Skitarja Elba Kokaj ka synime të mëdha në Lojërat Olimpike Dimërore

07 shkurt 2019 | 17:42

Elba Kokaj është një nga dy skitaret e vetme që do ta përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore Evropiane për të Rinj (EYOF) që mbahen prej 10-16 shkurtit në Sarajevë dhe Sarajevën Lindore të Bosnjë e Hercegovinës.

Bashkë me Elbën, pjesëmarrëse në Sarajevë është edhe Klea Vrella. Elba është nga Prishtina dhe ka lindur më 5 tetor të vitit 2001, ndërsa që nga mosha 7-vjeçare ka filluar të merret me sportin e skitarisë. “Babai është arsyeja pse merrem me skitari. Më herët kam provuar të merrem edhe me basketboll, hendboll dhe volejboll, por më shumë më ka pëlqyer skitaria”, ka thënë Kokaj për faqen zyrtare të Komitetit Olimpik të Kosovës.

Elba në Sarajevë do të garojë në disiplinat sllallom dhe sllallom të madh. Në të dyja këto disiplina ajo është nënkampione e Kosovës. Në muajt e fundit, falë mbështetjes financiare nga Komiteti Olimpik i Kosovës, Elba dhe Klea janë përgatitur në Erzurum të Turqisë dhe në Brod të Dragashit, për t’i mbushur “bateritë” për paraqitje sa më mirë në EYOF Sarajeva 2019. “Kemi kaluar shumë mirë në përgatitje, kushtet ishin shumë të mira. Po ashtu, edhe në Brod ka pasur kushte të mira. Shpresoj të na ndihmojnë për rezultate sa më të mira”, ka shtuar ajo.

Edhe Elba si Klea ka garuar në gara të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, por EYOF Sarajeva 2019 është e veçantë për të. “Sigurisht se ka qenë ëndërr ta përfaqësojë Kosovën në një garë të tillë. Uroj të kem edhe rezultat të mirë”, thekson skitarja e klubit të Prishtinës. Për Ekipin Olimpik të Kosovës, EYOF-i dimëror “Sarajeva 2019” do të jetë pjesëmarrja e dytë, pas debutimit në “Erzurum 2017”.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sime Vrsaljko do të kthehet në Atletico Madrid, për shkak…