Letrat e burgut si rrëfime letrare
Sadik Krasniqi
Martin Çuni, Lulet e jetës, Shkrola, Prishtinë, 2018
Shumë na ka rënë të dëgjojmë rrëfime të të burgosurve e të lexojmë letra të burgut. Na ka rënë shumë të dëgjojmë e të lexojmë të tilla gjëra, ngaqë shumë ka pasur të burgosur politikë në regjimin, shtetin e sistemin komunist të Jugosllavisë. Një ndër ta është poeti, shkrimtari e, para së gjithash, atdhetari i madh Martin Çuni.
Rrëfimi i Martin Çunit për jetën në burg është shumë i veçantë, është i qartë, pa ndonjë emfazë dhe tejet i dinjitetshëm si vetë qëndrimi i tij shumëvjeçar në burgje. Ky dinjitet njerëzor, intelektual, edukativ dhe estetik përçillet edhe në letrat e këtij libri. Tashmë në letërsinë shqipe kemi disa libra me tematikë nga burgu.
Vetë ambienti, rrethanat, atmosfera e burgut sikur determinojnë titujt uniformë të këtyre librave, sidomos të atyre librave që janë shkruar në formë letre.
Andaj edhe ky libër hipotetikisht do të emërohej si letra nga burgu, letra nga qelia, letra nga vetmia, letra nga errësira apo edhe letra nga vetë ferri, ngaqë i tillë ishte burgu politik, por ky krijues na befason me një titull aq të bukur e metaforik Lulet e jetës.
Në Lulet e jetës janë të përfshira letrat autoriale dërguar fëmijëve të tij, Agronit e Teutës. Këto letra janë të ndryshme dhe kanë shumësi kuptime. Duke qenë se kanë vulën e kohës së viteve nga maji 1983 deri në gusht 1989 dhe të vendeve, burgu i Prishtinës, i Prokupjes e i Nishit, këto letra kanë vlerë dokumentariteti. Shumëkuptimësia e tyre qëndron edhe në nuancat edukative, informative, arsimore dhe estetike. Ky variacion shkrimor del i tillë ngaqë janë shkruar nga prindi, mësuesi, gazetari e shkrimtari Martin Çuni. Prindërorja në këto letra është e ndjeshme, e përmallshme dhe nostalgjike: Agron, fotografitë tuaja i kam marrë, u gëzova shumë kur ju pashë të fotografuar bukur. Shpesh po i shikoj ato fotografi të bukura, vërtet të bukura. More, ishit rritur e bërë të mëdhenj, shprehet në një nga letrat e dërguara bijve apo “luleve të jetës”, si i quan Martini fëmijët që rriteshin pa i parë. Elementi edukativ e arsimor për njohuri të reja përcillet përmes shembujve dhe këshillave nga shkenca dhe nga përvoja, që përshkruhen në këto letra dedikuar dy fëmijëve. E bukura e të shkruarit të këtyre letrave me stil të lartë, gjuhë të pasur e të figurshme me një strukturë të qartë e të kujdesshme sintaksore i bën këto të jenë letra me vlerë të lartë estetike, e si të tilla të lexohen si letërsi. Letrat e këtij libri janë letra të ndryshme, përgjithësisht komunikuese, por në mesin e tyre hasim edhe rrëfime si përrallë, si anekdotë, apo edhe si përshkrim situatash e përjetimesh nga vetë autori.
Martin Çuni i ndërlidh këto forma rrëfimesh, i vetëdijshëm që letrat e tilla kontrolloheshin nga organet e burgut. E ky për të dërguar mesazhe që nuk duhej hetuar nga censura e hekurt e burgut, mjeshtërisht përdorte variante të tilla alegorike. Në një letër shprehet kështu: Si ju thashë më parë sorrat e kumritë janë në armiqësi të përbetuar. Ndodh shpeshherë të grinden mes tyre. Megjithëse janë të urta, kumritë nuk dorëzohen. Padyshim se me sorra aludonte pushtuesit e me kumritë rezistencën shqiptare. Të tillë simbolikë me aludime gjejmë shpesh në letrat e këtij libri. Poetika e këtij libri është mjaft e pasur, me figura të ndryshme letrare që më së shpeshti e luajnë rolin e metaforës si: zogu i lirë, pranvera e bukur, cicërimë e ëmbël, lejlek me fletë, psherëtima e lumit, krahët e dritës e shumë të tilla.
Se e bukura qëndron në origjinalitet e jo në stisje, dëshmon edhe ky libër që lexuesit i shfaqet ashtu spontan si letër e shkruar në formë prozë/poezie, dorëshkrimi ilustruar me peizazhe, fragmente nga qyteti e portrete të vizatuara nga vetë autori dhe shokët e tij të burgut. Duke e lexuar me vëmendje këtë libër, si të gjithë librat e këtij autori, sidomos ato të shkruara në burg dhe me temë burgu, më kujtohet një sugjerim që i bëra këtij miku tim të veçantë, se duhet shkojë shpeshherë në atë burg, jo fizikisht, por me kujtime, se nga kujtimet e tilla mund të shkruhet letërsi e bukur. Bodleri thotë: “Kujtimi është një palimpest”. Të rishkruarit mbi palimpest është gjithmonë një letërsi e veçantë dhe e bukur siç është libri Lulet e verës.



