Ky është dokumenti joformal për ripërcaktimin e kufijve në Ballkan, përmendet edhe bashkimi i Kosovës me Shqipërinë

16 prill 2021 | 13:54

Që nga e hëna ka spekulime në Slloveni, Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë nëse kryeministri slloven, Janez Jansa me të vërtetë ka dërguar një dokument jozyrtar diplomatik (‘non-paper’) në Bruksel, i cili flet për një ripërcaktim të kufijve në Ballkan.

Sipas këtij dokumenti propozohet ripërcaktimi i kufirit të Kosovës dhe Serbisë, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, mundësia e shkëputjes së Republikës Serbe nga Bosnja e Hercegovina, etj.

Askush nuk e ka konfirmuar zyrtarisht se presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka pranuar  dokumentin me një përmbajtje të tillë nga Sllovenia  i cili është publikuar të enjten në portalin slloven “Necenzurirano.si”.

Sipas raportimeve, dokumenti i titulluar “Ballkani Perëndimor – rruga përpara” është pranuar nga kabineti i Michelit në muajin shkurt.

Se kush e ka shkruar atë nuk mund të dihet zyrtarisht, por sipas disa informacioneve, një pjesë e përmbajtjes së saj ishte shkruar në Budapest.

Sidoqoftë, në qarqet diplomatike të Brukselit, ai është referuar si një dokument “slloven”, sepse kabineti i Jansas pretendohet të ketë marrë pjesë në dërgimin e tij në adresa të ndryshme.

Meqenëse është një dokument diplomatik jozyrtar që synon të komunikojë pikëpamje dhe iniciativa të ndryshme pa karakter zyrtar, ai nuk ka as kokë dhe as nënshkrim.

Është thënë se ky dokument ka përfunduar tek Micheli me postë zyrtare diplomatike, kështu që ekzistenca e tij mund të mohohet publikisht në çdo kohë.

Dokumenti në fjalë përmend në hyrje “çështjet e pazgjidhura kombëtare të serbëve, shqiptarëve dhe kroatëve” që kanë dalë pas shpërbërjes së Jugosllavisë.

Autorët kanë treguar se edhe pas vendosjes së paqes pas përfundimit të luftërave, perspektivat e premtuara evropiane dhe përparimin e Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi në këtë drejtim në rajon, “çështjet kryesore mbeten të pazgjidhura”.

Këto janë:

-që Marrëveshja e Dejtonit e vitit 1995, e cila i dha fund luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë (BiH), e cila mori më shumë se 100 000 jetë, praktikisht njohu atë që u arrit gjatë luftës, por jo në thelb/

– që aktualisht është e vështirë të imagjinosh perspektivat evropiane të Serbisë dhe Kosovës.

-që anëtarësimi i BiH në BE mund të përjashtohet plotësisht – që ndërkohë hapësira e zbrazët u përdor nga Turqia, e cila rriti ndikimin e saj në BiH dhe Maqedoninë e Veriut.

-që përveç Turqisë, disa politikanë vendas dhe mbështetësit e tyre që përfitojnë personalisht nga kaosi dhe institucionet jofunksionale, askush nuk është i kënaqur me situatën në BiH.

Autorët kanë theksuar se Serbia, Kroacia dhe Shqipëria aktualisht kanë qeveri të qëndrueshme dhe se politikanët e tyre të zgjedhur janë të aftë të marrin vendime strategjike.

1). Bashkimi i Kosovës dhe Shqipërisë. “Në Kosovë, 95 për qind e popullsisë dëshiron të bashkohet me kombin origjinal shqiptar. Situata është e ngjashme në Shqipëri. Kufiri midis Shqipërisë (një anëtar i NATO-s) dhe Kosovës është praktikisht inekzistent. “Pjesa serbe e Kosovës do të merrte një status të veçantë – duke ndjekur shembullin e Tirolit Jugor”, është thënë në dokument.

2). Bashkimi i pjesës më të madhe të territorit të Republika Srpska me Serbinë. “Çështja kombëtare serbe mund të zgjidhet kryesisht duke aneksuar një pjesë të Republika Srpska në Serbi. Në këtë rast, Serbia është e gatshme të pajtohet me bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë”, është thënë në dokument.

3). “Çështja kombëtare kroate mund të zgjidhet duke bashkuar shumicën e kantoneve kroate në BiH me Kroacinë ose duke i dhënë një status të veçantë pjesës kroate të BiH (duke ndjekur shembullin e Tirolit Jugor)”.

4). “Kjo do t’u jepte boshnjakëve një shtet që funksionon në mënyrë të pavarur dhe do të marrë përgjegjësinë e plotë për të. Në një referendum, njerëzit do të vendosnin nëse do të bashkoheshin me BE ose një të ardhme jashtë BE (duke ndjekur shembullin e Turqisë. Tani për tani, shumica dërrmuese e boshnjakëve mbështesin perspektivën e BE dhe rritjen e mprehtë të ndikimit turk dhe Islamit radikal, situata mund të përkeqësohet në mënyrë dramatike në dekadën e ardhshme.

Këto “zgjidhje” sipas autorëve të këtij “non-paper” do të shpejtonin negociatat për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe NATO.

Por këto janë propozime që kundërshtohen fuqishëm në ShBA, Gjermani, Francë dhe vende të tjera evropiane, raporton “Istraga.si”.

Gjegjësisht, bashkësia ndërkombëtare ka theksuar rëndësinë e integritetit territorial të BiH dhe kundërshton përcaktimin e ri të kufijve në ish-Jugosllavi. Kjo do të hapte kutinë e pandorës dhe ndoshta do të çonte në luftëra të reja, citon portali slloven “Istraga.ba”, shkrimin e Primozh Cirman dhe Vesna Vukoviq të publikuar në “necenzurirano.si”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nora Gjakova i ka mbijetuar një sulmi fillestar të ruses…