LDK-ja denoncon punësimet nga ana e LV-së: Emërimet po bëhen për t’i kapur institucionet

09 qershor 2021 | 11:46

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Shkëmb Manaj, në një konferencë për media ka thënë se janë shqetësuese emërimet e familjarëve dhe aktivistëve të Vetëvendosjes në institucionet e pavarura dhe agjencitë e ndryshme shtetërore.

Manaj ka vlerësuar se këto punësime janë duke ndodhur me qëllim të kapjes së institucioneve të pavarura nga ana e Vetëvendosjes.

“Lëvizja Vetëvendosje ka filluar t’u ofrojë strehë familjarëve dhe aktivistëve në pozitat më të rëndësishme shtetërore. LDK-ja duke e përcjellë me shqetësim kërkon që një trend si ky të ndërpritet sa më shpejt në të kundërtën një qasje e tillë përbën shkelje flagrante të të drejtave të njeriut.  LDK-ja vlerëson se këto emërime po bëhen me qëllim të kapjes së institucioneve, ndërmarrjeve publike, dhe agjencive të pavarura aq më keq është mënyra se si po tentohen të arsyetohen këto punësime familjare duke shpërfaqur arrogancën e numrave të mazhorancës”, ka thënë ai.

Më tutje, Manaj ka thënë se rasti i fundit është emërimi i aktivistit të Vetëvendosjes ë në pozitë udhëheqëse në PTK.

“Një rast i fundit eklatant ishte ai i intevistimit të Komisionerit për Informim dhe privatësi nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje me poentim maksimal edhe përkundër faktit që i njëjti nuk kishte arritur poenat për të kaluar nga britanikët. Poashtu në vazhdën e këtyre emërimeve ishte edhe emërimi i aktivistit të VV-së në pozita udhëheqëse në zyrat e financave dhe thesarit në Post Telekom”, ka thënë ai.

Ish-deputeti i LDK-së, i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti që ta ndalë këtë fushatë të cilën e ka quajtur të rrezikshme.

“LDK-ja vlerëson se ministra e deputetë të partisë në pushtet kanë filluar një fushatë kundër personave të emëruar në institucionet e pavarura kjo qasje e tillë rrezikon dukshëm pavarësinë e institucioneve të pavarura të cilat janë të garantuara me ligj dhe kushtetutë. I bëjmë thirrje kryeministrit dhe partisë në pushtet që të ndalë këtë fushatë sepse qytetarët nuk e kanë votuar për të degraduar institucionet e pavarura.  Vet ministrja e Drejtësisë tenton të frikësojë prokurorin në seancë gjyqësore, pastaj me qasjen e saj ndërhyn hapur në punën e prokurorisë dhe gjykatave”, është shprehur Manaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Stafi shëndetësor i klinikave Covid në Qendrën Klinike dhe Universitare…