Lazio nxjerr në shitje Hysajn
Elseid Hysaj ka ndjekur mentorin e tij, Sarri në çdo skuadër ku ka shkuar. Pasi i dha dorën kur ishte tek Empoli, Sarri e mori më pas te Napoli, e kërkoi me insistim edhe kur ishte pjesë e Chelsea-t, por kjo lëvizje nuk u realizua. Më pas dyshja u bashkua te Lazio, gjatë kohës kur drejtor sportiv ishte Igli Tare.
Pas një periudhë të gjatë bashkëpunimi, palët mund të ndahen në fund të këtij sezoni. Sipas “Corriere dello Sport”, drejtuesit e Lazio-s po mendojnë të shesin Hysajn, lojtar të cilin Tare e solli falas.
Në fakt, ideja e drejtuesve është ta nxjerrin në shitje që në merkaton e janarit, por sipas Corriere dello Sport, pengesë mbetet paga e tij prej 2,2 milionë euro neto në sezon. Për momentin nuk ka oferta konkrete, por me shumë mundësi lojtari shkodran do të nisë një aventurë të re pasi të ketë luajtur dhe Evropianin.