Libri befasues i një gjenerali të luftës

22 tetor 2018 | 13:59

Gjenerali mirënjohur i luftës së Kosovës, Kudusi Lama, javë më parë e nxori nga botim një libër të veçantë në përvojën e tij profesionale – një monografi kushtuar nënës së tij, Mihane Lama.

Promovimi i këtij libri do të bëhet më 24 tetor, në Institutin Albanologjik të Prishtinës, në orën 12:00.

Ky libër i rrallë, i shkruar nga një ushtarak karriere e gjeneral lufte, habit lexuesin për ndjeshmërinë që bartë dhe sidomos për kulturën e shkrimit.

Dr. Kudusi Lama rrëfen jetën e nënës së tij (Mihane Lama), e cila i kishte rritur me vuajtje dhe sakrifica shumë të mëdha dy fëmijët e saj të mbetur pa baba që në vegjëli të hershme (të cilët më vonë u bënë ushtarakë me nam).

Akademik Rexhep Qosja e ka vlerësuar si të veçantë e me vlerë librin e Kudusi Lamës, jo vetëm për përmbajtjen dhe përshkrimin e protagonistes, por edhe për faktin se ai është shkruar me një mjeshtri të rrallë nga një gjeneral.

“Kjo vepër e Kudusi Lamës është me ndikim të veçantë pedagogjik dhe duhet të lexohet e rilexohet, sepse lexuesi shqiptar sot ka nevojë për libra të këtillë”, ka shkruar Rexhep Qosja në parathënien e këtij libri.

Po ashtu, edhe prof. dr. Emil Lafe, ka shkruar se duke rrëfyer për nënën Mihane, Kudusi Lama e sjellë të gjallë jo vetëm figurën e nënës, por edhe një botë dhe një epokë.

“Ky libër nuk është thjesht një shprehje dashurie e një peng nderimi për nënën, por edhe një histori njerëzore e shoqërore me përmasa të një romani shumëplanësh”, ka shkruar Emil Lafe.

Kudusi Lama është autor i disa librave nga fusha e studimeve ushtarake dhe të sigurisë por, ai ia, gjithashtu, ka botuar edhe disa libra publicistikë. Karrierën profesionale e ka ndërtuar si oficer në Ushtrinë e Shqipërisë deri në gradën e gjeneralit.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka thënë se…