Lajçi: Arsyet e të pakënaqurve s’janë të forta

26 janar 17:41

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ali Lajçi, ka bërë me dije se arsyet e të pakënaqurave brenda këtij subjekti politik nuk janë të forta.

Ai ka thënë se deri më tani ata nuk kanë treguar se besojnë në ndonjë projekt tjetër politik.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Lajçi ka deklaruar se nuk i kupton qëndrimet dhe veprimet e deputetëve të LV-së, të cilët kanë dalë kundër Albin Kurtit.

“Deri tash ata nuk kanë ofruar arsyeje të forta, nuk kanë ofruar ndonjë projekt alternativ, apo ndonjë koncept tjetër politik jashtë Vetëvendosjes. Përderisa ata besojnë në projektin e Vetëvendosjes dhe nuk kanë ndonjë projekt tjetër politik, do të duhej që këta njerëz të rrinë rreth këtij projekti”, ka thënë Lajçi. Ai ka thënë se të pakënaqurit edhe mund të krijojnë parti të re por, sipas tij, ai subjekt politik do t’u ngjajë partive të tjera politike në Kosovë dhe jo LV-së. “Çdokush ka të drejtë të formojë parti politike, por jashtë projektit të LV-së gati se bëhen sikur këto partitë e tjera që janë, e të cilat nuk kanë ndonjë imazh të mirë për administrimin apo menaxhimin e vendit”, është shprehur ai.

Deputeti i LV-së ka thënë se ata nuk mund të sjellin diçka të re për vendin, duke shtuar se ndryshimet i sjell vetëm LV-ja. “Mendoj se ata nuk do të sjellin diçka të re, do të jenë sikur partitë e tjera. Dhe, siç dihet, ne asi partish kemi mjaft në Kosovë, të cilat nuk japin diçka të re. Ato zakonisht ofrojnë ndonjë interes grupor, megjithatë kjo mbetet të shihet. Të pakënaqurit deri më tani si program nuk ofrojnë diçka që do t’i sillte vendit ndryshime. Dhe, siç dihet, Kosova ka nevojë për ndryshime”, është shprehur Lajçi.

Në këtë intervistë, ai ka folur edhe për qeverisjen Haradinaj, për të cilën ka thënë se po merr vendime antiligjore. Ai ka paralajmëruar se kur të vijë koha opozita do të ngrehë mocion të mosbesimit për ta rrëzuar këtë qeveri. “Ne do të kërkojmë mocion atëherë kur të shohim se është e arsyeshme. Mendoj se në këtë drejtim nuk do të ketë ngutje, të shohim se deri në çfarë shkalle i bënë keq vendit ky koalicion qeverisës. Nëse ne e shohim këtë, natyrisht se do të veprojmë”, ka thënë Lajçi.

 

“Epoka e re”: Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar të enjten kërkesën për interpelancë për kryeministrin Ramush Haradinaj lidhur me vendimin për rritjen e pagave të zyrtarëve të lartë shtetërorë. Pse tash kjo interpelancë?
Lajçi: Ne kemi kërkuar interpelancë për këtë çështje, sepse mendojmë se ka qenë një vendim jo i drejtë. Besoj se këtë çështje do ta dërgojmë edhe në Gjykatën Kushtetuese. Rritja pagave do të duhej të arsyetohej nëpërmjet Ligjit për Paga dhe në këtë mënyrë një vendim i tillë do të kishte mbështetje. Pretendimet se pagat janë rritur për gjithë sektorët nuk qëndrojnë, sepse për sektorët publikë pagat janë rritur shumë pak, kurse për stafin udhëheqës të qeverisë pagat janë rritur tre-katër fish. Kështu që, një veprim i tillë do të kundërshtohet në të gjitha format, sepse mendohet se është antiligjor.

“Epoka e re”: Cili është vlerësimi juaj për qeverisjen Haradinaj?
Lajçi: Po shihet se ky koalicion qeverisës prej se është krijuar ka pasur probleme, telashe e grupe. Faktikisht, shumë çështje programore, të cilat i kanë proklamuar, ende nuk i kanë trajtuar dhe nuk i kanë harmonizuar në tërësi. Pastaj, dalin probleme të tjera të konfliktit të interesit brenda Qeverisë dhe merren shpesh edhe vendime antiligjore.

“Epoka e re”: Për këto probleme që po i përmendni, a mund të presim nga opozita ndonjë mocion mosbesimi ndaj Qeverisë?
Lajçi: Ne do të kërkojmë mocion atëherë kur të shohim se është e arsyeshme. Mendoj se në këtë drejtim nuk do të ketë ngutje. Të shohim se deri në çfarë shkalle i bënë keq vendit ky koalicion qeverisës. Nëse ne e shohim këtë natyrisht se do të veprojmë.

 “Epoka e re”: Pritjet janë që shumë shpejt në kuvend do të shqyrtohet demarkacioni me Malin e Zi dhe iniciativa e disa deputetëve për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. Cili do të jetë qëndrimi i LV-së për këto çështje?
Lajçi: Qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje ndaj këtyre temave është i qartë. Qysh në fillim kjo lëvizje e ka kundërshtuar Gjykatën Speciale, duke votuar kundër themelimit të saj. Kjo ka ndodhur me arsye, sepse kemi menduar se kjo gjykatë po cenon sovranitetin e Republikës së Kosovës. Pastaj, dihet se luftërat çlirimtare nuk kanë gjykata, kurse për ndonjë shkelje eventuale që është bërë në këtë luftë do të mund të trajtohet brenda Kosovës nga gjykatat e shtetit të Kosovës. Kjo po shihet se është produkt i qeverive të deritashme, të cilat nuk kanë punuar për forcimin e shtetit ligjor dhe në këtë mënyrë është krijuar një mosbesim i faktorit ndërkombëtar për gjykata tona të brendshme dhe për këtë arsye kemi ardhur në këtë situatë.

“Epoka e re”: Këtë çështje tani kryesia e Kuvendit e ka dërguar për mendim në Qeveri. Si mendoni se duhet të reagojë Qeveria ndaj kësaj iniciative?
Lajçi: Kjo mendoj se është një fiskulturë, një lloj improvizimi, por të shohim tash se si do të përfundojë.

“Epoka e re”: Por kjo shumë shpejt do të vijë sërish në kuvend. Cili do të jetë qëndrimi i LV-së?
Lajçi: Atëherë do të mendojmë se si do të veprojmë. Ne tani për tani i mbajmë qëndrimet tona. Kur të vijë kjo çështje në kuvend do të shohim. Mendoj se këta që e kanë sjellë gjendjen deri këtu edhe mund të tërhiqen nga kjo iniciative.

“Epoka e re”: Po për demarkacionin si do të veproni?
Lajçi: Sa i përket marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, dihet qëndrim ynë. Kjo marrëveshje është e dëmshme për Kosovën, sepse me të humbim territor. Për këtë arsye LV-ja nuk do ta votojë këtë marrëveshje. Mendojmë se kjo marrëveshje duhet të rinegociohet dhe të korrigjohen gabimet që janë bërë deri më tani.

“Epoka e re”: Lëvizja Vetëvendosje sapo e ka zgjedhur kryetar të ri, z. Kurtin. Si ka dalë Lëvizja nga ky proces, më e fortë apo më e dobët?
Lajçi: Ky ka qenë një proces i rregullt dhe i domosdoshëm. Statuti na ka obliguar ta zgjedhim kryetarin tonë. Mendoj se ky proces është bërë në harmoni me rregulloren dhe statutin e partisë. Sa i përket konkurrencës, mirë ka qenë që të jenë disa veta, të cilët do të konkurronin në këtë proces, por ajo është varur prej vullnetit të njerëzve.

“Epoka e re”: Kandidimi për kryetar dhe zgjedhja e z. Kurti ka sjellë pakënaqësi te një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve të lartë të kësaj partie?
Lajçi: Qëndrimet dhe veprime e tyre i shoh si një lloj pakënaqësie, të cilat nuk po justifikohen mirë. Sepse ata nuk po ofrojnë një alternativë tjetër. Është normale që lëvizja duhet të ketë një kryetar. Ndonjëherë nuk janë të kuptueshme veprimet e tyre.

“Epoka e re”: Mendoni se arsyet e të pakënaqurve nuk janë të forta?
Lajçi: Deri tash ata nuk kanë ofruar arsyeje të forta, nuk kanë ofruar ndonjë projekt alternativ, apo ndonjë koncept tjetër politik jashtë Vetëvendosjes. Përderisa ata besojnë në projektin e Vetëvendosjes dhe nuk kanë ndonjë projekt tjetër politik, do të duhej që këta njerëz të rrinë rreth këtij projekti.

 “Epoka e re”: Deputetët e LV-së, që deri më tani kanë ofruar dorëheqje prej kryesisë së këtij subjekti, kanë paralajmëruar se mund të largohen dhe të formojnë një parti tjetër.
Lajçi: Çdokush ka të drejtë të formojë parti politike, por jashtë projektit të LV-së gati se bëhen sikur këto partitë e tjera që janë, e të cilat nuk kanë ndonjë imazh të mirë për administrimin apo menaxhimin e vendit.

 

“Epoka e re”: A i bie kjo se ata nuk do të kenë sukses në formimin e ndonjë partie të re?
Lajçi: Mendoj se ata nuk do të sjellin diçka të re. Do të jenë sikur partitë e tjera. Dhe, siç dihet, ne asi partish kemi mjaft në Kosovë, të cilat nuk japin diçka të re. Ato zakonisht ofrojnë ndonjë interes grupor, megjithatë kjo mbetet të shihet. Të pakënaqurit deri më tani si program nuk ofrojnë diçka që do t’i sillte vendit ndryshime. Dhe, siç dihet, Kosova ka nevojë për ndryshime.

“Epoka e re”: Sa dëmtohet Vetëvendosje nga këto largime?
Lajçi: Sigurisht se largimet janë të dëmshme, por besoj se ato do të sanohen pas debateve publike që po bëhen.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendësministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, njëherësh sekretar i Degës së…