
Let’s Do It shpall vullnetarët e dalluar të vitit 2020
Në Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarëve, Let’s Do It shpalli vullnetarët e dalluar të vitit 2020.
Përzgjedhja e këtyre vullnetarëve është bërë në bazë të angazhimit të tyre vullnetar në aktivitete për ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit, si dhe në aktivitete humanitare e të tjera që lidhen me luftën kundër pandemisë Covid-19 të cilat janë zhvilluar që nga fillimi i pandemisë në vendit tonë në kuadër të Grupit “Vullnetarët/Volunteers Covid-19” të inicuar nga Let’s Do It.
Vullnetarët e vitit 2020, të shpallur nga organizata Let’s Do It, si njëra ndër organizatat më të mëdha në vend që promovon punën vullnetare, janë këta: Miranda Veseli, Ridvan Tahiri, Mihana Goga Bekteshi, Endrit Januzaj, Valbona Mazreku, Agron Murseli, Arjeta Maka, Burim Qarri dhe Albert Mulaj.
Me këtë rast, këta vullnetarë pranuan vlerësime dhe falënderime për punën e palodhur të tyre.
Përveç falënderimit për vullnetarët, Let’s Do It Kosova kërkoi edhe njëherë nga institucionet përgjegjëse që puna e vullnetarëve të njihet edhe me ligj, në mënyrë që të krijohet një ambient më i favorshëm për zhvillimin e vullnetarizmit në Kosovë.
Në Ligjin për Vullnetarizmin, vullnetarëve duhet t’u lejohet angazhimi në aksione, të njihet kontributi i tyre, si dhe të përcaktohen të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre.
“Ju bëj apel institucioneve tona që të jenë më të angazhuara në përkrahje të vullnetarëve, ky kontribut duhet të njihet dhe vlerësohet prej institucioneve. Të mblidhemi të gjithë së bashku dhe ta gjejmë një mënyrë për t’i motivuar vullnetarët, por edhe të tjerët që t’i bashkëngjiten”, kështu u shpreh drejtori ekzekutiv i Let’s Do It, Luan Hasanaj.
Dita Ndërkombëtare e Vullnetarizmit është vendosur nga Asambleja e Kombeve të Bashkuara në vitin 1985.
Qëllimi i kësaj dite është të falënderohen vullnetarët për përpjekjet e tyre në komunitet dhe për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për të kontribuar në shoqëri.