Lekaj inspekton punimet për zgjatjen e pistës së aeroportit

19 tetor 2018 | 13:45

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka realizuar të premten një vizitë inspektuese në punimet e zgjatjes së pistës së Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”.

Me këtë rast, kryeshefi ekzekutiv i ANP “Adem Jashari”, Haldun Firat Kokturk, e ka informuar në mënyrë të detajuar ministrin Lekaj për punimet që janë duke u realizuar në këtë projekt.

Pista e ANP “Adem Jashari” do të zgjatet nga 2500 metra sa është momentalisht, në 3000 metra dhe pritet të përfundojë dimrin e vitit të ardhshëm.

Vlera e projektit për zgjatjen e pistës është rreth 34 milionë euro.

Këtë vit janë ndarë 2.1 milionë euro, për vitin 2019 do të ndahen 10 milionë euro, kurse për vitin 2020 do të ndahen rreth 21 milionë euro.

Ministri Lekaj duke iu adresuar medieve, ka thënë se punimet janë duke u realizuar me intensitet të lartë dhe pret që ato të përfundojnë me kohë.

Ai ka shprehur bindjen se që nga viti i ardhshëm, Aeroporti “Adem Jashari” do të jetë më atraktiv, më i sigurt dhe do të konkurrojë me aeroportet më të zhvilluara të Evropës.

Zgjatja e pistës së ANP “Adem Jashari” do ta rritë nivelin e sigurisë nacionale, duke ia mundësuar çdo fluturakeje të aterojë në rast të fatkeqësive, konflikteve të armatosura apo fatkeqësive natyrore.

Njëkohësisht, ky investim do të evitojë humbjet financiare si dhe plotëson kriteret e Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO), si dhe të Agjencisë Evropiane të Sigurisë së Aviacionit.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anxhelina Hadergjonaj ka publikuar imazhe të reja në llogarinë e…