aktualisht”, ka thënë Haxhiu për “Radio Kosovën”.

Me Rregulloren e re, sipas Haxhiut, nuk është adresuar si duhet as çështja e mungesës së deputetëve në seanca.

Artan Murati, nga KDI-ja, institut ky që ishte e përfshirë në grupet punuese, ka thënë se do duhej të rregullohej kjo çështje.

“Në bazë të rregullores së re normalisht që do duhej të sanksionoheshin këto veprime, të cilat po ndikojnë edhe në mosfunksionalizimin e Kuvendit, edhe në mospërmbushjen e agjendës qoftë legjislative, ose pjesës tjetër të agjendës së Kuvendit”, ka thënë Murati për “Radio Kosovën”.

Kohëve të fundit Kuvendi i Kosovës po përballet me një situatë e cila ka bërë që shumë projektligje dhe vendime të tjera të mbesin pezull.

Shkak për këtë është mungesa e kuorumit në votim, ngase kërkohet që të marrin pjesë në votim të paktën 61 deputetë.

Kjo praktikë e nisur nga viti 2011, nuk pritet të ndryshojë as me Rregulloren e re të Kuvendit. Hajdar Beqa, si kryesues i grupit punues, ka thënë për “Radio Kosovën” se është e pamundur të dilet përtej aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Eros Grezda ishte një nga lojtarët më aktiv në fushën…