Largohen mbeturinat e deponisë inerte në Llapushnik të Drenasit

31 gusht 2021 | 14:42

Komuna e Drenasit, përkatësisht Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë (DShPE), ka njoftuar se sërish ka bërë largimin e mbeturinave në pjesën hyrëse dhe jashtë rrethojës së deponisë inerte në fshatin Llapushnik.

Kjo është hera e katërt që kjo drejtori bën largimin e mbeturinave në Llapushnik. Në këtë drejtim, Komuna e Drenasit u ka bërë thirrje qytetarëve që mbeturinat inerte t’i hedhin në pjesën e brendshme pasi që ekziston hapësirë e mjaftueshme. “Hedhja e mbeturinave në mënyrë jo adekuate, paraqet problematikë duke bllokuar pjesën e brendshme të saj dhe duke e bërë jo funksionale deponinë.  Me qëllim të parandalimit të hedhjes së mbeturinave jashtë rrethojës, deponia do të jetë në mbikëqyrje të vazhdueshme nga inspektorati në bashkëpunim me zyrtarët e DShPE-së, në mënyrë që të parandalohet hedhja e mbeturinave në hyrje dhe jashtë saj, ku për të gjithë ata të cilët praktikojnë një gjë të tillë do të merren masa sipas ligjeve në fuqi, pasi që deponia inerte në fshatin Llapushnik është e mbuluar edhe me kamera të sigurisë”, ka njoftuar Komuna e Drenasit.

Kjo komunë ka theksuar se është e njoftuar se kush janë personat e pandërgjegjshëm dhe ndaj tyre do të merren masa siç është e caktuar edhe me legjislacion. “Drejtoria e Inspeksionit, disa herë ka shqiptuar edhe gjoba ndaj atyre që kanë hedhur mbeturina në vendet e ndaluara, dhe nga pamjet e kamerave mobile që posedon komuna, ndaj atyre do të vazhdohet me shqiptimin e gjobave”, ka njoftuar Komuna e Drenasit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, ka pritur në…