
Ky është i dënuari me 3 vite burgim që u arratisë nga Stacioni Policor në Gjakovë
Një person i ndaluar me urdhërarrest aktiv dhe i dënuar me tre vite burgin për narkotikë ka arritur të ikë nga stacioni policor.
Personi është: Nazmi Mersulla, 23-vjeçar. Sipas të njëjtave burime, i dyshuari ishte kapur nga patrulla policore dhe ishte sjellë në stacion për procedurat përkatëse të ekzekutimit të dënimit.
Gjatë qëndrimit në stacion, ai kishte kërkuar të shkonte në tualet, duke pretenduar se kishte probleme me barkun dhe kishte nevojë për privatësi. Zyrtari policor e kishte përcjellur deri te banjoja, por pa e shoqëruar brenda.
Pas disa minutash, kur zyrtari kishte trokitur në derë, i dyshuari nuk ishte brenda. Verifikimet treguan se ai kishte dalë nga dritarja e banjos, kishte kaluar përmes oborrit të stacionit dhe ishte zhdukur në drejtim të panjohur, thonë burimet e Sinjalit.
Menjëherë pas arratisjes, janë aktivizuar të gjitha njësitë patrulluese, të cilat kanë ndërmarrë veprime për lokalizimin e të arratisurit. Pas disa orësh kërkimi intensiv, burimet konfirmojnë se i njëjti është lokalizuar dhe riarrestuar, duke u rikthyer në Stacionin Policor në Gjakovë.
Në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori Kujdestar, i cili ka urdhëruar që i dyshuari të ndalohet për 48 orë, ndërkohë që procedurat për ekzekutimin e dënimit janë në proces.