Letër engjëllit tim mbrojtës, II, III, IV dhe letër jetës

30 korrik 2020 | 14:40

Ragip Sylaj

LETËR ENGJËLLIT TIM MBROJTËS, II

Jam porsi një fëmijë,
që s’ka të drejtë me qa
Michel Houellebecq

Po të shkruaj sërish letër Engjëlli Im Mbrojtës
Për ankthet e mia për fatin ndrojtës
Për shqetësimin tim të papajtueshëm me veten
Për pakënaqësinë me arritjet
Për pakënaqësinë me jetën

Po të shkruaj letër Engjëlli Im Mbrojtës
Letër që s’di nëse mund të preket
Nëse arrin në adresën tënde
Por për ta dërguar ngulmueshëm rrekem

Të dëshmoj për frikën time
Dhe mosdashurinë njerëzore
Të dëshmoj për vuajtjen time
Dhe mëshirën qiellore
Të dëshmoj për dhembjen
Dhe burimet e saj
Të dëshmoj për pasigurinë e ekzistencës
Që më shtyjnë në dënesje në vaj

Po të shkruaj letër meditimi
Nga aso letrash që ti i merr rrallë
Që bart mesazhe tokësore
Si në jetë si në përrallë
Që bart mesazhe kozmike
Si në valë interneti
Që sillen gjithësisë e kthejnë te planeti
Po të shkruaj letër përgjëruese
Plot mirësi e ndjesë
Plot devotshmëri për Krijuesin
Që të më mbushësh me të ardhme
Të më mbushësh me shpresë

Pastaj shpresa e pashpresë
M’vjen si këngë e m’vjen si brengë
Vjen një shtegu të panjohur
Herë si gaz e herë si lëng
Që s’shihet me sy që s’preket me dorë
Ky ilaç hyjnor

Andaj çoji Zotit fjalë
Të më lirojë nga errësira e ferrit
Të më lirojë nga hidhësia e vrerit
Të ma vesh qenien me dritë
Në çaste angështie
T’mos më lërë pa zemër
T’mos më lërë pa shpirt
Çoji Zotit fjalë
Të më çlirojë nga hidhërimet
Të më shërojë nga pikëllimet
Të më çlirojë nga mallkimet
E të m’i qetësojë ngashërimet

Çoji Zotit fjalë të lutem
Të mos më lërë pa fjalë kur më duhet urtia
T’mos më lërë pa bukën e shpresës
Kur t’na kaplojë uria
Mos t’na errësohet e sotmja
Shëromë nga frika me të shenjtën dritë
Dhe nga terri i etheve që banon në shpirt

Çoji Zotit fjalë prandaj
Të më lirojë nga energjia negative
Dhe nga demoni i prapësisë
Të ma falë përndritjen
Të më vendosë në qendër të harmonisë
Pranë hyjneshës së dashurisë
Në zemrën e hijeshisë

(Tetor 2016)

LETËR ENGJËLLIT TIM MBROJTËS, III

Sidoqoftë unë mund të shkruaj lirika moderne
Por tani është tepër vonë të shpik gjëra që nuk ekzistojnë
Si për shembull lumturia
Frederik Rreshpja

I.
Engjëlli im Mbrojtës tregomë:

Si të dal nga burgu
Rrethuar muresh akulli

Si të dal nga zgafellja
Rrethuar muresh avulli

Si të dal nga humbella
Rrethuar muresh t’padukshme

Si të dal nga kurthi
Rrethuar muresh qelqi

Si të dal nga barrikadimi
Rrethuar muresh mentale

Si të dal nga burgu
Rrethuar muresh marrëzish

II.
Si të dal nga burgu
Prej muresh që i ngreha vetë

Si të dal nga bunkeri
Prej muresh që m’i ndërtuan të tjerët

Si të dal nga tuneli
Që e bëra pa plan

Si të dal nga shpella
Nga ky projekt absurdi

Më thuaj Engjëlli im Mbrojtës
Si ta shemb burgun brenda vetes

III.
Engjëlli im Mbrojtës kallëzomë:

Si të dal nga burgu i kujtesës
E t’hyj në zemrën e harresës

Si të dal nga zgafellja e frikës
E t’hyj n’sheshin e shpresës

Si të dal nga tuneli i ankthit
E t’hyj n’kopshtin e ngazëllimit

Si të dal nga humnera e mëkatit
E t’hyj n’tempullin e devocionit

Si të dal nga kurthi i urrejtjes
E t’hyj n’breroren e dashurisë

IV.
Si ta shembi burgun brenda vetes
Si ta zhbëj zgafellen brenda të tjerëve

Si ta rrënoj tunelin brenda të pasurve
Si ta dendësoj shpresën brenda të mjerëve

Si të shfajësohem para engjëllit e para djallit
Para trimit e para avdallit

Si të shfajësohem para t’Pafundmit
Para banorit t’kozmosit e t’katundit

Si të shfajësohem para jush e para mëkatarëve
Para atyre të fundit e të parëve

Si ta fitoj pafajësinë e hyjnueshme
Atë më të lirën e më të kushtueshmen

Më kallëzo Engjëlli im Mbrojtës!

(Tetor – nëntor 2016)

LETËR ENGJËLLIT TIM MBROJTËS, IV

(…) pus vreri jam, në vrer i mbytur
Felix Luis Viera

Engjëlli im Mbrojtës
Po t’shkruaj nga mikrokozmosi im
Nga ngushtica e quajtur Jetë:

Më mbroj nga shtërpinjtë helmues
Më ruaj nga bishat e çartura
Më çliro nga hienat
Largomi butakët mutakët
Mbro(j)më nga radioaktiviteti i fjalëve
Rua(j)më nga fjalët e egra dhe nga egërsia e fjalës
Më mbroj nga miqtë e rremë që gjithmonë janë me
tepricë
Ndriçomë në eklipsin e dashurisë
Dhe nga errësira e thellë e gjakut –
Nga antimateria hyjnore!

(3 nëntor 2016)

LETËR JETËS

Pata dashur t’i shkruaja Letër Vdekjes, por më duket se pata harruar që së pari e së fundi duhet çuar Letër Jetës.
E dashura Jetë, ti krijuesja ime, nuk e kemi çuar bash mirë njëri me tjetrin. Më ke ardhur shpeshherë e rëndë dhe padrejtësisht të kam përbuzur. Vetëm tash kur vjen koha të ta kthejmë shpinën e shohim sa e bukur dhe e mrekullueshme paske qenë. Ndoshta paskam gënjyer se nuk të doja, sepse kur isha në gjendje të keqe rrokesha pas teje si i mbyturi për shkume. Ti ishe foleja ime, fryma ime, blerimi dhe lulëzimi i vërgjilltë i Nënës Natyrë. Unë isha vetëm pseudo heroi yt, që me fjalën e bukur e luftonte të keqen dhe mendonte e shestonte ta ndërtonte kalanë e mirësisë. Kisha harruar se unë isha fëmija yt dhe me ty sillesha si fëmija i pasjellshëm me Nënën. Ah, vetëm unë e di sa të kam lënduar! Tash e kam kuptuar se ne kurrë nuk mund të të duam aq sa na do Ti neve. Oh, ti na fal gjithmonë për gabimet tona, siç na fal e shtrenjta Nënë!
Ti më ke ushqyer kur kam qenë i uritur, ti më ke dhënë ujë kur kam qenë i etur, ti më ke veshur kur kam mbetur i zhveshur, ti më ke mbrojtur kur më ka sulmuar e keqja, ti më ke gëzuar kur më ka kapluar trishtimi.
Por, edhe kam kënduar për t’u liruar nga hidhësitë tua dhe për ta prekur shpeshherë edhe anën tjetër tënden. Ah, sa plagën ma ke shëruar e ma ke mbyllur, sa dhembjen ma ke larguar e sa lumturinë ma ke sjellë. Të kërkoj ndjesë e dashura Jetë, por me të dashtë Ty gjithmonë kam menduar se është dobësi, se është egoizëm, madje edhe marrëzi…
Ti je bukuria e bukurive dhe dashuria e dashurive, mirësia e mirësive dhe kënaqësia e kënaqësive të pafundme. Ti je misteri i ekzistencës sonë. Ti je nëna e botës dhe trashëgimtarja jonë. Ah jetë, o jetë, ndoshta duke menduar se të urreja, pavetëdijshëm të paskam adhuruar!
E di se nuk po e zbuloj Amerikën e as ndonjë gjithësi tjetër, por nëse s’kam ditur ta bëj e ta them në fillim, po them më në fund: Lavdi Jetës!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këshilli Evropian emëroi diplomatin çek, Tomash Szunyog, në postin e…