Libani i shkatërruar, dikur krahasohej me Zvicrën

06 gusht 2020 | 23:48

Qytetarët e Bejrutit kanë shprehur pakënaqësi me zyrtarët libanezë, të cilët e pranuan se shpërthimi i fuqishëm, që ndodhi më 4 gusht, ka qenë i parashikueshëm dhe që zyrtarët e portit ishin paralajmëruar në disa raste se duhet të ruajnë në mënyrë të sigurtë ngarkesën me kimikatin: nitrat të amonit, që gjendej aty.

Nga shpërthimi kanë humbur jetën së paku 135 njerëz, janë plagosur mbi 4 mijë të tjerë dhe rreth 300.000 kanë mbetur të pastrehë.

Kërkimi i të zhdukurve që kanë mbetur nën rrënoja, ende po vazhdon. Ndërkohë autoritetet po përpiqen të normalizojnë jetën, edhe përmes ndihmave të premtuara nga vendet të ndryshme në botë.

Tragjedia që ndodhi në Bejrut, është e fundit në listën e gjatë të problemeve që ka Libani, pasi kriza politike dhe ekonomike e ka tronditur vendin për vite me rradhë.

Drejtori i Portit: E dinim për rrezikun, por jo si të tillë
Pasi u njoftuan detaje të hetimit, organet e drejtësisë urdhëruan arrest shtëpiak për zyrtarët e portit, të cilët kishin njohuri se materiali i rrezikshëm ishte ruajtur për gjashtë vjet, pa masat e duhura të sigurisë.

Presidenti i Libanit, Michel Aoun tha se arsyeja e shpërthimit ishin 2,750 tonë nitrat amoni, të ruajtura në mënyrë jo adekuate në depo.

Nitrati i amonit u shkarkua në port, më 2013 pasi mbërriti atje nga një anije ruse që kishte probleme teknike.

Kreu i portit të Bejrutit dhe shefi i administratës doganore iu tha mediave se ata disa herë u kanë shkruar organeve të drejtësisë, duke kërkuar që kimikatet të eksportohen, ose shiten, sepse porti nuk është i sigurt me një ngarkesë të tillë.

Drejtori i Përgjithshëm i Portit, Hassan Korajtem, tha se ata ishin të vetëdijshëm se materiali ishte i rrezikshëm “por jo në atë masë”.

Këshilli i Lartë i Mbrojtjes i Libanit insiston të shqiptohen “dënime maksimale” për ata që janë përgjegjës.

Ndërkohë, organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Amnesty International dhe Human Rights Watch (HRW) po kërkojnë që të zhvillohet një hetim i pavarur.

HRW tha se ekzistojnë “shqetësime serioze për aftësinë e gjyqësorit libanez për të kryer një hetim të besueshëm dhe transparent”.

Administrata libaneze shpalli një gjendje të jashtëzakonshme dy-javore në Bejrut, duke ia dorëzuar ushtrisë, kontrollin e sigurisë në kryeqytet.

Numri i vdekjeve ende nuk është përfundimtar, raporton REL.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra kampione e Kosovës në futboll, Drita nga Gjilani ka…