LDK-ja i reagon Konjufcës që e përmendi vetëm Aganin e jo edhe Rugovën në Shqipëri

27 nëntor 2022 | 21:51

Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sibel Halimi, i ka reaguar kryeparlamentarit, Glauk Konjufca, i cili në seancën solemne Kosovë-Shqipëri nuk e përmendi presidentin e parë të Kosovës, Ibrahim Rugovën, ndërkaq e përmendi emrin e veprimtarit kombëtar, Fehmi Agani.

“Ndaj e shoh të pavend dhe ofenduese, që në fjalimin e sotëm të Kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, nuk u përmend askund kontributi madhor i atit themeltar të Republikës sonë, Presidentit Ibrahim Rugova”, ka shkruar Halimi në Facebook.

Postimi i plotë i Halimit:

Historia nuk është përplotësuese e dëshirave momentale të politikanëve të rëndomtë. Ajo nuk mund të shërbejë si ideologji e interesave ditore. Harrimi i qëllimshëm i saj është përpjekje për ta manipuluar vetëdijen kolektive të një kombi. Diçka që nuk e toleron sidomos studimi i filozofisë. Ajo s’mund të rishkruhet. As të shtrembërohet dhe deformohet. Ajo duhet të njihet siç ka qenë. Të respektohet e promovohet si vlerë.

Ndaj e shoh të pavend dhe ofenduese, që në fjalimin e sotëm të Kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, nuk u përmend askund kontributi madhor i atit themeltar të Republikës sonë, Presidentit Ibrahim Rugova.

Anashkalimi i Presidentit historik, projektuesit të paqes dhe shtetit të Kosovës nga fjalimet e liderëve nuk tregon asgjë tjetër, pos vogëlsi. Figurat e rëndësishme e kontribuese për lirinë e pavarësinë e vendit, duhet t’i tejkalojnë inatet apo ideologjitë personale e partiake, duke e pasqyruar saktë të kaluarën tonë të përbashkët.

Me sa duket, filozofi gjerman Hegeli me të drejtë kishte shkruar se “historia na ka mësuar se njerëzit dhe qeveritë nuk kanë mësuar asgjë nga historia”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjermania ka arritur që të gjejë golin e barazimit ndaj…