LDK rikonfirmon se Projektligji për demarkacionin e ka mbështetjen e saj

17 shkurt 2018 | 18:45

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) është mbledhur sot në orët e pasdites për të diskutuar në lidhje me votimin për sa i përket çështjes së demarkacionit, gjë e cila pritet të bëhet ditëve në vijim.

LDK-ja ka konfirmuar se në seancën, ku pritet të debatohet për Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Shënjimit të Kufirit me Malin e Zi, projektligji në fjalë do ta ketë mbështetjen e plotë të kësaj partie.

“LDK-ja në vazhdimësi ka theksuar se Marrëveshja e 26 gushtit 2015 është në përputhje me të gjitha faktet dhe në interesin e qytetarëve të Kosovës. Kundërshtimi i deritashëm i saj, siç po dëshmohet haptazi, ka qenë vetëm një kauzë fiktive dhe jashtëzakonisht e dëmshme. Mosratifikimi i saj deri më tani, vendin tonë e mbajti të izoluar dhe larg perspektivës evropiane, ndërsa qytetarët tanë i la pa të drejtën elementare njerëzore, lirinë e lëvizjes”, thuhet përmes një komunikatë për medie.

“LDK-ja, si partia kryesore në vend dhe me grupin më të madh parlamentar e përcaktues në këtë proces, me votën në Kuvendin e Kosovës, do të hapë dyert për lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë. Në këtë moment të rëndësishëm, LDK-ja kërkon nga shumica parlamentare që ta dëshmojë mbështetjen për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje”, thekson më tej kjo parti.

Kjo parti thotë se do të vijojë të mbështesë qartazi perspektivën dhe proceset integruese të Kosovës në strukturat euro-atlantike, “si dhe do të mbështesë të gjitha proceset që shkojnë në dobi të qytetarëve tanë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Rita Ora kthehet në vendlindje, Kosovë, për të kremtuar 10…