Lekaj paralajmëron protesta kundër Kurtit
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka paralajmëruar protesta të mëdha kundër qeverisë, nëse ajo provon që ta zbatojë Asociacionin e Komunave Serbe me kompetenca ekzekutive.
Lekaj ka thënë se për AAK-në i pranueshëm është vetëm një asociacion pa kompetenca ekzekutive.
“Ne mendojmë që mund të ketë asociacion pa kompetenca ekzekutive. Mund të mblidhen disa komuna që mbrojnë interesat e komunave, por një asociacion me kompetenca ekzekutive, s’e përkrahim. Nëse vjen deri aty, edhe protesta, edhe veprime politike, gjithçka do të bëjmë që të mos lejojmë një asociacion të tillë”, ka deklaruar ai në “dPt te Fidani”.
Lekaj ka thënë se Kurti ka ndryshuar rrënjësisht pas ardhjes në pushtet.
“Po çuditem, a është ai Kurti i njëjtë, apo ka ndryshuar rrënjësisht dhe negativisht. Si mund ta quash një kryeministër që dikur e kundërshtonte fuqishëm marrëveshjen me Serbinë, tani marrëveshjen për ‘Elektroseverin’ e legjitimon”, ka deklaruar Lekaj.



