
LDK-ja e quan veprim shantazhues iniciativën për ndryshimin e Ligjit për zgjedhjet
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar ndaj iniciativës se Vetëvendosjes për ndryshimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.
“Përpjekja për procedim të jashtëzakonshëm të Ligjit të zgjedhjeve, në seanca të jashtëzakonshme dhe atë para formimit të institucioneve, nuk është as nismë me substancë e as nismë qëllim-mirë; por, është shantazh i pushtetit. Është shantazh mbi arrogancën e numrave, në vend të stabilitetit politik, i cili i kontribuon tërësisht mosbesimit, sjelljes jokorrekte dhe jostabilitetit”, është thënë në reagim e LDK-së.
Kjo parti ka theksuar se shantazhi e kërcënimi për zgjedhje, mbesin mjete që qëllimisht nuk duan zgjidhje, por zgjedhje.
Reagimi i plotë i LDK-së:
Lidhja Demokratike e Kosovës ka përcjellë me vëmendje nismat e orëve të fundit të deputetëve të pushtetit dhe e konsideron absolutisht të ngutshëm vendimin për ndryshimin e Ligjit për zgjedhjet, marrë parasysh faktin që Kosova sapo ka kaluar këtë proces dhe sapo ka konstituuar legjislaturën e re.
LDK vlerëson lart kontributin e mërgimtarëve tanë në të gjitha etapat e shtetndërtimit të Kosovës dhe beson se secili qytetar i saj, kudo që është, duhet ta ketë të drejtën për të zgjedhur dhe për të votuar.
Prandaj, një e drejtë e tillë, dhe një ligj kaq i rëndësishëm, nuk guxon të shndërrohet në mjet shantazhi politik të brendshëm. LDK e vlerëson të ngutshëm dhe shantazhues veprimin e sotëm për ta sjellë në votim pa një dakordim paraprak, pa në diskutim adekuat dhe pa një debat të gjerë, njërin ndër ligjet më të rëndësishme në Republikën e Kosovës.
Përpjekja për procedim të jashtëzakonshëm të Ligjit të zgjedhjeve, në seanca të jashtëzakonshme dhe atë para formimit të institucioneve, nuk është as nismë me substancë e as nismë qëllim-mirë; por, është shantazh i pushtetit. Është shantazh mbi arrogancën e numrave, në vend të stabilitetit politik, i cili i kontribuon tërësisht mosbesimit, sjelljes jokorrekte dhe jostabilitetit.
Pushteti i sapoardhur, do të duhej që gjithë energjinë e vet ta drejtojë tek zgjerimi i konsensusit; sidomos kur një konsensus i tillë ishte i mundshëm.
Shantazhi e kërcënimi për zgjedhje, ndërsa, mbesin mjete që qëllimisht nuk duan zgjidhje por zgjedhje.
Në vend të adresimit të problemeve jetike për vendin tonë, në vend të menaxhimit të pandemisë e vaksinimit të popullsisë, në vend të stabilitetit politik kaq të domosdoshëm, pushteti po kërkon rrugën më të rëndë të vendit.