LANDOVICA – FSHATI I MARTIRIZUAR I SULMIT GJENOCIDAL SERB

16 qershor 2025 | 00:36

Shtegtime nëpër Atdhe (CCCXCII)

Shkruan: Berat Luzha

Që në shkollën fillore dikur mësohej vjersha “Ramiz, o vëlla” të poetit tonë të njohur, Esad Mekuli, në të cilën poeti thërriste: “Landovicë, a pave ndoj trim” / Landovicë, a pate idhnim”. E më vonë mësuam se Landovica është një fshat afër Prizerenit, në rrugën Prizeren – Gjakovë, vetëm 8 km në veri të kryeqytetit historik të Shqipërisë.
Landovica është një fshat i mesëm i tipit të grumbulluar me rreth 200 shtëpi. Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, ky fshat kishte 1149 banorë. Që nga viti 1948, kur kishte 312 banorë, numri i popullsisë së fshatit është rritur vazhdimisht deri në vitin 1991, kur fshati kishte 1327 banorë. Nga ky vit, veçanërisht pas luftës çlirimtare, edhe numri i banorëve të Landovicës ka trend të rënies së vazhdueshme.
Si në tërë Kosovën, edhe në Landovicë vepronte njësiti i UÇK-së. Në ndjekje të tij kishin mësyer forcat terroriste të shtetit serb. Më mars të vitit 1999 një brigadë e Korpusit të Prishtinës në kuadër të Armatës së Tretë të Jugosllavisë sulmoi fshatrat e komunave Suharekë, Rahovec, Prizeren dhe Gjakovë. Në këto fshatra, nga 24 marsi deri më 10 qershor, forcat serbe kanë vrarë 2174 persona civilë. Vetëm më 26 mars të këtij viti në Landovicë janë vrarë 14 banorë dhe 12 të tjerë janë plagosur. Trupat e të vrarëve janë marrë nga forcat serbe dhe janë dërguar në drejtim të panjohur. Deri në vitin 2004 nuk është ditur asgjë për ta, ndërkohë që 12 prej tyre janë gjetur në varrezat masive në Batajnicë, afër Beogradit.
Në Landovicë ende ruhet shtëpia ku është bërë krimi. Kjo shtëpi, në të cilën ishin strehuar 40 persona të dy familjeve, ishte bombarduar tërë ditën nga artileria e rëndë serbe, ndërsa granata e parë e asaj dite e kishte vrarë Njomzën e njomë 15-vjeçare, e cila ende është e pagjetur. Në mesin e të vrarëve ishte edhe një 15-vjeçare, si dhe Diellza njëvjeçare, e cila është vrarë bashkë me nënën e saj dhe në krahët e saj. Në këtë shtëpi, ku pasqyrohet në çdo kënd krimi i forcave terroriste serbe, ruhen më së miri dëshmitë e krimit serb. Gjithashtu, në fshat ndodhet edhe një shtëpi tjetër, në të cilën gjatë luftës ishte i vendosur Shtabi i Logjistikës në kuadër të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Këto dy shtëpi ende presin dorën e shtetit, që të mbrohen sa nuk është bërë tepër vonë.
Fondi për të Drejtën Humanitare, me qendër në Beograd, në dhjetor të vitit 2013, ka ngritur kallëzim penal kundër një numri të drejtuesve dhe pjesëmarrësve në krime të luftës kundër popullsisë civile. Mirëpo, regjimi në Beograd asnjëherë nuk ka ngritur ndonjë akuzë kundër kriminelëve të cilët kryen krime në Kosovë.
Landovica është ndër fshatrat e parë që kanë hapur Muze të Dëshmorëve, ku janë ekspozuar qindra biografi të dëshmorëve, dokumente, fotografi, harta të luftës, filma dokumentarë dhe eksponate tjera të ndryshme nga lufta çlirimtare e UÇK-së në komunën e Prizerenit, dhe që dëshmojnë për gjenocidin e forcave serbe ndaj popullsisë civile.
Deri në luftën çlirimtare në Landovicë, në vendin e rënies, ndodhej edhe përmendorja e heronjve Ramiz Sadiku dhe Boro Vukmiroviqi, e ndërtuar në vitin 1963. Të njohur si Ramizi e Boro ose Boro e Ramizi, të rënë së bashku më 10 prill 1943 në Landovicë, regjimi titist në Kosovë emrat e tyre i keqpërdori si simbole të propagandës jugosllave për gjoja “vëllazërim – bashkimin e kombeve e kombësive” të Kosovës. Afër përmendores ishte ndërtuar edhe një motel, i cili sot është në gërmadha, ndërsa përmendorja e Ramiz Sadikut e Boro Vukmiroviqit është hequr pas përfundimit të luftës, në vitin 1999 dhe, në vend të saj, është ngritur Kompleksi i Varrezave të Dëshmorëve dhe përmendorja e Dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të komunës së Prizerenit. Ky kompleks, i ngritur në nderim të rreth 250 dëshmorëve, përbëhet nga Varrezat e Dëshmorëve, lapidari, muzeu, shëtitorja dhe hapësira gjelbëruese.
Një fat i keq për Landovicën ishte ndërtimi, në afërsi të saj, në vitin 2004, i deponisë regjionale të mbeturinave, ku grumbullohen mbeturinat e komunave Prizeren, Gjakovë, Rahovec, Suharekë, Sharr, Malishevë dhe Mamushë. Fat i keq ishte sepse deponia, siç është, nuk mirëmbahet sa e si duhet. Kjo deponi, e shtrirë në sipërfaqe prej 25 hektarëve, ka krijuar probleme të shumta mjedisore dhe shqetësime për shëndetin publik të banorëve, veçanërisht për ndotjen e ajrit dhe për mostrajtimin e ujërave sipërfaqësore dhe nëntokësore, që rrjedhin nga ajo në një hapësirë më të gjerë.
Megjithatë, banorët e Landovicës njihen për punë dhe kontribut vullnetar për rregullimin dhe pastrimin e fshatit. Me punë vullnetare është ndërtuar rruga pranë lumit, e cila në vitin 2019 është shpallur si rruga më mjedisore e komunës së Prizerenit. Fshati duket i qetë, i pastër dhe i rregulluar mirë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkelqim Hadri, me prejardhje nga Prishtina ka vdekur si pasojë…