LDK-ja është përgjegjëse për dështim të koalicionit parazgjedhor

03 shtator 17:33

Sekretari organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, e ka bërë përgjegjëse LDK-në për dështimin e koalicionit parazgjedhor LV-LDK. Ai ka deklaruar se propozimi i fundit i liderit të LV-së, Albin Kurti, ia ka mundësuar LDK-së ta ketë edhe postin e kryeministrit nëse ajo parti do të dilte e para në zgjedhje. Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Kurteshi është shprehur i bindur në fitoren e këtij subjekti politik edhe pa koalicion parazgjedhor. “Sipas fakteve që i argumentova më lart, ato nuk nxjerrin përgjegjëse tjetër përveç LDK-së. Nuk ka mundësi që Lëvizja Vetëvendosje të ketë përgjegjësi edhe në rastin kur LDK-ja nuk e pranon ofertën që ia krijon mundësinë ta ketë edhe kryeministrin, nëse është partia e parë siç po pretendon”, ka thënë Kurteshi.

Ai ka thënë se nuk kanë asgjë kundër Vjosa Osmanit, kandidates së LDK-së për kryeministre, por LV-ja mendon se Albin Kurti është alternativë më e mirë për vendin në këto zgjedhje. “Ne nuk kemi asnjë vërejtje në zonjën Osmani, por ne konsiderojmë se Albin Kurti është politikani më i përshtatshëm dhe më i afti për ta kryer punën e kryeministrit, dhe Lëvizja Vetëvendosje është subjekt i vendosur që ta luftojë korrupsionin, krimin e organizuar dhe ta kemi një program zhvillimor për vendin i cili i duhet Kosovës”, ka deklaruar Kurteshi.

Më tej, ai ka vlerësuar se fryma për ndryshim që është krijuar së fundi e bën të pashmangshme fitoren e LV-së më 6 tetor. “Bazuar në sondazhet që ne po i përcjellim, dallimet mes neve dhe të tjerëve janë tepër të mëdha. Kandidati i LV-së për kryeministër në krahasim me të tjerët prin bindshëm. Pra, fitorja e LV-së është e sigurt, ne më 6 tetor do të jemi subjekti i parë dhe kandidati ynë për kryeministër do të ketë vota shumë më tepër sesa kandidati i dytë dhe të tjerët”, është shprehur ai.

Kurteshi ka folur edhe për mundësinë e koalicioneve të reja pas zgjedhjeve. Sipas tij, është zotim i LV-së dhe LDK-së që të bëjnë përpjekje për formimin e koalicionit qeverisës. “Është një lloj zotimi i dy subjekte, LV-së dhe LDK-së, që edhe pas zgjedhjeve të bëjmë përpjekje që ta formojnë një koalicion qeverisës. Mendoj se atëherë do ta kemi shumë më lehtë bashkëpunimin, sepse pas rezultatit të zgjedhjeve do të dihet se cila është fuqia politike e secilit subjekt”, ka thënë Kurteshi.

 

“Epoka e re”: Z. Kurteshi, edhe pas shumë përpjekjesh, nuk ndodhi koalicioni parazgjedhor me LDK-në. Pse?
Kurteshi: Mendoj se për këtë përgjigjen duhet ta japë LDK-ja, e cila e ka pasur mundësinë të futet në koalicion duke iu plotësuar të gjitha kërkesat. Zyrtarët e LDK-së vazhdimisht deklarohen se LDK-ja është subjekti i parë politik në Kosovë. Me këtë rast, ne propozuam që të futemi në një listë pa kandidat të përcaktuar për kryeministër, duke e vendosur në listë të parën kandidaten e tyre. Por, ata nuk e dëshiruan këtë propozim, sepse nuk janë të sigurt se partia e tyre do të dalë e para, ose kanë ndonjë arsye tjetër që ne nuk e dimë. Pas refuzimit të kësaj mundësie përgjegjësia bie mbi LDK-në. Edhe kështu siç jemi, ne nuk jemi keq, sepse në Kosovë është krijuar fryma se në këto zgjedhje do të ndodhë ndryshimi dhe të gjithë e dinë se ndryshimin mund ta sjellë vetëm Lëvizja Vetëvendosje me kryeministër Albin Kurtin.

“Epoka e re”: Sipas jush, fajtori kryesor për moskrijimin e koalicionit LV-LDK është kjo e fundit?
Kurteshi: Sipas fakteve që i argumentova më lart, ato nuk nxjerrin përgjegjëse tjetër përveç LDK-së. Nuk ka mundësi që Lëvizja Vetëvendosje të ketë përgjegjësi edhe në rastin kur LDK-ja nuk e pranon ofertën që ia krijon mundësinë ta ketë edhe kryeministrin, nëse është partia e parë siç po pretendon.

“Epoka e re”: Pse kandidatura e znj. Osmani nuk është e pranueshme për LV-në?
Kurteshi: Ne nuk kemi asnjë vërejtje në zonjën Osmani, por ne konsiderojmë se Albin Kurti është politikani më i përshtatshëm dhe më i afti për ta kryer punën e kryeministrit, dhe Lëvizja Vetëvendosje është subjekt i vendosur që ta luftojë korrupsionin, krimin e organizuar dhe ta kemi një program zhvillimor për vendin, i cili i duhet Kosovës. Sepse, siç po shohim, vendi ka stagnuar në të gjitha fushat. Ne kemi nevojë për arsim cilësor, për shërbime më të mira shëndetësore, kemi nevojë për administratë më të organizuar, për investime më të mëdha në bujqësi dhe në siguri. Pra, nuk është se ne kemi ndonjë vërejtje për zonjën e propozuar nga LDK-ja, por alternativa që ne kemi ofruar është shumë më e mirë për vendin në këto zgjedhje.

“Epoka e re”: Z. Kurti ende nuk është zyrtarizuar kandidat i LV-së për kryeministër. Kur do të ndodhë kjo?
Kurteshi: Lëvizja Vetëvendosje pas dy ditësh do ta ketë mbledhjen, në të cilën formalisht do të zyrtarizohet Kurti kandidat për kryeministër. Meqenëse deri tash nuk ka pasur ndonjë pretendent tjetër nga Lëvizja për kandidat për kryeministër, mendoj se ky zyrtarizim do të ndodhë së shpejti. Megjithatë, Këshilli i Përgjithshëm i LV-së e thotë fjalën e fundit përmes votës.

“Epoka e re”: Cila do të jetë oferta kryesore e LV-së në këto zgjedhje përmes së cilës do ta kërkojë votën e qytetarëve?
Kurteshi: Oferta jonë kryesore, në vija të trasha, është ndryshim total i mënyrës së udhëheqjes së vendit. Pra, stop keqpërdorimeve, stop korrupsionit dhe krimit të organizuar, punë të planifikuar për zhvillim të gjithëmbarshëm brenda vendit, ndërtim të raporteve të mira, pra raporte partneriteti e jo serviliteti me ndërkombëtaret dhe fqinjët. Do të jetë një formë krejt ndryshe e udhëheqjes së vendit, e cila garanton perspektivë për të gjithë qytetarët, e sidomos për të rinjtë të cilët po e kanë të vështirë të jetojnë në këtë kohë. Ata sot nuk gjejnë punë, janë të trajtuar keq dhe nuk kanë shërbime shëndetësore.

“Epoka e re”: Siç po shihet, do ta kemi një garë interesante për vend të parë në këto zgjedhje. Pretendente për të fituar janë katër subjekte të mëdha politike. Sa sfiduese do të jetë kjo për LV-në?
Kurteshi: Bazuar në sondazhet që ne po i përcjellim, dallimet mes neve dhe të tjerëve janë tepër të mëdha. Kandidati i LV-së për kryeministër në krahasim me të tjerët prin bindshëm. Pra, fitorja e LV-së është e sigurt, ne më 6 tetor do të jemi subjekti i parë dhe kandidati ynë për kryeministër do të ketë vota shumë më tepër sesa kandidati i dytë dhe të tjerët.

“Epoka e re”: Sipas sondazheve që po i përmendeni, sa është dallimi mes subjektit të parë dhe të dytë?
Kurteshi: Çka do që them mendoj se rezultatet do të jenë befasuese edhe për mua. Mirëpo dallimi do të jetë jashtëzakonisht i madh. Kësaj radhe Lëvizja do të ketë deputetë shumë më tepër sesa kemi herën e kaluar. Siç e dini, herën e kaluar kemi qenë të parët me 32 deputetë, por tash numri i deputetëve të LV-së në Kuvend do të jetë dukshëm më i madh.

“Epoka e re”: Sa deputetë pritni t’i keni?
Kurteshi: Besoj se do ta kalojmë numrin 40.

“Epoka e re”: Meqenëse jeni kaq të bindur në fitore, a keni menduar se me kënd do ta mund ta formoni qeverinë pas zgjedhjeve?
Kurteshi: Është një lloj zotimi i dy subjekteve, LV-së dhe LDK-së, që edhe pas zgjedhjeve të bëjmë përpjekje që ta formojnë një koalicion qeverisës. Mendoj se atëherë do ta kemi shumë më lehtë bashkëpunimin, sepse pas rezultatit të zgjedhjeve do të dihet se cila është fuqia politike e secilit subjekt. Pastaj do të sillemi dhe do t’i ndajmë përgjegjësitë bazuar në fuqinë politike që do ta fitojmë nga përkrahja e qytetarëve më 6 tetor.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë të martën se bisedimet…