Lekaj përkrah amnistimin e deputetëve që kanë hedhur gaz lotsjellës

05 janar 2018 | 17:26

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, i cili mban edhe postin e ministrit të Infrastrukturës në qeverinë Haradinaj, ka komentuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë ku ka shpallur fajtorë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje për hedhjen e gazit lotsjellës.

Lekaj i cili është i akuzuar për hedhjen e gazit lotsjellës, ka thënë për “Epokën e re” se vendimi i gjykatës për deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, sepse sipas tij ata e kanë dhënë betimin për ta mbrojtur territorin dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.

“Prandaj ata me atë veprim nuk kanë bërë diçka për veten e tyre, por që veprimet e tyre kanë qenë për të mirën e vendit. Këtë e ka vërtetuar edhe Gjykata Kushtetuese me vendimin për asociacionin e komunave me shumicë serbe. Po ashtu, edhe komisioni i ri për demarkacionin, i formuar nga qeveria, ka sjellë fakte të reja që tregojnë se marrëveshja për demarkacionin është gabim. Prandaj, nëse nisemi nga këto fakte, mendoj se pa të drejtë është marrë një verdikt i tillë nga gjykata për t’i dënuar deputetët”, ka thënë Lekaj.

Në këtë kontekst, Lekaj ka mirëpritur iniciativën për miratimin e një Projektligj për Amnisti për deputetët që akuzohen për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend.

“Mendoj se vetëm ka filluar procedura për hartimin e Projektligjit për amnisti të këtyre deputetëve dhe, si të tillë, e konsideroj të drejtë. Jo pse unë jam i akuzuar për këtë çështje, por mendoj se veprimi i deputetëve në atë kohë ka qenë për ta mbrojtur interesin e Kosovës. Ne kemi bërë veprimin më të mirë të mundshëm për ta mbrojtur territorin e vendit dhe për ta mbrojtur Kushtetutën e vendit. Kjo procedurë e ndjekur nga deputetët për amnisti është e drejtë”, ka thënë Lekaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur të…