
Leclerc komenton Silverstonin: Gara më e keqe e jetës
Britania e Madhe nuk ka qenë kurrë një pistë shumë e mirë për Sharl Lëklerkun dhe e tillë rezultoi edhe të dielën, me pilotin e Ferrarit që e mbylli garën në vend të 14-të. Pas eventit në Silverston, Leclerc e përshkroi performancën e tij si një nga më të këqijat e karrierës.
“Çfarë gare katastrofike, mund ta them pa dyshim. Ishte një katastrofë, ndoshta një nga garat më të këqija të jetës sime përsa i përket mënyrës se si ndihesha, ritmit tim, madje edhe mënyrës se si ta kontrolloja makinën dhe ta mbaja në pistë”, rrëfeu piloti monegask, i cili më tej vijoi analizën.
“Shumë gabime, aspak ritëm. Mund të bësh gabime kur bën xhiro të mira, por kur je një sekondë prapa dhe vazhdon të bësh gabime, është tronditëse. Do ta analizoj”, tha Lëklerk, i cili ishte shumë larg edhe nga shoku i skuadrës. “Për fat të mirë për ne, Luis kishte ritëm të mirë përpara dhe kemi të njëjtën makinë, kështu që e di se çfarë është e mundur dhe tani mund të shoh se çfarë bëri ai dhe të shoh se çfarë bëra plotësisht gabim unë, sepse ka diçka që nuk shkon”, deklaroi Lëklerk në lidhje me performancën e tij.
Ai madje pranoi se ndalesa në boks para fillimit të garës, për të lënë gomat e ndërmjetme për shkak të shiut dhe për të vendosur goma të thata, kur pista ishte ende shumë e lagësht, nuk ishte ideale. “Atje shkoi keq. Në xhiron e formacionit, edhe ky ishte faji im. Isha unë ai që rrezikova. Ritmi ishte i tmerrshëm dhe nuk e di nëse do të kisha përfunduar me pikë. Ndoshta mund të merrja pikë, me një garë normale, duke i mbajtur gomat që nga fillimi, por po luftoja shumë”, vazhdoi Lëklerk, duke pranuar gabimin e tij para fillimit të garës.
Është e vërtetë që Ferrari nuk ecën mirë në shi, në përgjithësi, por kishte diçka tjetër. “Nuk po shkon shumë mirë, por deri në atë pikë ka qenë një makth. Duhet ta analizoj, nuk është normale që ne të jemi kaq të ngadaltë. Do të punoj shumë për ta kuptuar dhe për të provuar të përmirësohem. Nuk mendoj se mund të përkeqësohemi, duke parë se çfarë ndodhi në këtë garë”, shtoi piloti 27-vjeçar.
PËRPLASJA ME SAINZIN
Lëklerk i kërkoi falje ish-shokut të skuadrës, mikut të tij Karlos Sainz, për një përplasjen në fund të garës. “Më vjen shumë keq për Karlosin. Nuk e di nëse ishim në pikë në atë pikë, po, ishim… Më vjen keq për të, nuk do që kjo të ndodhë kurrë. Po përpiqesha të mbroja pozicionin tim… Ky është një tjetër gabim nga ana ime, e pata shumë të vështirë ta mbaja makinën në pistë”, përfundoi numri 16 i Ferrarit, i cili u largua nga Silverston i dëshpëruar.