Lajçaku takon ndaras Bislimin dhe Petkoviqin, diskutimet do të vazhdojnë gjatë ditës
Emisari i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka njoftuar se ka pasur dy takime të ndara me kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.
Lajçaku në llogarinë e vet në “Twitter” ka shkruar se me kryenegociatorët ka diskutuar ndaras për të mënyra se si të zgjidhet kriza e tanishme.
“Këtë mëngjes, pata dy takime të ndara me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për të diskutuar mënyrat për të zgjidhur krizën aktuale. Ne do të vazhdojmë diskutimet tona gjatë gjithë ditës”, ka shkruar Lajçaku.
This morning, I had two separate meetings with the Chief negotiators of Kosovo and Serbia to discuss ways to solve the current crisis. We will continue our discussions throughout the day. pic.twitter.com/PktLJxLk3R
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) September 29, 2021
Sot në Bruksel, zëvendësndihmëssekretari amerikan për çështje të Evropës dhe Euroazisë, Gabriel Escobar është takuar me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe me shefin e të ashtuquajturës zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
Escobar, që njëherësh është i dërguar i Departamentit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, ka thënë se ai po mbështet përpjekjet e Bashkimit Evropian për të gjetur një zgjidhje për situatën e krijuar në veri të Kosovës.
“Prioritet numër një është që të ulen tensionet. Ato janë shumë të larta tash dhe duhet të ulen menjëherë”, ka thënë Escobari.



