Lekaj boton libër përplot me dëshmi për çështjen e Kosovës ndër vite

24 qershor 2022 | 13:23

Ka dalë nga shtypi, nën përkujdesjen e shtëpisë botuese “Armagedoni”, libri i veprimtarit dhe publicistit Fatmir Lekaj, me titull “Ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës drejt zgjidhjes, para dhe pas shembjes së murit të Berlinit: analizë & dokumente”.

Vlerësimi i profesor Haqif Mulliqit për këtë libër:

Libri i politologut Fatmir Lekaj, Ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës drejt zgjidhjes, para dhe pas shembjes së murit të Berlinit, nuk mund të vinte në një kohë më të mirë. Në këtë libër autori paraqet dije, argumente dhe fakte për një proces të gjatë të një lëvizjeje çlirimtare. Gjithashtu, libri i ka të gjitha predispozitat që të ushtrojë ndikim tek opinioni publik vendor dhe i huaj. Ai na rrëfen dhe na mundëson të na ndihmojë të kuptojmë se si arritëm këtu ku jemi dhe si bashkërisht mund të vazhdojmë drejt një të ardhmeje më të mirë.

Ky libër i Lekajt është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për të gjithë lexuesit. Me të ai na inkurajon të jemi të fortë pavarësisht prej ndodhive. Po ashtu, na udhëzon t’i kapërcejmë shpejt sfidat më të vështira dhe ta themi “po”-në tonë programore kombëtare.

Libri i Lekës, gjithashtu, është një udhërrëfyes për qetësimin e emocioneve tona, armë e fortë në funksion të padrejtësive të orkestruara drejt një (mos)bindjeje konstruktive e cila Kosovën e shpuri, në bashkëpunim me miq ndërkombëtarë, drejt realizimit të qëllimit të vet.

Librin në fjalë autori e pajis me vizion të jashtëzakonshëm dhe veçon rëndësinë e luftës çlirimtare.

Lekaj me këtë libër, i cili ka publicistikë dhe shkencë, ka hartuar një udhëzues për njerëzit e sotshëm dhe të ardhshëm, për ta parë historinë e Kosovës në disa pamje.

Vlerësimi i shtëpisë botuese “Armagedoni” për këtë libër:

Veprimtari i çështjes kombëtare, Fatmir Lekaj, me punë dhe banim në Oslo, paraqitjet televizive për Kosovën, për Lëvizjen Paqësore, për organizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për krerët e kësaj ushtrie i ka të rralla. Më të shpeshta i ka shkrimet publicistike dhe shkencore. Sa herë që flet për Kosovën, për miqtë e saj, për UÇK-në dhe për udhëheqësit e luftës dhe të paqes, sjell dëshmi të reja.

Këtë libër të ri e ka mbushur me referenca dhe me faksimile. Me dokumente dhe me fotografi. Ai e di mjaft mirë historinë e Kosovës dhe të UÇK-së. Ai i njeh mirë kontribuuesit kryesorë për çlirimin e Kosovës. Vëmë re në këtë libër se zanafilla e çlirimit të vendit tonë ka një histori të hershme. Ka disa personalitete publike, me ndikim të madh, që kohë të gjatë, në vende të ndryshme të botës, edhe fizikisht, edhe me korrespodenca, kanë kërkuar vëmendjen për popullin shqiptar të Kosovës i shtypur nga serbët. Ato përpjekje të miqve të popullit dhe vendit tonë dhe të bashkëkombësve tanë i ka dokumentuar në këtë libër. Prandaj, për ta parë procesin e rindërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës, procesin e themelimit, organizimit ushtarak, logjistik, politik dhe diplomatik të UÇK-së, duhet lexuar ky libër, në të cilin autori jep vlerësime për kontributdhënësit e çlirimit të Kosovës.

 Parathënia e librit shkruar nga autori:

 Më herët nuk e kisha menduar ta shkruaj këtë libër në këtë formë dhe përmbajtje. Si pikënisje e këtij libri ishte një reagim imi miqësor në një shkrim dhënë si informacion plotësues në lidhje me organizimin e vizitës së parë zyrtare të Ibrahim Rugovës në Perëndim. Por meqë kjo çështje u ngrit për diskutim në një intervistë televizive të Shkëlzen Maliqit më 18.01.2022, dhe duke marrë parasysh zhvillimin e disa debateve të tjera tele­vizive në lidhje me ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës në lidhje me UÇK-në etj., fillova ta shkruaj këtë libër.

Vizita e parë zyrtare e Ibrahim Rugovës në Perën­dim më 14-18.02.1990 shënon një çast të rëndësishëm his­torik drejt përshpejtimit dhe fuqizimit të procesit të rindërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës. Për më tepër, në kombinim me ndryshimet gjeopolitike (shem­bjen e murit të Berlinit etj.), procesi i rindërkombëta­rizimit të çështjes së Kosovës, dhe procesi i themelimit, organizimit ushtarak, logjistik, politik dhe diplomatik i UÇK-së, si dy procese komplementare (pavarësisht prej disa divergjencave në mes të protagonistëve të këtyre dy proceseve), dhe sidomos sakrificat e heronjve, dësh­morëve dhe viktimave të luftës, e imponuan çështjen e Kosovës për zgjidhje në kuadër të agjendës ndërkom­bëtare, që rezultoi edhe me intervenimin ajror të NATO-s dhe çlirimin përfundimtar të Kosovës.

Rrjedhimisht në këtë libër shtjellohen kompleksiteti, divergjencat dhe komplementariteti i këtyre dy proce­seve, por kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht arri­tjen e ndriçimit të një të Vërtete të plotë (me V të madhe) të këtyre dy proceseve. Pa u futur në debatin shkencor (në lidhje me ontologjinë, epistemologjinë dhe metodo­logjinë në mes të pozitivistëve, postpozitivistëve etj.), konsideroj se shumica e studiuesve në kuadër të shken­cave shoqërore pajtohen se nuk mund të flitet për të Vërtetat e plota (me V të madhe), por vetëm për të vërtetat konkurruese dhe përmbushëse drejt ndriçimit (më pak dhe më shumë) të vërtetës më të madhe në lidhje me një temë të caktuar studimore. Madje në kuadër të lëmenjve të tjerë, për shembull, një teolog do të mund të thoshte se pikërisht për shkak se në këtë botë nuk është i mundshëm ndriçimi i plotë i të vërtetave, ekzi­ston domosdoshmëria e ditës së gjykimit (në kuptimin e ndriçimit të të vërtetave të plota) për të gjithë.

Megjithëkëtë, unë jam përpjekur të jem sa më i për­gjegjshëm gjatë shtjellimit të kësaj teme (duke u bazuar pjesërisht edhe në disa dokumente nga arkivi), me qëlli­min që, së paku, të jap një kontribut në kuptimin e një përmbledhje thelbësore, si bazë/pikënisje për studime të mëtutjeshme të kësaj teme, në mënyrë që studiuesit e gjeneratave të ardhshme nga një distancë kohore më e favorshme dhe mundësi më të favorshme për qasje në dokumente relevante do të mund ta ndriçojnë edhe më shumë këtë temë studimore, e cila, aq sa është delikate, po aq është e rëndësishme për historinë politike të Kosovës, në përgjithësi për historinë kombëtare shqiptare etj.

Ku gjendet ky libër?

Librin “Ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës drejt zgjidhjes, para dhe pas shembjes së murit të Berlinit: analizë & dokumente” sot mund ta gjeni në librarinë “Artini” në Prishtinë (në objektin e Institutit Albanologjik), kurse që nga nesër edhe në librarinë “Dukagjini”. /Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Einxhel Shkira dhe Dj Dagz kanë qenë në qendër të…