
Kuvendi përballë testit të tretë – partitë shkojnë në seancë me qëndrime të pandryshuara
Vazhdimi i tretë i seancës konstituive do të mbahet sot në orën 12:00. Partitë politike që kanë qenë në opozitë s’kanë dhënë sinjal se kanë ndryshuar qëndrim sa i përket kërkesës për dorëheqjet formale të qeveritarëve të LVV-së të zgjedhur deputetë. Ndërkohë që nga Lëvizja Vetëvendosje thonë se janë dorëhequr dhe se e kanë njoftuar Kuvendin e Kosovës përmes një shkrese, shkruan Gazeta Express.
Në seancën e parë konstituive, raporti i Komisionit për Verifikim të Mandatve ka marrë vetëm 52 vota “për”, të pamjaftueshme për t’u konsideruar se ka kaluar. Ndërkohë në seancën e dytë të thirur nga kryesuesi i Avni Dehari, raporti s’është hedhur fare në votim, gjë që ka nxitur reagime të ashpëra të PDK, LDK e AAK.
PDK ka akuzuar VV-në se përmes Avni Deharit si kryesues ka uzurpuar seancën konstituive dhe se do të duhej që të procedohej vetëm me hedhjen në votim të raportit të Komisionit dhe jo të thirrej konsultim i partive nga kryesuesi, raporton Express.
Edhe LDK e ka konsideruar si të paprecedentë atë që ka ndodhur në seancën e dytë të mbledhjes konstituive dhe kanë paralajmëruar se qëndrimi i partisë do të jetë i njejtë. Partia që drejton Abdixhiku insiston se Kurti dhe ministrat e zgjedhur deputetë, duhet të japin dorëheqje formale në bazë të ligjit dhe si rezultat s’mund të kthehen më në zyrat e tyre të punës.
Duke parë këtë ngërç të kapërcimit të hapit të parë drejt konstituimit të Kuvendit, ka pasur reagime dhe të Ambasadës britanike e asaj gjermane, ku kërkojnë të ecet pa vonesa drejt themelimit të institucioneve të reja. Edhe Bashkimi Evropian e ka kërkuar një gjë të tillë.
Mbetet të shihet se cili do të jetë epilogu i seancës së sotme, pasi që diskursi mes LVV-së dhe partive të tjera ka eskaluar përsëri si rezultat i asaj që ka ndodhur në seancën e parë të konstituimit. Kurti e zyrtarë tjerë të LVV-së kanë drejtuar akuza se LDK, PDK e AAK po bashkëpunojnë me Listën Serbe për të “luftuar nga brenda” kundër institucioneve të vendit.
Seanca konstituive e Kuvendit duhet të thirret çdo 48 orë nëse dështon të zgjedh organet e Kuvendit të Kosovës. Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, vetëm kur të zgjidhen organet e Kuvendit, kryetari e nënkryetarët, seanca konstituive konsiderohet e përfunduar.