Ndërpritet mbledhja për rastin e Arlinda Zekajt, LVV kundërshtoi përfshirjen e Zyrës së Kryeministrit në hetim

06 nëntor 2026 | 19:20

Mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt u ndërpre të premten, pas mospajtimeve për përfshirjen e Zyrës së Kryeministrit në listën e institucioneve nga të cilat komisioni do të kërkojë dokumente dhe dëshmi.

Kryetari i komisionit, Burim Ramadani nga Aleanca, tha se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje e kundërshtuan përfshirjen e ZKM-së edhe pas një pauze pesëminutëshe.

“Për këtë arsye, e ndërpreva mbledhjen. Përballë kësaj bllokade, nuk kishte kuptim të vazhdohej mbledhja”, deklaroi Ramadani. Ai bëri të ditur se mbledhja e radhës do të mbahet të hënën dhe i bëri thirrje LVV-së ta rishikojë qëndrimin.

Deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani, tha se Zyra e Kryeministrit nuk ia ka dorëzuar komisionit dy raportet e kërkuara për rastin. Ai kërkoi që komisioni të mund të marrë dokumente dhe prova nga çdo institucion që mund të kontribuojë në zbardhjen e rastit.

“U bëj thirrje deputetëve të shumicës parlamentare të reflektojnë dhe të bashkëpunojnë në zbardhjen e të gjithë zinxhirit të dështimeve institucionale që përfundoi me vrasjen e një gruaje”, deklaroi Rrahmani.

Deputetja e PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj, shprehu shqetësim se ndasitë politike po pengojnë punën e komisionit. Ajo tha se plani i veprimit që ka propozuar parasheh shqyrtimin e përgjegjësive nga zyrtarët që e kanë trajtuar rastin deri te drejtuesit institucionalë dhe niveli politik.

“Është shumë e rëndësishme që Komisioni hetimor i tillë të funksionojë, nuk duhet të politizohet. Një ministër mund të jetë i shkëlqyeshëm në performancë, por nëse ndodh një rast tragjik, nëse nuk ka përgjegjësi penale e ka përgjegjësi morale”, tha Kabashi-Ramaj.

Në mbledhje, ajo ngriti edhe çështjen e raporteve që komisioni i kishte kërkuar deri të mërkurën, më 4 nëntor, dhe që, sipas saj, ende nuk ishin dorëzuar. Kabashi-Ramaj kërkoi që komisioni të evidentojë zyrtarisht institucionet që nuk kanë raportuar, t’u kërkojë sqarime me shkrim dhe të caktojë një afat të ri, të shkurtër, për dorëzimin e dokumenteve.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kuvendi i Kryeqytetit ka miratuar Rregulloren për rikthimin e “Prishtina…