Faton Hasani prezanton reformat që synon t’i bëjë në PDK: Kryetari të mos mbajë funksion shtetëror

06 nëntor 2026 | 20:08

Kandidati për kryetar të PDK-së, Faton Hasani, ka prezantuar disa nga ndryshimet statutare dhe parimet e reja të qeverisjes që synon t’i zbatojë në parti, nëse platforma e tij merr besimin e anëtarësisë.

Ndër prioritetet e tij janë ndarja e përgjegjësive politike dhe institucionale, përfaqësimi mbi bazën e meritës, kritere të qarta për udhëheqësit dhe vendimmarrja përmes votimit elektronik të anëtarësisë.

Hasani ka thënë se një nga parimet e reja të qeverisjes, do të jetë që, Kryetari i partisë, të mos mbajë funksion shtetëror, pasi sipas tij, kjo ndarje do të garantojë një udhëheqje partiake të përqendruar në organizimin, zhvillimin dhe forcimin e PDK-së.

Postimi i tij i plotë:

DISA NGA NDRYSHIMET STATUTARE DHE PARIMET E REJA TË QEVERISJES SË PDK-së

Një PDK e reformuar, me standarde të larta, përgjegjësi dhe demokraci të brendshme. Nëse platforma jonë merr besimin e anëtarësisë në zgjedhjet e brendshme partiake, një ndër prioritetet kryesore do të jetë reformimi i Statutit dhe funksionimit të Partisë Demokratike të Kosovës.

Synimi ynë është ndërtimi i një partie moderne, demokratike dhe meritokratike, ku përgjegjësia, integriteti dhe kontributi do të jenë kriteret themelore për udhëheqje dhe përfaqësim.

1. Ndarja e qartë e përgjegjësive politike dhe institucionale

Kryetari i PDK-së do të ushtrojë ekskluzivisht detyrën e Kryetarit të Partisë dhe nuk do të mbajë njëkohësisht asnjë funksion në institucionet e shtetit.

Kjo ndarje do të garantojë një udhëheqje partiake të përqendruar në organizimin, zhvillimin dhe forcimin e PDK-së, si dhe në mbikëqyrjen politike të përfaqësuesve të saj në institucionet shtetërore.

2. Përfaqësim institucional mbi bazën e meritës

PDK-ja do të propozojë dhe mbështesë në institucionet e shtetit kuadro me vlera të larta kombëtare, profesionale, morale dhe shoqërore.

Përfaqësimi institucional nuk do të jetë privilegj personal apo shpërblim për përkatësi grupore, por përgjegjësi që fitohet përmes meritës, integritetit dhe aftësisë profesionale.

3. Kritere të panegociueshme për udhëheqësit dhe përfaqësuesit e PDK-së.

Çdo kandidat për përgjegjësi të rëndësishme partiake apo institucionale do të duhet t’i përmbushë këto kritere:

1. Pastërtia kombëtare dhe kontributi kombëtar – dëshmi e përkushtimit ndaj interesit të vendit dhe vlerave kombëtare.

2. Pastërtia morale – integritet personal, ndershmëri dhe përgjegjësi në jetën publike.

3. Pastërtia nga korrupsioni dhe keqpërdorimi i detyrës – asnjë tolerancë ndaj korrupsionit, nepotizmit dhe keqpërdorimit të pozitës publike, me vlerësim mbi bazën e fakteve dhe procedurave të drejta.

4. Pranueshmëria ndërkombëtare – figurë e besueshme dhe e pranueshme për partnerët strategjikë të Kosovës.

5. Përgatitja e lartë profesionale – kompetencë, përvojë dhe aftësi për të udhëhequr.

6. Pranueshmëria nga anëtarësia – besimi dhe mbështetja e gjerë e anëtarëve të PDK-së.

7. Gjithëpërfshirja rajonale – përfaqësim i drejtë dhe proporcional i të gjitha rajoneve të Kosovës.

Këto kritere do të shërbejnë si standard i detyrueshëm për ndërtimin e një kulture të re politike brenda PDK-së.

8. Demokraci e drejtpërdrejtë dhe vendimmarrje përmes anëtarësisë

Për të gjitha vendimet me peshë të veçantë politike, organizative apo strategjike për PDK-në dhe për shtetin, anëtarësia do të konsultohet dhe do të ketë mundësi të shprehë vullnetin e saj përmes sistemit të votimit elektronik.

Ky mekanizëm do të aktivizohet sa herë që çështjet e rëndësishme kërkojnë legjitimitet të gjerë partiak.

Votimi do të organizohet në mënyrë transparente, të sigurt dhe të verifikueshme, duke garantuar barazinë e votës dhe mbrojtjen e vullnetit të anëtarësisë.

PDK-ja nuk duhet të jetë parti ku vendosin vetëm disa individë. Ajo duhet të jetë parti ku vendimet e mëdha marrin legjitimitetin e anëtarësisë.

Vizioni ynë

Ne synojmë një PDK ku: * Merita vlen më shumë se afërsia personale. * Integriteti vlen më shumë se pozita. * Kontributi vlen më shumë se privilegji. * Demokracia e brendshme vlen më shumë se vendimmarrja e mbyllur. * Interesi i Kosovës qëndron mbi çdo interes individual apo grupor. Nuk synojmë vetëm ndryshimin e udhëheqjes së PDK-së. Synojmë ndryshimin e mënyrës se si udhëhiqet, organizohet dhe funksionon PDK-ja.

Kjo është rruga drejt një PDK-je më të fortë, më demokratike, më të besueshme dhe më të denjë për përgjegjësinë shtetformuese që ka mbajtur dhe që duhet ta vazhdojë në të ardhmen.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Gjenerali dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Anton Quni, ka…