Libri “Bleibende Spuren” do të prezentohet për të dhjetën herë

28 shtator 2020 | 17:25

Lulëzim ETEMAJ

Shtëpia Botuese “Rotpunktverlag” ia ka botuar në fund të prillit të vitit të kaluar shkrimtares shqiptare me prejardhje nga Besiana e Kosovës, Basrie Murati-Sakiri, librin “Bleibende Spuren”. Libri ka gjetur jehonë të madhe si në mediat e shumta të Zvicrës, po ashtu dhe te publiku, i cili që nga fillimi ka shprehur një interesim të shtuar. Deri më tani këtij libri i janë bërë 9 prezantime, të organizuara nga institucione zvicerane në qytete dhe kantone të ndryshme të këtij shteti.

Shkaku i masave mbrojtëse për parandalimin e pandemisë Covid-19, organizatorët janë detyruar t’i shtyejnë për më vonë prezentimet e parapara të mbaheshin në muajt mars, prill, maj dhe qershor. Tani, me përmirësimin e situatës, institucionet e shumta kulturore në agjendat e tyre e kanë përfshirë edhe prezentimin e mëtejm të librit të shkrimtares Murati-Sakiri.

Është një moment i veçantë dhe i rëndësishëm për mua, kthimi te publiku, te lexuesit, përgjithësisht te dashamirësitë e artit dhe kulturës, të cilët me interesimin e tyre të treguar deri më tani për librin tim më kanë dhuruar çaste dhe përjetime të veçanta. Posaçërisht ndjejë kënaqësi të madhe që sërish më jepet rasti që publikut zviceran t’ia paraqes përmes librit një kapitull të rëndësishëm të luftës së Kosovës kundër Serbisë për pavarësi dhe angazhimit tim për integrim e shkollim si dhe përjetimet larg atdheut.

Kështu është përgjigjur shkrimtarja Basrie Murati-Sakiri në pyetjen e parashtruar nga gazeta “Epoka e re”, se si po e ndjenë veten dhe çfarë do të thotë për të kthimi te publiku zviceran për të vazhduar me prezentimin e librit pas shtatë muajsh ndërprerje.

 

Prezentimi i radhës, i dhjeti, është paraparë të mbahet këtë të premte, 2 tetor, duke filluar nga ora 19:00, në bibliotekën kryesore të kantonit dhe qytetit, në St. Leonhardstrasse 40, kati 3, 9000 St. Gallen https://www.bibliosg.ch/news/bibliothek-hauptpost/2020/09/lesung_b_s_murat.html.

Fillimisht ky prezentim ishte paraparë të mbahej më datën 5 qershor. Drejtimi i prezentimit si dhe bashkëbisedimi me autoren e librit do të bëhet nga ndërmjetësja letrare Eva Bachmann, ish-redaktore shumëvjeçare e kulturës në gazetat “Soluthurner Zeitung” dhe “St.Galler Tagblatt”.

Mediat e ndryshme online zvicerane, para së gjithash të kantonit St. Gallen, janë duke i kushtuar kujdes të veçantë informimit të opinionit rreth këtij prezentimi.

Në fokusin e tyre zë vend portretimi i autores, si veprimtare politike e angazhuar në fund të viteve të 80-ta, kur ishte gjimnaziste 18-vjeçare, për Kosovën Republikë.

Një tregim prekës, i qetë, i këndshëm, por ndonjëherë i zemëruar i një jete midis dy botëve, dy kulturave, është një nga vlerësimet e shumta që e bëjnë mediat për librin e saj “Bleibende Spuren”.

Dhjetëshja është nota më e pëlqyer e studentëve dhe jo vetëm! Është pikërisht ajo nota e dëshiruar, të cilën e synojnë të gjithë ata që punën e tyre, krijimtarinë e tyre, jo vetëm në fushën e letërsisë, kulturës dhe artit, preferojnë apo janë të obliguar t’ia nënshtrojnë vlerësimit profesional.

No description available.

Në këtë dhjetëshe timen, pjesëtare meritore, me përkrahjen dhe kujdesin njerëzor dhe profesional, është parasëgjithash Shtëpia Botuese “Rotpunktverlag”. Pjesëtarë të rëndësishëm në të janë gjithashtu edhe lexuesit e shumtë të librit tim, përfshirë edhe ata që për ndonjë arsye të caktuar nuk kanë mundur të marrin pjesë në ndonjërin nga nëntë prezentimet e mbajtuara gjer më tani, porse e kanë siguruar dhe lexuar librin tim. Prej tyre ka edhe të tillë që më janë drejtuar përmes letrave apo formave tjera, ku kanë shprehur vlerësimin e tyre për librin. Reagimet e tilla më kanë dhuruar shpesh emocione të veçanta dhe pasuruar shpirtërisht! Iu jam tejet falenderues për mbështetjen dhe vlerësimin që të dyja palëve!

Kjo ishte përgjigja që kemi marrë nga shkrimtarja Murati-Shaqiri në pyetjen, se çfarë në të vërtetë paraqet për të arritja e prezentimit të dhjetë brenda një viti, duke pasë parasysh vlerat që krijohen në Zvicër në fushën e letërsisë dhe konkurencën e madhe që mbretëron.

Duke qenë shembull i integrimit të suksesshëm; me nëntë prezentimet e deritanishme të librit në Zvicër; qindra pjesëmarrës në to; Basrie-Murati-Sakiri tashmë është shndërruar në një ambasadore të vërtet kulturore të shtetit të Kosovës dhe përgjithësisht kombit shqiptar.

Më tej, autoren e kemi pyetur, se si e kanë pritur librin e saj mërgimtarët shqiptarë dhe çfarë ka qenë reagimi i tyre?

Shqiptarët kanë treguar një pjesëmarrje simbolike në prezentime. Jam ndjerë tejet mirë dhe e nderuar me interesimin që ka shfaqur si dhe prezentimin që i ka bërë librit tim Shoqata e Studentëve Shqiptarë, “Studenti”, në Universitetin e Zürichut, ku krahas studentëve shqiptarë morën pjesë edhe ata zviceranë, është përgjigja e dhënë prej saj.

Libri “Bleibende Spuren” mund të porositet nga lexuesit jo vetëm në Zvicër, por edhe në Austri e Gjermani, edhe te “Rotpunktverlag” në këtë link: https://rotpunktverlag.ch/buecher/bleibende-spuren

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë ka njoftuar së në 24…