LB-ja: Kosova s’ka nevojë për platformë me kufizime, por për platformë me parime

05 dhjetor 2018 | 13:57

Lëvizja për Bashkim (LB), e cila drejtohet nga Valon Murati është shprehur e shqetësuar me projektrezolutës të propozuar nga Partia Socialdemokrate (PSD), Nisma Socialdemokrate dhe Alternativa për dialogun me Serbinë.

“Lëvizja për Bashkim me shqetësim konstaton se në dokumentin që është bërë publik mungon qasja e këtyre subjekteve ndaj problemit kryesor me të cilin ballafaqohet Kosova. Motivi kryesor për zhvillimin e bisedimeve me Serbinë duhet të jetë funksionalizimi i shtetit të Kosovës përmes forcimit të sovranitetit të saj”, është thënë në reagimin e LB-së.

Reagimi i plotë i Lëvizjes për Bashkim:

Kuvendi i Kosovës pritet që ta shqyrtojë projektrezolutën e propozuar nga PSD-ja, Alternativa dhe Nisma Socialdemokrate mbi dialogun me Serbinë. Si produkt i kësaj rezolute do të krijohet edhe ekipi negociator e më vonë do të përpilohet edhe platforma për bisedime si dhe ligji mbi dialogun.

Lëvizja për Bashkim me shqetësim konstaton se në dokumentin që është bërë publik mungon qasja e këtyre subjekteve ndaj problemit kryesor me të cilin ballafaqohet Kosova. Motivi kryesor për zhvillimin e bisedimeve me Serbinë duhet të jetë funksionalizimi i shtetit të Kosovës përmes forcimit të sovranitetit të saj.

Ky sovranitet nuk mund të forcohet pa çlirimin e Kosovës nga gjendja e të qenurit peng nga pakica serbe, e cila e ka këtë fuqi në saje të privilegjeve të tyre kushtetuese, të cilat shprehen përmes të drejtës së vetos në çdo nismë për ndryshime kushtetuese apo të ligjeve që i përkasin 8 fushave në kuadër të legjislacionit me interes vital. Ky qëllim nuk mund të arrihet kurrsesi përmes qasjes së kësaj rezolute, pra të ngurtë e kufizuese në mundësitë e gjetjes së zgjidhjeve reale për problemet reale të vendit.

Përveç kësaj, është shqetësuese që në momentin kur për herë të parë është hapur çështja e shqiptarëve të Kosovës Lindore dhe mundësia që përmes këtyre bisedimeve të trajtohet edhe pozita e tyre dhe mundësia e bashkëngjitjes së tyre me Kosovën, Kuvendi i Kosovës, përmes një rezolute, përpiqet të mbyllë çfarëdo mundësie të tillë, duke i bërë dëm të pallogaritshëm si Kosovës ashtu edhe shqiptarëve në Kosovën Lindore.

Duke pasur parasysh divergjencat e mëdha midis subjekteve politike sa i përket mënyrës së zgjidhjes së çështjeve të pazgjidhura, kjo platformë nuk do të duhej të vendoste kufizime por duhej të vendoste parime për zgjidhje. E në mesin e tyre, ai që do të duhej të ishte i patejkalueshëm për çdo subjekt politik, është parimi i reciprocitetit të plotë me Serbinë. Çdo qasje tjetër, do të ishte rrugëtim drejtë një “zgjidhjeje” e cila e konservon jofunksionalitetin e shtetit të Kosovës dhe e ruan të cunguar sovranitetin e saj.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Arjen Robben ka konfirmuar se në fund të këtij sezoni…