Kuvendi miratoi rezolutën për mbrojtjen e vlerave të luftës

09 korrik 21:46

Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë prej dhjetë pikësh për “Unitetin politik dhe qytetar, në mbrojtje të vlerave të popullit të Kosovës”, me propozim të deputetes së Aleancës Kosova e Re, Mirlinda Sopi- Krasniqi.

Njëra prej pikave thekson se Kuvendi i Kosovës i respekton Dhomat e Specializuara në Hagë dhe kërkon që puna e tyre të bazohet në respektimin e ligjeve të Kosovës dhe të rregullave ndërkombëtare për funksionimin e tyre.

Në këtë pikë po ashtu thuhet se Dhomat duhet të jenë të drejta dhe të paanshme në trajtimin e të gjitha lëndëve.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës shpreh shqetësim për shkeljet e mundshme procedurale, të bëra me rastin e publikimit të emrave përkitazi me propozim-aktakuzën e pakonfirmuar ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thotë njëra pikë, duke aluduar në publikimin e një deklarate nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për paraqitjen e një aktakuze për krime lufte kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Në rezolutë thuhet se “Republika e Kosovës në vazhdimësi ka qenë e gatshme për ta vërtetuar drejtësinë e luftës mbrojtëse të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe është edhe sot e gatshme ta bëjë të njëjtën gjë me Dhomat e Specializuara”.

“Pastërtia e luftës së UÇK-së është vërtetuar disa herë në proceset e zhvilluara nga mekanizmat e drejtësisë ndërkombëtare, siç janë: UNMIK-u [misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë], Tribunali Ndërkombëtar për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, EULEX-i [misioni i Bashkimit Evropian] dhe drejtësia vendore”, thuhet në rezolutë.

Aty po ashtu theksohet se Kuvendi i Kosovës “e sheh të domosdoshëm unitetin politik e qytetar për ta mbrojtur luftën çlirimtare të UÇK-së dhe popullit të Kosovës”.

Kuvendi, përmes rezolutës, “rithekson faktin se në Kosovë, shteti serb ka kryer spastrim etnik, duke dëbuar në mënyrë të organizuar rreth një milion qytetarë; ka vrarë mbi 12,000 civilë, në mesin e të cilëve mbi 1,300 fëmjë; ka kryer më shumë se 400 masakra; ka dhunuar rreth 20,000 gra dhe vajza, si dhe ka shkatërruar pasurinë e qytetarëve, monumetet kulturore, fetare e historike dhe infrastrukturën e Kosovës”.

Kuvendi po ashtu kërkon që sa më parë të zgjidhet çështja e personave të zhdukur dhe të vendoset drejtësi për të gjitha viktimat e krimeve të Serbisë ndaj popullit të Kosovës.

“Heshtja ndaj këtyre krimeve, në Kosovë kuptohet si amnisti dhe tolerim ndaj krimeve të Serbisë, të kryera në Kosovë”, thuhet në rezolutë.

Rezoluta u miratua me votat e 61 deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anëtari i Kryesisë së Nismës Socialdemokrate, Fazli Hoxha është përfshirë…