LDK-ja s’bëhet pjesë e këtij dialogu pa legjitimitet politik dhe elektoral

07 shkurt 2019 | 18:30

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Naser Rugova, ka thënë të mërkurën se është e papranueshme që pasuritë nëntokësore të Kosovës të negociohen në Bruksel.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se një gjë e tillë nuk bën as të mendohet. “‘Trepça’ është në Kosovë, e Kosovës ishte, është dhe do të mbetet gjithmonë. Nuk ka forcë që mund të na shtyjë që të negociojmë për pasuritë tona natyrore dhe nëntokësore. Pikë. Kjo nuk bën as të mendohet!”, është shprehur ai.

Kurse sa i përket taksës ndaj Serbisë, Rugova ka thënë se një veprim i tillë është dashur të analizohet mirë meqë, sipas tij, nuk ka masë, veprim politik apo juridik që e vë në pikëpyetje miqësinë dhe partneritetin strategjik me ShBA-në.

“Falë ShBA-së jemi të lirë dhe të pavarur. Këtu s’ka hamendje!”, ka deklaruar ai.

Rugova ka thënë se dialogun me Serbinë duhet të udhëheqin krerët e institucioneve shtetërore që kanë përgjegjësi kushtetuese e jo bashkëkryesues të niveleve të tjera.

Ai ka bërë me dije se LDK-ja nuk do të bëhet pjesë e këtij dialogu pa legjitimitet politik dje elektoral.

“LDK-ja tani vetëm se e ka qëndrimin zyrtar: ne jemi kundër një dialogu me improvizime, paralelizma dhe mungesë legjitimiteti politik dhe elektoral. Kosova është shtet, nuk është OJQ. Në dialog udhëheqin krerët e institucioneve, konkretisht kryeministri, e jo bashkëkryesues në nivele të tjera si kryetarë komunash, ku njëri bashkëkryesues vjen nga partia e katërt e amputuar nga një grup parlamentar pa legjitimitet elektoral, tjetri nga partia e shtatë parlamentare. Ky është degradim institucional dhe nënçmim i institucioneve të shtetit. LDK-ja kundërshton fuqishëm këtë improvizim dhe nuk bëhet pjesë e kreaturave të tilla antikushtetuese”, ka theksuar Rugova.

Ai ka thënë se qeveria dhe partnerët e koalicionit e kanë futur vendin në krizë politike si dhe e kanë vënë në pikëpyetje miqësinë me partnerët tanë strategjikë prandaj, sipas Rugovës, zgjidhje e vetme janë zgjedhjet.

“Është qeveri pa legjitimitet, me skandale e vendime paradoksale. E ka vënë në pikëpyetje miqësinë me partnerët tanë strategjikë. Zgjidhje e vetme mbesin zgjedhjet”, ka deklaruar ai, duke shtuar se opozita ka tentuar t’i demaskojë këto politika dhe veprime të dëmshme duke thirrur dhjetëra seanca të jashtëzakonshme dhe debate parlamentare. “Me një fjalë, kemi tentuar dhe po tentojmë ta ruajmë fytyrën e këtij shteti të ri të krijuar me sakrificë të shumë brezave!”, është shprehur Rugova.

“Epoka e re”: Z. Rugova, si i komentoni zhvillimet e fundit në skenën politike, përkatësisht miratimin e Ligjit për Dialog dhe ecurinë e këtij procesi?
Rugova: Vlerësoj se krerët e institucioneve të shtetit tonë me politika të papjekura dhe me një diskrepancë të madhe mendimesh dhe veprimesh politike e kanë rrëzuar për tokë imazhin e vendit tonë. Dëshmi e improvizimeve të radhës së këtij pushteti dhe një paterice opozitare është miratimi i Ligjit për dialog që i bën paralelizëm Kushtetutës dhe institucioneve shtetërore si kategori kushtetuese.

“Epoka e re”: LDK-ja ka kundërshtuar miratimin e këtij ligji dhe është shprehur kundër pjesëmarrjes në dialog pavarësisht prej kërkesave të faktorit ndërkombëtar. Mund të ndryshoni qëndrim në rrugëtim e sipër të këtij procesi?
Rugova: LDK-ja tani vetëm se e ka qëndrimin zyrtar: ne jemi kundër një dialogu me improvizime, paralelizma dhe mungesë legjitimiteti politik dhe elektoral. Kosova është shtet, nuk është OJQ. Në dialog udhëheqin krerët e institucioneve, konkretisht kryeministri, e jo bashkëkryesues në nivele të tjera si kryetarë komunash, ku njëri bashkëkryesues vjen nga partia e katërt e amputuar nga një grup parlamentar pa legjitimitet elektoral, tjetri nga partia e shtatë parlamentare. Ky është degradim institucional dhe nënçmim i institucioneve të shtetit. LDK-ja kundërshton fuqishëm këtë improvizim dhe nuk bëhet pjesë e kreaturave të tilla antikushtetuese.

“Epoka e re”: Cili është qëndrimi juaj si parti sa i përket taksës ndaj Serbisë? Mendoni se duhet të mbetet në fuqi apo të hiqet ashtu siç po kërkon ShBA-ja?
Rugova: Disa herë kryetari i LDK-së është deklaruar për taksën. Një veprim i tillë është dashur të analizohet mirë. Nuk ka masë, veprim politik apo juridik që e vë në pikëpyetje miqësinë dhe partneritetin strategjik me ShBA-në. Falë ShBA-së jemi të lirë dhe të pavarur. Këtu s’ka hamendje. Miqësia e përhershme me ShBA-në është fundament politik i LDK-së dhe amanet i presidentit Rugova.

“Epoka e re”: Pse atëherë LDK-ja nuk e dëgjoi ShBA-në për t’u bërë pjesë e dialogut?
Rugova: LDK-ja e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në këtë proces. Kemi argumentuar arsyet dhe hezitimet tona. Ne jemi në linjë të njëjtë me ShBA-në dhe insistojmë që dialogun ta udhëheqin institucionet shtetërore që kanë përgjegjësi kushtetuese.

“Epoka e re”: Duke i pasur parasysh deklarimet e fundit rreth statutit të “Trepçës”, a ka rrezik që ajo të bëhet pjesë e dialogut me Serbinë?
Rugova: “Trepça” është në Kosovë, e Kosovës ishte, është dhe do të mbetet gjithmonë. Nuk ka forcë që mund të na shtyjë që të negociojmë për pasuritë tona natyrore dhe nëntokësore. Pikë. Kjo nuk bën as të mendohet.

“Epoka e re”: LDK-ja në vazhdimësi ka kërkuar zgjedhje të reja. Pse mendoni se zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje?
Rugova: Kjo qeveri dhe këta partnerë të koalicionit e kanë futur vendin në krizë politike dhe popullin në depresion kolektiv. E kanë degraduar imazhin e vendit dhe me papjekuri politike dhe ide aventureske kanë vënë në pikëpyetje edhe rendin kushtetues dhe integritetin territorial të vendit. Janë qeveri pa legjitimitet, me skandale e vendime paradoksale. E ka vënë në pikëpyetje miqësinë me partnerët tanë strategjikë. Zgjidhje e vetme mbesin zgjedhjet.

“Epoka e re”: A mund t’i sigurojë LDK-ja votat për ta rrëzuar këtë qeveri?
Rugova: Ne kemi bërë përpjekje që t’i sigurojmë votat për rrëzimin e kësaj qeverie e cila është më e dobëta që nga çlirimi. Deri tani nuk kemi arritur ta bëjmë këtë, por do të vazhdojmë me opozitarizmin tonë dhe me presionin publik.

“Epoka e re”: Çfarë vlerësimi keni për punën e deritanishme të koalicionit PAN dhe për rolin e opozitës?
Rugova: Është qeveri e skandaleve, e vendimeve arbitrare dhe joligjore, mentalitet feudal i qeverisjes së partnerëve të këtij koalicioni, mungesë idesh e vizioni, ndërhyrje politike në drejtësi, korrupsioni në grafikonin më të lartë vlerësuar nga institucione vendore dhe ndërkombëtare, politizim i skajshëm dhe degradim i institucioneve, dështim në politikat zhvillimore, në liberalizimin e vizave, ulje e imazhit të vendit dhe rrënim i miqësisë me partnerët strategjikë. Si opozitë kemi tentuar t’i demaskojmë këto politika dhe veprime të dëmshme, kemi thirrur dhjetëra seanca të jashtëzakonshme dhe debate parlamentare. Me një fjalë, kemi tentuar dhe po tentojmë ta ruajmë fytyrën e këtij shteti të ri të krijuar me sakrificë të shumë brezave!

(Shqipe HETEMI)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Elba Kokaj është një nga dy skitaret e vetme që…