Lamtumirë profesor Gorani!

06 korrik 2020 | 22:00

Shkruan: Halil Matoshi

1.
Dr. Hajrullah Goranin e njoha në vitet e vona ‘80, më konkretisht më 1989, kur e organizoi sindikatën e parë gjithëkosovare.
Ishte Sindikata e parë e lirë pas “Solidarność”-it në Gdańsk të Polonisë me liderin Lech Walesa.

2.
Gorani më 3 shtator 1990 organizoi grevën e njohun si protestë ndaj terrorit sistematik të Serbisë, ndaj puntorisë kosovare.
Pas kësaj greve ai u arrestu dhe u mbajt një muaj në burg, kurse ne, Blerim Shala, Bardh Hamzaj e unë, ishim solidarizu më të duke ia numëru ditët e burgut sëprapthi, për çdo ditë.

3.
Prof. Dr. Hajrullah Gorani, është arrestuar në shkurt të vitit 1950 nga UDB-ja, ndërsa pas disa muajsh keqtrajtimi mizor në kuesturat e milicisë sekrete, në shtator 1950 në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë dënohet me gjashtë vite burg nga gjykatësit shqiptarë.

4.
M’ka ra me bashkëpunu me profesor Goranin, ndonëse jo dendun, por së bashku ishim pjesë e delegacionit të Alternativës kosovare që ishim ftuar për dëshmi në Komitetin për të Drejtat e Njeriut në Kongresin Amerikan, në prill 1990. Profesori i ekonomisë, kryesindikalisti i parë kosovar, ishte një burrë i qetë e hokatar, por e shquante sensi i masës.
Pastaj mē 1990 na ra me ndejtë me të kur vinte në Lubjanë, ku ishim stacionuar një grup shqiptarësh të përndjekun nga UDB-ja jugosllave, e cila në Slloveni ose nuk funksiononte sipas diktatit të Beogradit, ose po shthurej.
Ishte me ne asokohe edhe Ukshin Hoti dhe së bashku e botonim gazetën “Republika” e pastaj Uka e nisi gazetën “Demokracia autentike”.

5.
Profesor Gorani nuk deklamonte parulla politike, por e shquante sensi analitik dhe mbi të gjitha guximi qytetar.
Patriot shqiptar, me profil akademik.
Profesori 89-vjeçar vdiq në qetësi, i rrethumë me familjarët e tij, i përmbushur në jetë, të cilën nuk e çoi posht, porse u vu në shërbim të lirisë kombëtare.
Shekulli i tij jetësor, ishte i begatshëm, nga kryengritës antiregjim deri tek profesori universitar dhe veprimtari politik në joviolencë.

6.
Ai u tërhoq plotësisht nga jeta publike pas çlirimit të Kosovës dhe jetoi qetësisht, duke e konsideru të përmbushur misionin e tij.
Ndoshta për liri kurrë nuk mjafton ajo që akëcili e jep, por Hajra dha shumë.
Në të gjitha etapat e kësaj lufte, ai nuk u zmbraps por doli në rreshtin e parë.
Frymëzuese udha e tij jetësore.
I qoftë i lehtë dheu i Atdheut!

Pushoftë në paqen e pasosun!
———————————————

Washington D.C. prill, 1990.
I pari Profesor Dr. Hajrullah Gorani, në mes Akademik Idriz Ajeti dhe unë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Haki Abazi nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se qeveria Hoti…