LDK reagon pas takimit trepalësh në Bruksel: Bislimi s’ka më mandat për ta përfaqësuar Kosovën në dialog

10 qershor 2025 | 23:09

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas takimit trepalësh mes zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimit, kryenegociatorit serb, Petar Petkoviq dhe emisarit të BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

Me anë të një komunikate, LDK’ja ka thënë se Bislimi s’gëzon mandat legjitim për përfaqësimin e Kosovës në dialog me Serbinë.

“Mandati i ish-qeverisë ku z. Bislimi ka qenë i emëruar kryenegociator nga ish-kryeministri Kurti tanimë ka përfunduar me certifikimin e rezultateve zgjedhore të 9 shkurtit. Andaj, z. Bislimi është vetëm ushtrues detyre, pa legjitimitet demokratik dhe pa miratim parlamentar për të marrë vendime në procesin e dialogut”, thuhet ndër të tjera në reagim.

LDK konsideron se negociatat me Serbinë duhet të trajtohen si çështje me interes të lartë shtetëror dhe se “tentimi i Blisimit për ta futur Kosovën në obligime, pa patur mandat legjitim e demokratik, është i papranueshëm, antikushtetues dhe joligjor”.

“LDK kërkon që të respektohet rendi kushtetues dhe vullneti i qytetarëve të shprehur në zgjedhje. Dialogu duhet të vazhdojë vetëm me institucione të reja, të dala nga zgjedhjet, me mandat të qartë dhe përfaqësim të plotë”, vijon ndër të tjera reagimi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Vitisë ka shpallur një ditë zie më 11…