
Kuvendi shqyrton të enjten kërkesën e KOSTT-it për pagesën e shpenzimeve të rrymës në veriun e Kosovës
Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri ka njoftuar se në Kryesinë e Kuvendit është vendosur që në seancën që do të mbahet të enjten e javës së ardhshme do të diskutohet edhe për kërkesën e KOSTT-it që të ndahen 11 milionë euro për pagesën e shpenzimeve të energjisë elektrike në veri të Kosovës.
“Pra, mazhoranca vendosi që në seancën e ardhshme, si propozim i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje që ka ardhur nga Komisioni për Ekonomi, të diskutohet edhe çështja e pagesave të energjisë elektrike për veri të Kosovës nga taksat e qytetarëve, një shumë rreth 11 milionë euro. Ne e kemi kundërshtuar edhe me votë në Komision, por edhe në Kryesi, por mazhoranca i ka numrat dhe e procedojë që të jetë në mbledhjen e radhës në ditën e enjte”, ka thënë ai.
Më tutje, Tahiri ka theksuar se pagesa e energjisë elektrike për veriun e Kosovës, nga taksat e qytetarëve është një padrejtësi.
“Kamuflimi që po bëhet se këtë kosto po e paguan KOSTT-i, ne po e themi prapë që ajo dividendë që duhet të vijë nga KOSTT-i si ndërmarrje publike do të duhej që të derdhej në buxhetin e Kosovës. Pra, kjo mazhorancë po vendos që me taksat e qytetarët të paguhet energjia elektrike për veri të Kosovës. Është një padrejtësi që e ka parandaluar edhe vendimi i Gjykatës në vitin 2018”, ka thënë Tahiri.