Lakersat zyrtarisht jashtë ‘play off’-it
Sezoni i Lakersave mund të konsiderohet i përfunduar. Ekipi kalifornian, që e niste këtë sezon si favorit, tashmë është matematikisht jashtë zonës “play-off”.
Lakersat u mposhten me rezultat 121-110 nga Phoenix (humbja e shtatë radhazi), skuadra më e mirë në Perëndim. Westbrook me 28 pikë e Davis me 21 u përpoqën të mbajnë në lojë kalifornianët, por pa sukses (mungoi James). Booker me 32 pikë ishte më i miri për Suns. Fiton skuadra e Brooklynit, që e mposhti me rezultat 118-105 Houstonin, ndeshje ku për Nets u dallua Irving me 42 pikë.
Pa probleme fiton edhe Philadelphia, që mposhti me rezultat 131-122 Indiana jashtë fushe. Për miqtë u dalluan Embiid me 45 pikë e 13 rebound si dhe Maxey me 30 pikë. Pas kohës shtesë triumfon Utah Jazz, që mundi me shifrat 121-115 Memphis, ndeshje
ku diferencën në parket e bënë Gobert e Clarkson me nga 22 pikë secili. Skuadra kampione e Milwaukee Bucks fitoi me rezultat 127-106 në fushën e Chicago, në një takim të komanduar gjatë gjithë kohës nga miqtë. 7 lojtarë të Bucks realizuan mbi 10 pikë (Lopez me 28 pikë më i miri). Në krye të renditjes në Lindje qëndron ekipi i Miami, që fitoi pa probleme me rezultat 144-115 ndaj Charlotte (Herro 35 pikë e Butler 27 pikë). /Telesport/
Rezultatet
Indiana – Philadelphia 122-131
Orlando – Cleveland 120-115
Brooklyn – Houston 118-105
Miami – Charlotte 144-115
Toronto – Atlanta 118-108
Chicago – Milwaukee 106-127
Minnesota – Washington 114-132
Oklahoma – Portland 98-94
Denver – San Antonio 97-116
Utah Jazz – Memphis 121-115
Sacramento – New Orleans 109-123
Phoenix – Lakers 121-110