Lëvizja Studentore e ’97-s i dha shpirt UÇK-së

01 tetor 2020 | 11:07

23 vjet nga protesta studentore e 1 tetorit e vitit 1997

Lëvizja Studentore e ’97-s është vlerësuar krahu intelektual i lëvizjes çlirimtare i Kosovës nga historianët e njohur të Kosovës. Në 23-vjetorin e protestës studentore të 1 tetorit të vitit 1997, profesorët universitarë të historisë, Muhamet Mala dhe Ibrahim Gashi, kanë thënë për “Epokën e re” se ndikimet e kësaj ngjarje ishin të mëdha në rrjedhat e proceseve të mëvonshme politike. Ata kanë deklaruar se kjo lëvizje solli një kthesë historike në procesin e lëvizjes për çlirimin e Kosovës.

Profesor Muhamet Mala ka vlerësuar se Lëvizja Studentore e ’97-s ishte krah intelektual i lëvizjes çlirimtare. “Në përvjetorin e 23-të të Lëvizjes Studentore, mendoj se kjo lëvizje ka qenë një krah intelektual i lëvizjes çlirimtare e cila kishte filluar shumë më herët. Në fakt, lëvizja çlirimtare në Kosovë çdoherë i ka pasur dy komponentë. Komponenti i parë ka qenë një lloj rezistence ushtarake që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore në kohën e lëvizjes nacional demokratike çlirimtare. Në këtë kuptim ajo ka vazhduar në vitin 1968 me protesta dhe më 1981 po ashtu, për të ardhur deri te lëvizja studentore, e cila e ka plotësuar këtë lëvizje”, ka thënë Mala.

Ai ka vlerësuar se kjo lëvizje ishte revolucionare në kuptimin pozitiv të fjalës. “Kjo lëvizje ishte revolucionare në kuptimin pozitiv të fjalës, mirëpo i mungonte edhe krahu intelektual. E krahu intelektual është pikërisht ajo forca lëvizëse e cili e ka çuar këtë proces përpara”, ka thënë ai.

Sipas historianit Mala, ndikimi i kësaj ngjarje në proceset e mëvonshme ishte i madh. “Mendoj se Lëvizja Studentore i ka dhënë shpirt edhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u ka dhënë shpirt të gjitha proceseve të tjera historike në kuptimin pozitiv të fjalës. Pra, sistemi i funksionimit të lëvizjes çlirimtare në Kosovë ka qenë komplementar dhe plotësues. Në njërën anë, një krah i fortë ushtarak dhe, në krahun tjetër, ai intelektual. Pa bashkimin e këtyre dy elementeve nuk kemi mundur të arrijmë aty ku jemi sot. E pikërisht elementi i Lëvizjes Studentore ka qenë ai që e ka zgjuar dhe i ka dhënë një impuls kësaj lëvizje”, ka deklaruar profesori Mala.

Sipas tij, Lëvizja Studentore e ’97-s solli ide dhe ideale të reja në rrugën e çlirimit të Kosovës. “Ndikimet e kësaj ngjarje kanë qenë shumë të mëdha, sepse kuptohet se Lëvizja Studentore e përbën atë elementin më elitar të secilës shoqëri, sepse janë gjenerata të reja të cilat kanë sjellë frymë të re, kanë sjellë ide dhe ideale të reja. Në këtë kuptim padyshim se Lëvizja Studentore është një kthesë historike në procesin e lëvizjes çlirimtare të Kosovës”, ka vlerësuar Mala.

Profesori tjetër universitar i historisë, Ibrahim Gashi, ka folur për “Epokën e re” për ndikimet e kësaj ngjarje. Ai ka deklaruar se protesta e 1 tetorit e vitit 1997 ka shënuar fundin e lëvizjes paqësore. “Protesta studentore e vitit 1997 është një ngjarje e shënuar në historinë më të re të Kosovës. Kjo dhe këto protesta kanë lëvizur procesin e lëvizjes për çlirim dhe pavarësi të vendit një hap më tutje. E them kështu sepse këto protesta shumica e autorëve perëndimorë i konsiderojnë si fundin e lëvizjes së rezistencës paqësore”, ka thënë Gashi. Ai ka deklaruar se pas këtyre protestave fillon të dalë në plan të parë lëvizja aktive, lëvizja e armatosur për çlirimin e Kosovës. “Në fakt, autori Hovert Clark protestën e 1 Tetorit e quan si fundin e veprimit joviolent. Sipas tij, protesta shpërfaq në njëfarë mënyre dështimet e lëvizjes paqësore për ta çuar përpara çështjen e Kosovës. Pra, pas këtyre protestave fillon të dalë në plan të parë lëvizja aktive, pra lëvizja e armatosur për çlirimin e Kosovës”, ka thënë Gashi.

Edhe protagonistët e protestës studentore të 1 tetorit të vitit 1997 e kanë vlerësuar këtë ngjarje shumë të rëndësishme në historinë më të re të Kosovës. Në  përvjetorët e tjerë ata kanë vlerësuar se Lëvizja Studentore ka arritur qëllimin, duke ngritur një popull të tërë të pasivizuar e të pashpresë.

Ish-kryetari i Lëvizjes Studentore, Bujar Dugolli, pati thënë se studentët me protestat e tyre arritën t’ia kthejnë shpresën popullit të Kosovës. “Kush do të besonte se rruga tatëpjetë e lagjes Velania në Prishtinë do të ishte vendi që do ta thyente heshtjen tonë e do të fillonte zëri që do të dëgjohej gjithandej. Rezistenca filloi, heshtja u thye, kthesa u arrit”, ka shkruar ai. Sipas Dugollit, kjo protestë e ngriti popullin e pasivizuar. “Brezi studentor i ’97-s ka arritur qëllimin, duke ngritur një popull të tërë të pasivizuar e të pashpresë, duke ia kthyer popullit shpresën dhe besimin se gjërat mund të bëhen dhe duhet të bëhen, por ky brez edhe sot, sikundër edhe brezat e tjerë, ka se çfarë t’i japë Kosovës dhe institucioneve të saj në të gjitha sferat. Dëshmi është koha, 1 tetori është garancia”, ka kishte thënë Dugolli.

Edhe Albn Kurti, protagonist i kësaj lëvizje, ka vlerësuar se ndikimi i kësaj proteste në rrjedhat e proceseve ishte i madh. “1 tetori e kishte një element gjenerik për të cilin ne studentët nuk ishim të vetëdijshëm. Ishte edhe përshpejtues i çlirimit. Gjithçka filloi të ecë dhe të lëvizë më shpejt”, pati deklaruar Kurti.

Edhe dy protagonistët e tjerë të Lëvizjes Studentore, Muhamet Mavraj dhe Driton Lajçi, në çdo përvjetor kanë theksuar se organizimi studentor i ’97-s ka pasur efekt shumëdimensional dhe ka qenë një mesazh për ta zgjuar nga gjumi klasën e atëhershme politike. “Në aspektin njerëzor është mbytur frika, kurse në aspektin politik gjërat kanë lëvizur nga vendi. Ka qenë një mesazh për t’i zgjuar nga gjumi edhe strukturat e atëhershme politike. Ka qenë edhe një largim i frikës, mjegullës dhe paqartësive të kohës kur Kosova ndodhej në një okupim klasik, në një shkelje të vrazhdë të të drejtave të njeriut, në dhunë të përditshme individuale dhe masive nga forcat policore, ushtarake dhe administrata e dhunshme e instaluar në territorin e Kosovës”, është shprehur Driton Lajçi.

Ndërkaq Muhamet Mavraj ka thënë se me këtë datë ndahen epokat e Kosovës. “Nga politika pasive, gradualisht kalohet në rezistencë aktive. Pra, Lëvizja Studentore është fazë e ndërmjetme e dy politikave të kundërta, një fazë kalimtare. Kështu, hap pas hapi, shkuam edhe drejt luftës çlirimtare dhe fundit të sundimit të Serbisë në Kosovë. Ky fund është rezultat, gati njëshekullor, i brezave tanë. Më 1 tetor është mposhtur frika e Kosovës, ka rënë miti i frikës dhe secili shqiptar është ndier mirë, më solidar me tjetrin. Me një fjalë, u rikthye vlera tradicionale. Përvjetorët e 1 tetorit ushqejnë një impuls krenarie, natyrisht, por na bëjnë t’i kujtojmë shumë shokë tanët dëshmorë”, ka thënë Muhamet Mavraj.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka pritur sot në takim…