
Ky është zyrtari policor dhe i dyshuari që u përfshinë në tentimvrasjen në Doganaj
Një përplasje me armë zjarri, që ndodhi në mesnatën e së hënës në fshatin Doganaj të Ferizajt, ka përfshirë një zyrtar policor që ishte jashtë detyrës dhe një person tjetër, me pasojë plagosjen e të dyve dhe aktivizimin urgjent të hetuesve e IPK-së.
Burime të besueshme të Sinjalit konfirmojnë se personat e përfshirë në incident janë Argjend Sadriu, zyrtar i Policisë së Kosovës, dhe Lindon Veseli, rreth 25-vjeçar.
Ngjarja ndodhi më 21 korrik 2025, rreth orës 00:50, kur policia u njoftua për të shtëna me armë zjarri në këtë zonë rurale. Hetimet e para tregojnë se në shkëmbimin e zjarrit ishin të përfshirë zyrtari Sadriu, i cili po qarkullonte me veturën e tij personale BMW, dhe Veseli, që ishte me Golf 7 të kuqe.
Në vendin e ngjarjes kanë ndërhyrë njësia e hetimeve rajonale dhe Forenzika, ndërsa për shkak të përfshirjes së një zyrtari policor, është njoftuar menjëherë Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), që ka nisur hetimet paralelisht.
Nga vendi i ngjarjes janë sekuestruar dy armë zjarri – një Glock 19, që dyshohet të jetë armë zyrtare në posedim të Sadriut dhe një armë e tipit Zastava, që dyshohet të jetë përdorur nga Veseli. Gjithashtu, janë sekuestruar 16 gëzhoja dhe një predhë, si dhe dy veturat e përfshira në rast.
Të dy të dyshuarit kanë marrë plagë nga armët e zjarrit dhe janë dërguar fillimisht në Emergjencën e Ferizajt, për t’u transferuar më pas në QKUK. Sipas mjekëve, ata janë jashtë rrezikut për jetë.
Prokurori i krimeve të rënda ka autorizuar veprimet hetimore, ndërsa në cilësi të dëshmitarëve janë marrë edhe dy persona që ndodheshin në veturën e zyrtarit policor.
Hetimet janë ende në fazë intensive dhe pritet zbardhja e plotë e motivit të përplasjes.