LDK-ja: Qeveria Kurti theu premtimin për t’i ndihmuar njerëzit e zakonshëm

01 shkurt 2023 | 15:42

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nëpërmjet një reagimi ka bërë me dije se me shqetësim është duke e përcjellë situatën e krijuar lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për caktimin e vlerës së koeficientit për vetëm 105 euro për punëtorët e sektorit publik.

Në krizën më të madhe ekonomike dhe sociale të viteve të fundit, LDK-ja ka vlerësuar se partia në pushtet – Lëvizja Vetëvendosje ka thyer premtimin e saj për t’i ndihmuar njerëzit e zakonshëm pas rritjes së kostos së jetesës.

“Koeficienti i ri prej 105 euro do të thotë se qeveria ka vendosur të ulë pagat për mijëra punëtorë në gjithë Kosovën dhe s’i rritë mjaftueshëm për shumë të tjerë. Mësuesit, punonjësit e shëndetësisë, policët, ushtarët, nëpunësit civil – këto janë profesionet që janë themeli i shoqërisë sonë dhe kanë sakrifikuar më së shumti në kohët më të vështira për vendin tonë. Koeficienti i qeverisë është një goditje e madhe për njerëzit e zakonshëm që përpiqen të përballojnë jetesën gjatë një krize të paprecedentë të kostos së jetesës”.

“Ky vendim i qeverisë tregon se ata nuk i kuptojnë sfidat me të cilat përballen njerëzit e zakonshëm në mbarë vendin duke u përpjekur të kalojnë kushtet e vështira ekonomike. Kjo tregon edhe një herë se sa larg realitetit është qeveria. LDK-ja ka propozuar vlerën e koeficientit prej 125 euro për të bërë një ndryshim të vërtetë për ata që kanë nevojë më shumë për të tejkaluar krizën e kostos së jetesës. Menjëherë LDK do të dërgojë dhe amendament në Kuvendin e Kosovës. LDK-ja do të punojë në vazhdimësi për mbrojtjen e punëtorëve dhe familjeve duke argumentuar domosdoshmërinë e një koeficienti më të lartë dhe pagave më të drejta për të përballuar këtë krizë. Kosova meriton më mirë, Kosova mund të bëjë më shumë”, është thënë në reagimin e LDK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Florim Thaqi B.I. shpall të humbur numrin fiskal NF: 600145090