Kuvendi Komunal i Gjakovës ia ndan K.H “Shqiponja” 24,574 euro
Me iniciativë të grupit të asamblistëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dega Gjakovë dhe me mbështetje të kolegëve tjerë të asamblesë komunale të Gjakovës, në mbledhjen e mbajtur të Kuvendit Komunal u miratua vendimi për subvencionim prej 24,574 euro për klubin hendbollistik “Shqiponja”.
“Klubi i cili vazhdon të korr suksese duke na përfaqësuar edhe në gara ndërkombëtare, duke hyrë në 1/16 e finales të garave të Challenge Cup të Evropës, sukses të cilin deri më sot nuk e ka arritur asnjë ekip i femrave përpos klubit “Shqiponja”, të cilit klub i urojmë suksese të vazhdueshme”, ka shkruar në profilin e tij në “Facebook” asamblisti nga radhët e PDK-së, njëherit zv/ministër i MTI-së, Bekim Jupa.
I menjëhershëm ka qenë edhe falënderimi i drejtorit të klubit “Shqiponja” nga Gjakova, prof. Artan Nimani.
Ai në rrjetin social në “Facebook” ka falënderuar të gjithë asamblistët e Kuvendit Komunal të Gjakovës të cilët kanë mbështetur kërkesën për sponzorimin të inicuar nga Bekim Jupa, që klubit “Shqiponja” t’i ndahet shuma në vlerë prej 24.574 euro, me këtë rast Nimani është zotuar se klubi që drejton do t’i bëjë krenar në garat ndërkombëtare jo vetëm Gjakovën, por gjithë Kosovën.