“Legjenda e Drenicës”, një monografi në vargje

06 mars 2024 | 08:58

Izet Abdyli

Libri ,,Legjenda e Drenicës”  (poezi), përgatitur nga Sinan Gashi, është një monografi në vargje, ku poetë nga të gjitha viset shqiptare e në kohë e periudha të ndryshme kanë shpërfaqur përmes vargjeve  historinë, traditën bujarinë e trimërinë e kësaj treve që historikisht ishte dhe mbeti shembull i sakrificës për liri Studiuesi Gashi me kujdes të  veçantë ka vjel tërë krijimtarinë letrare në vargje të shkruar për Drenicën. Fillimisht libri hapet me kapitullin e këngëve rapsodike nga autorë anonim popullor, ku u këndohet betejave e ngjarjeve të veçanta dhe luftëtarëve e dëshmorët të rënë në altarin e lirisë. Në këto vargje defilojnë emra e personalitete të rëndësishme historike si: Milesh Kopiliqi, Sylë Rezalla, Azem Galica, Ahmet Delia, Kamer Loshi, Dan Deroci, Zenel Leki, Hasan Prishtina, Lec Gradica, Shaban Polluzha, Fazli Greiçevci e deri te Komandanti legjendar Adem Jashari. Është karakteristike që për Drenicën kanë stisur vargje poetë të të gjitha trojeve shqiptare dhe mërgatës. Ata janë emra që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e letërsisë shqipe. Emrat si: Hafëz Ali Korça, Arif Shala, Mark Krasniqi, Arshi Pipa, Dritëro Agolli, Din Mehmeti, Fazli Greiçevci, Agim Gjakova, Bedri Hysa, Rifat Kukaj, Ali Podrimja, Zeqir Gërvalla, Avdi Shala, Jusuf Gërvalla, Jonuz Fetahaj, Behram Hoti, Mehmet Haziri, Hasan Hasani, Demë Topalli, Visar Zhiti, Adem Gashi, Milazim Krasniqi, Sabit Idrizi, Bedri Tahiti, Dibran Demaku, Sabit Rustemi, Ali Alidema etj. Akëcili prej tyre përmes vargjeve kanë shpalosur ndjenjat e tyre të dashurisë për qëndresën dhe sakrificën e pashembullt të popullit të trevës së Drenicës, që jo rrallë gjatë historisë ishte arena ku ndizeshin flakadanët si lajmëtar të lirisë.

Vargjet kanë aromë dheu e gjaku, kanë rruzullim drite në fund të tunelit që ngjallin shpresën, kanë urtinë, mençurinë e besën, janë vargje për krenarinë kombëtare. Thjeshtë ky libër është edhe një kronologji në vargje që në zhargonin e historianëve do të përkufizohej si histori e shkurtër për Drenicën. Këtë libër e pasuron edhe fotoalbumi me fotografi të dhjetëra personaliteteve që kanë lënë gjurmë në historinë e Drenicës dhe jo vetëm Drenicës. Puna dhe zelli i  Gashit për të mbledhur dhe sistemuar tërë këtë material është për t’u vlerësuar lart. Kështu që si i tillë ky libër me vlera të veçanta meriton të zënë vend jo vetëm në bibliotekat publike e të institucioneve, por edhe në bibliotekat familjare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë…