LDK i del në mbrojtje Zemajt: Cenim i drejtpërdrejtë i sigurisë personale ndaj një përfaqësuesi të zgjedhur të popullit

24 tetor 2025 | 18:59

Lidhja Demokratike e Kosovës ka dënuar ashpër sulmin ndaj deputetit të saj, Armend Zemaj, që ndodhi gjatë një interviste publike, duke e cilësuar atë si akt të papranueshëm dhe cenim të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë personale të një përfaqësuesi të popullit dhe integritetit të institucioneve demokratike.

Në reagimin e saj, LDK thekson se çdo formë dhune, verbale apo fizike, ndaj zyrtarëve të saj është goditje ndaj dinjitetit institucional dhe kulturës demokratike të vendit, duke rikujtuar se mendimi ndryshe nuk mund të shprehet përmes fyerjeve apo dhunës.

Partia ka shprehur solidaritet të plotë me deputetin Zemaj dhe ka kërkuar nga organet e rendit e të ligjit që të sqarojnë me përgjegjësi rrethanat e ngjarjes, duke theksuar rëndësinë e respektit ndaj institucioneve dhe debatit të civilizuar në jetën publike.

Lidhja Demokratike e Kosovës dënon ashpër sulmin e papranueshëm të ndodhur sot gjatë një interviste publike, ku deputeti i LDK-së, z. Armend Zemaj, jo vetëm që është ofenduar dhe provokuar verbalisht, por edhe është përballur me sulm fizik ndaj tij. Ky akt është i papranueshëm dhe përbën cenim të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë personale të një përfaqësuesi të zgjedhur të popullit e të LDK-së dhe ndaj vetë integritetit të institucioneve demokratike të vendit.

Sulmet, qoftë verbale apo fizike, ndaj përfaqësuesve të popullit dhe zyrtarëve të LDK-së, përbëjnë cenim të drejtpërdrejtë të dinjitetit institucional dhe të kulturës demokratike mbi të cilën ndërtohet shteti ynë. Mendimi ndryshe është vlerë themelore e demokracisë, por shprehja e tij kurrë nuk mund të kalojë në fyerje apo dhunë.

Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh solidaritet të plotë me deputetin Armend Zemaj dhe fton organet e rendit dhe ligjit të sqarojnë me përgjegjësi rrethanat e sulmit.

Për LDK-në, respekti ndaj institucioneve dhe përfaqësuesve të tyre është respekt ndaj vetë shtetit dhe ndaj rendit demokratik. Kultura e debatit, e respektit dhe e dinjitetit duhet të mbizotërojë në jetën publike, si garanci e paqes shoqërore dhe e funksionimit demokratik të shoqërisë sonë.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Azem Syla, ka…