Anton Quni krenar për të birin, Dritoni jep betimin ushtarak në Forcat e Armatosura të Kroacisë
Gjenerali dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Anton Quni, ka ndarë një moment krenarie familjare, pasi djali i tij, Dritoni, ka dhënë betimin ushtarak në Forcat e Armatosura të Kroacisë.
Përmes një postimi, Quni ka shprehur krenarinë dhe emocionet për këtë arritje të të birit, duke theksuar se përvoja në ushtrinë kroate do t’i shërbejë në forcimin e karakterit, disiplinës dhe aftësive të tij.
Ai ka theksuar gjithashtu se, pavarësisht uniformës që do të mbajë, Dritoni do të mbetet përfaqësues i traditës dhe kulturës shqiptare.
“Sot është nga ato ditë kur zemra të gëzohet për çdo sukses të fëmijës! Djali ynë, Dritoni, sot dha betimin ushtarak në Forcat e Armatosura të Kroacisë.
Besojmë fort se disiplina, etika, shkathtësitë ushtarake dhe puna në grup që do të fitojë këtu, do t’ia forcojnë edhe më shumë karakterin për t’i bërë ballë çdo rreziku e vështirësie në jetë.
Kudo dhe kurdo, qoftë edhe i veshur me uniformën e ushtrisë kroate, Dritoni do të mbetet përfaqësuesi më i denjë i traditës dhe i kulturës sonë shqiptare.
Të qoftë shërbimi ushtarak i mbarë dhe me faqe të bardhë, biri ynë! Zoti të ruajtë!”, ka shkruar Quni.



