LDK-ja s’mund të fitojë pas zgjedhjeve atë që nuk e fitoi në zgjedhje

12 dhjetor 2019 | 16:09

Politologu Belul Beqaj ka bërë me dije se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) duhet të lëshojë pe për marrëveshjen për bashkëqeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje (LV).

Ai ka thënë se kjo parti nuk mund të fitojë pas zgjedhjeve atë që nuk e ka fituar në zgjedhje. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Beqaj ka thënë se liderishipi i kësaj partie po përpiqet ta nxjerrë maksimumin nga këto negociata.

“Paralajmërimet para dhe gjatë fushatës, se LDK-ja është ‘e para dhe partia më e madhe’, nuk u dëshmuan pas zgjedhjeve. Përkundrazi, u vërtetua se kjo parti është ‘tigër prej letre’. Në një situatë të tillë lidershipi i saj po mundohet me tyxharllëk klasik të logjikës së tejkaluar të fitojë pas zgjedhjeve atë që nuk e fitoi në zgjedhje”, ka thënë Beqaj.

Ai ka theksuar se tani është koha e duhur që LDK-ja të transformohet. Sipas Beqajt, sovrani ka filluar ta ndaj “shapin prej sheqerit. LDK-ja s’po kupton se sovrani ka filluar ta ndaj ‘shapin prej sheqerit’. Zgjedhësit deri në këto zgjedhje janë frikësuar nga ndryshimi, ndërsa tashti janë të sigurt se mosndryshimi është më i rrezikshëm se ndryshimi! Është koha e duhur që LDK-ja të transformohet në drejtim të vetëdijes politike të sovranit”, është shprehur Beqaj.

Ai ka folur edhe për mospajtimet e këtyre dy subjekteve për Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Ai ka thënë se ‘shteti i kapur’ nuk mund të shkapet nga ata që kanë kontribuar në këtë drejtim. “Kompromisi është bërë me faktin se ministri, zëvendësministër e ka përfaqësuesin e partisë tjetër. Logjikisht ‘shtetin e kapur’ nuk mund ta ‘shkapin’ ata që kanë qenë në periudha të ndryshme  pjesë e ‘shtetit të kapur’. Prandaj, logjikisht nuk duhet në këto dikastere të jenë ata që kanë qenë pjesë e politikave të tilla”, ka thënë Beqaj.

“Epoka e re”: Z. Beqaj, ndonëse është pritur se marrëveshja për bashkëqeverisje në mes të LV-së dhe LDK-së do të ndodhë shpejt, ende nuk ka diçka konkrete. Pse mendoni se po ndodh kjo zvarritje?
Beqaj: Paralajmërimet para dhe gjatë fushatës, se LDK-ja është ‘e para dhe partia më e madhe’, nuk u dëshmuan pas zgjedhjeve. Përkundrazi, u vërtetua se kjo parti është ‘tigër prej letre’. Në një situatë të tillë lidershipi i saj po përpiqet me tyxharllëk klasik të logjikës së tejkaluar të fitojë pas zgjedhjeve atë që nuk e fitoi në zgjedhje!

“Epoka e re”: Zyrtarët e LDK-së me këmbëngulje pretendojnë se në marrëveshje duhet të përfshihet edhe posti i presidentit, gjë që e kundërshton LV-ja. Si e keni parë këtë insistim të LDK-së në këtë post?
Beqaj: LDK-ja s’po kupton se sovrani ka filluar ta ndaj ‘shapin prej sheqerit’. Zgjedhësit deri në këto zgjedhje janë frikësuar nga ndryshimi, ndërsa tashti janë të sigurt se mosndryshimi është më i rrezikshëm së ndryshimi. Është koha e duhur që LDK-ja të transformohet në drejtim të vetëdijes politike të sovranit.

 “Epoka e re”: Në anën tjetër, zyrtarët e LV-së insistojnë se patjetër duhet ta udhëheqin Ministrinë e Punëve të Brendshme të cilën po e kërkon edhe LDK-ja. E shihni si të mundshëm ndonjë kompromis në mes të postit të presidentit dhe MPB-së?
Beqaj: Kompromisi është bërë me faktin se ministri, zëvendësministër e ka përfaqësuesin e partisë tjetër. Logjikisht ‘shtetin e kapur’ nuk mund ta ‘shkapin’ ata që kanë qenë në periudha të ndryshme pjesë e ‘shtetit të kapur’. Prandaj, logjikisht nuk duhet në këto dikastere të jenë ata që kanë qenë pjesë të politikave të tilla.

 “Epoka e re”: Në bazë të asaj që kemi parë deri më tani, a pritni një marrëveshje të shpejtë në mes të këtyre dy subjekteve?
Beqaj: Mosmarrëveshja në mes tyre mund të zgjasë pafundësisht nëse brenda LDK-së nuk këndellën se ata nuk munden për të fituar me tyxharllëk atë që e kanë humbur në zgjedhje. Sovrani ka votuar për ndryshim, ata po përpiqen të rikthjenë logjikën e shtetit të kapur me të cilën kanë bashkëqeverisur me partitë që nxitën pakënaqësinë dhe ndryshimin nga sovrani! Isa Mustafa dhe logjika e poltronëve rreth tij nuk simbolizojnë ndryshimin, përkundrazi ata e përkujtojnë shtetin e kapur.

 “Epoka e re”: Nëse nuk ndodh kjo marrëveshje, cila do të ishte alternativa: zgjedhje të reja apo LV-ja të hapet ndaj partive të tjera?
Beqaj: Nëse nuk ndodh kjo marrëveshje, nuk ka nevojë të lëshojë pe asnjëra parti. LDK-ja duhet, në interes të së ardhmes së vet, të kuptojë se nuk i takon diçka që rikthen në mendje qytetarin, shtetin e kapur. LDK-ja duhet të kuptojë se vizioni i saj që e bën faktor të besueshëm në të ardhmen, ndërlidhet me reforma të thella kadrovike të cilat racionalisht e rishikojnë ‘konceptin e institucionalizmit’ në favor të njerëzve që vendosen  në institucione. Ndërsa LV-ja duhet të kuptojë së politikëbërja ‘sovrane’ më shumë varet nga shtetet pa të cilat nuk do të ishte krijuar shteti i Kosovës sesa nga dëshira dhe përkushtimi i LV-së për politika sovrane.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Stacionet dhe Njësitet e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë,…