Letra e deputetëve britanikë për Serbinë, thirrje e fuqishme për ripozicionim strategjik dhe për mbrojtje të vlerave demokratike!

14 maj 2025 | 21:04

Vlora A. R. Jashanica

Grupi prej 26 deputetësh të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, të cilët ditë më parë drejtuan letrën e hapur Sekretarit të Jashtëm të Shtetit, duke kërkuar ndryshim thelbësor të qasjes së politikës së jashtme britanike ndaj Serbisë, nuk është vetëm një reagim deklarativ!

Pas pjesëmarrjes së presidentit Aleksandar Vuçiq në parakalimin ushtarak në Moskë më 9 maj, Mbretëria e Bashkuar po bën një hap tjetër dhe ndryshe nga të tjerët!

Pjesëmarrja e Serbisë, në një datë simbolike në Rusi, ka “vulosur” publikisht orientimin gjeopolitik të Beogradit për të gjitha palët që kanë pritur ndryshim strategjik të politikave Serbe, përndryshe nuk është asgjë më shumë as më pak veçse një rikonfirmim publik i politikave në linjë të plotë me Rusinë!

Reagimi nga parlamentarët britanikë nuk është thjesht veprim simbolik diplomatik, por një pozicionim strategjik dhe moral që reflekton përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar për mbrojtjen e paqes, sigurisë dhe demokracisë në një kohë kur këto vlera po sfidohen në mënyrë të hapur nga regjime autoritare.

Në një botë gjithnjë e më të polarizuar, heshtja përballë autokracive nuk është neutralitet, por bashkëpërgjegjësi. Mbretëria e Bashkuar nuk është pjesë e heshtjes, sepse nuk ishte kurrë!

Mbretëria e Bashkuar ka qenë tradicionalisht faktor kyç në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Ballkan, që nga ndërhyrja kundër spastrimit etnik në Kosovë, deri te angazhimi diplomatik dhe paqeruajtës në dekadat pasuese.

Ky angazhim nuk është vetëm rajonal, por pjesë e një spektri më të gjerë të politikës së jashtme britanike, që mbështet sistemin ndërkombëtar të bazuar në rregulla, ku promovohet liria dhe luftohen ndikimet autoritare, kudo që shfaqen.

Sot, ky rol po merr edhe më shumë peshë në kontekstin e agresionit rus në Ukrainë, pastaj në përpjekjet e mëdha për destabilizim në Ballkan dhe minim të institucioneve demokratike në disa vende të rajonit, përfshirë Kosovën, Shqipërinë, Bosnjën e Hercegovinën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Mbretëria e Bashkuar është mburojë për këto vende, sepse tendencat për tu minuar këto shtete kanë qenë dhe janë prezent.

Mbretëria e Bashkuar është mburojë, nga Kosova, ku Mbretëria e Bashkuar ka qenë ndër mbështetësit më të vendosur të pavarësisë dhe sigurisë së Kosovës, deri te Shqipëria, e cila ka përfituar nga partneriteti në luftën kundër korrupsionit dhe në reformimin e drejtësisë.

Tutje në Maqedoninë e Veriut, Mbretëria e Bashkuar ka kontribuar në rrugën drejt NATO-s dhe ruajtjen e stabilitetit të brendshëm ndër-etnik.

Në Mal të Zi, ka ndihmuar shtetin në përballjen me ndikimet e huaja dhe në mbrojtjen e rendit kushtetues.

Në Bosnjë dhe Hercegovinë, Mbretëria e Bashkuar ka qenë dhe mbetet një zë i fuqishëm për ruajtjen e sovranitetit shtetëror dhe ka mbështetur funksionimin institucional përballë tendencave separatiste.

Ndërkohë, në Kroaci dhe Slloveni, Mbretëria e Bashkuar ka ndërtuar një bashkëpunim të thelluar në fushat e mbrojtjes, sigurisë dhe partneritetit ekonomik, duke ndihmuar në ruajtjen e qëndrueshmërisë rajonale.

Për të gjitha këto shtete dhe të tjerat, brenda apo jashtë BE-së, Mbretëria e Bashkuar nuk është thjesht një partnere por një aleate strategjike, një mbështetëse e lirive themelore dhe një garantuese e paqes afatgjatë.

Vendet e Ballkanit dhe disa vende të Bashkimit Evropian, duhet ta kuptojnë rolin thelbësor të Mbretërisë së Bashkuar në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe rendit demokratik në kontinent.

Ky rol nuk është simbolik, është historik, strategjik dhe i pazëvendësueshëm.

Të mos kuptohet ky realitet do të thotë të mos kuptohet vetë arkitekturën e sigurisë evropiane.

Për ne në Ballkan, reagimi i deputetëve britanikë është më shumë se një mesazh politik.

Është një garancion moral që demokracia nuk do të lihet në mëshirë të interesave afatshkurtra apo kalkulimeve gjeopolitike.

Është një rikujtim se vendet që përqafojnë demokracinë nuk janë të vetme dhe se aleanca e vendeve të lira mbetet vigjilente, aktive dhe shumë e përkushtuar.

Në një kohë kur regjimet autokratike po përpiqen të zgjerojnë ndikimin e tyre përmes presionit politik, dezinformimit dhe aleancave strategjike, qëndrime të tilla nga Mbretëria e Bashkuar nuk janë vetëm të mirëpritura por janë thelbësore për të ndryshuar diskurset.

Këto qëndrime janë edhe shembull udhëheqës për komunitetin ndërkombëtar, sepse vetëm përmes veprimeve të qarta dhe parimore mund të mbrohen paqja, siguria dhe stabiliteti në rajon dhe më gjerë.

Deklaratat për stabilitet nuk mjaftojnë, nuk kanë mjaftuar kurrë, po të mjaftonin situata do ishte ndryshe jo çfarë është.

Janë pikërisht veprimet ato që vënë në lëvizje proceset!

Mbretëria e Bashkuar ishte dhe mbetet mburojë për vendet në Rajon dhe më gjerë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, ka reaguar ndaj…