Librit me poezi “nuk ia fali dakikin’

10 prill 2023 | 08:56

Ndonëse ka shkelur në të pesëdhjetat, dita e tij e punës mund të zgjasë 18-19 orë. Gjatë kësaj kohe, përpos punës në univer­sitetin që udhëheq, merret edhe me letërsi. I quan kohët më të bukura, orët e shkrimit, orët e leximit, sidomos të poezisë; orët e komunikimit elektronik me poetë në të gjitha anët e botës.

Lulzim Tafa është një nga poetët më të përkthyer të poezisë shqipe në botë. Autor i disa librave me poezi, shumica prej tyre të përkthyera e të botuara në gjuhët më të mëdha të botës. Është doktor i shkencave juridike, profesor universiteti. Tafa është edhe afarist.

Në dy vjetët e fundit ka hequr 25 kilogramë nga trupi, ndaj dukja i atribuohet edhe energjisë së brendshme para së cilës reflekton një qetësi e lakmueshme. Nuk e përcjell modën, por duket se e krijon vetë atë dhe duket mirë dhe këndshëm. Pamja e tij herë me kollaren e pedagogut universitar, më shpesh tip sportiv, Tafën e bën njeriun që di, përveç të tjerash, ta menaxhojë mirë e mbarë atë që i nevojitet më së shumti: kohën.

Në të parë nuk të ngjan në një njeri prej të cilit priten shumë punë në kolegjin më të madh në Kosovë – AAB, pastaj ATV, e disa biznese të cilat plot intensitet pret t’i drejtojë dora e tij.

Para të gjitha këtyre, Tafa është poet. Bisedat më të këndshme me të zhvillohen për poezinë, asaj nazikes së tij të përher­shme, nga pak të prekshme e më shumë të guximshme Ai mbetet djaloshi i përhershëm prej të cilit nuk perëndon buzë­qeshja apo, siç thoshte Ali Podrimja për të: Një Zot e di se çdo të ndodhë me atë buzëqeshje që nuk pranë duke na kërkuar sepse vazhdimisht ne po e humbim dheun nën këmbë.

Është hera e parë që Luli në një intervistë u përgjigjet të gjitha pyetjeve që i bëhen, pa ekuivokë, pa politikë, pa dilema.

LETËRSIA

Lul, si e kanë pritur prindërit prirjen tuaj për poezi?

Eh, mirë që ia fillove nga fëmijëria. Kanë kaluar shumë kohë nga atëherë. Prindërve u ka pëlqyer sepse interesimi që një nxënës i shkollës fillore kishte për letërsinë dhe veçanë­risht për poezinë, ishte lajm i mirë se bëhej fjalë për një fëmijë të interesuar për mësim. Fillimisht kisha prirje për t’i mësuar përmendësh poezitë dhe pastaj ato i recitoja. Si fëmijë kam marrë pjesë shumë herë në gara të recituesve. Paraqitjen e parë televizive si recitues e kam pasur si nxënës i klasës së pestë në vitin 1984, atëkohë në Televizionin e Prishtinës. Edhe diçka tjetër më kujtohet nga ajo kohë, dijet që një fëmijë ka për letërsinë në përgjithësi dhe sidomos për poezinë e bënin një fëmijë pak më superior nga fëmijët e tjerë. Natyrisht kjo prindërit i lumturonte.

Kur e botuat librin e parë, cili ishte reagimi i tyre?

E thashë se poezi kam filluar të shkruaj sa isha nxënës në shkollën fillore dhe i kam botuar në revistat dhe në muret e shkollës, kurse poezinë e parë për të rritur e kam shkruar në përfundim të shkollës fillore. Gjatë gjithë shkollimit të mesëm kam shkruar poezi dhe ato i kam grumbulluar. Pas përfun­dimit të shkollës së mesme e kam paraqitur për botim librin tim të parë me poezi, atëbotë në klubin letrar të qytetit, por kur e lexuan ata më propozuan që këto poezi të botohen në Rilindje dhe unë e përfilla rekomandimin e tyre. E dorëzova për botim librin në Rilindje. Asokohe, Rilindja ka qenë botuesi kryesor në Kosovë dhe pothuajse i vetmi. Kështu, Rilindja e botoi librin dhe krejt kjo dukej si një ëndërr jo vetëm për prindërit e mi, por edhe për mua.

Si ka qenë tema e diskutimit kur në shtëpi tashmë ishte poeti, qindra libra me emrin tuaj dhe kur për ju shkruhej në gazeta e revista?

Ka pasur diskutime të ndryshme për mënyrën e shkrimit, për motivet, për ndonjë personazh a ndonjë motiv të veçantë etj. Shpesh anëtarët e familjes merrnin në duar librin, e lexonin dhe e rilexonin. Më kujtohet se shkrimi i parë në formë recensioni të shkurtër apo si lajmërim për botime të reja në gazetë ishte në një rubrikë që quhej Vitrina e librit. Pastaj filluan shkrimet dhe recensionet e tjera. S’e di, edhe pse ishte kohë e rëndë, ndonjëherë kur i kujtoj disa çaste të bukura, disi e kam një lloj nostalgjie për atë kohë sepse libri lexohej me pasion e poetët admiroheshin shumë. Dikush thoshte se libri është shumë i mirë, dikush s’është i mirë e dikush thoshte mesatar. E rëndësishme ishte se atëherë merreshin me ne, ndryshe nga sot që ka fare pak diskutim për libra.

Lul, pse shkruani?

Afërsisht është si pyetja pse merr frymë, apo edhe pse lexoj, thjesht, për të jetuar.

A kishit asokohe model shkrimi, model poeti?

Po, kur isha fëmijë, normalisht, lexoja kryesisht letërsi për fëmijë dhe, në fillim, shkrimtarët për fëmijë ishin modeli im. Tash, pas tërë këtyre viteve me letërsinë, e kam parë se sa të rëndësishëm janë shkrimtarët për fëmijë dhe ndikimin që kanë së pari në nxitjen e dëshirës së fëmijëve për të lexuar letërsi e më vonë edhe roli që kanë këta shkrimtarë për formësimin e mëtutjeshëm të lexueseve. Mos të harrojmë se shkrimtarët për fëmijë e kultivuan dashurinë tonë për lexim. Me këta shkrim­tarë ne ia zumë fillin leximit. I lexuam së pari ata, pastaj i lexuam të tjerët, shkrimtarët tanë dhe të huaj. Jam i sigurt se po të mos kisha lexuar së pari letërsi për fëmijë, nuk do të kisha arritur t’i lexoj as Lorken, Preverin, apo Bukovskin, Neruden, Esenenin apo Pushkinin. Unë e kam të qartë ndiki­min e madh që kanë shkrimtarët për fëmijë në formësimin intelektual të njeriut. Thjesht, janë baza. Unë për vete u jam mirënjohës shkrim­tarëve për fëmijë.

Si ju ndërroi shija pastaj?

Po, pastaj fillova të lexoja poezinë për të rritur, në fillim poetët bashkëkohorë shqiptarë e të rajonit. Meqenëse vendet e ish-Jugosllavisë ishin një shtet, ne mësonim edhe letërsitë e tyre. Pastaj, në shkollë, si gjuhë joamtare, siç e quanin në atë kohë, e kishim serbokroatishten, kurse gjuhë të huaj rusishten. Unë përfitoja të lexoja edhe në këtë gjuhë. Dikur, nga fundi i shkollës së mesme, fillova të lexoj edhe veprat e shkrimtarëve kryesorë të letërsisë botërore.

Redaktori i librit tuaj me poezi në gjuhën ruse, poeti Vladimir Aleksandroviq, parathënien e librit e nis me një thënie të Çehovit: “Shkruaj sa më shpejt që të jetë e mundur”. A duhet të shkruhet shpejt poezia?

Po, Çehovi ka të drejtë, por edhe Aleksandroviqi ka të drejtë që këtë e përdor në rastin tim. Unë po nuk e shkrova shpejt, nuk e shkruaj më kurrë. Kam bindjen se pastaj edhe muza trembet. Poezia shkruhet shpejt, sa më shpejt që është e mundur, saktë.

Të qenët shpirt i lirë, a është fuqizim edhe te ju?

Po, sepse shpirti i lirë të bën të ndërtosh ëndrrën, nëse e ke ndërtuar ëndrrën, atë ëndërr ti e konfiguron në mendjen tënde si një fabul, pastaj atë fabul nuk e ke vështirë ta konvertosh në art, poezi, pikturë, këngë etj. Pastaj, mos harro se një shpirt i lirë është spontan, ashtu siç është spontane edhe poezia.

A është ankthioz frymëzimi?

Frymëzimi herë pas here di të jetë edhe ankthioz, por meqenëse pikësëpari është frymëzim, atëherë te poeti domosdoshmërisht ky lloj frymëzimi do të jetë i bukur.

Jeni edhe jurist dhe profesor universitar, por edhe menaxher. Meqë jeni edhe udhëheqës i një institucioni të madh arsimor, pse kaq shumë i lidhur me poezinë? Ndiheni më shumë jurist, profesor apo poet?

Poet. Nuk i kuptoj njerëzit e shumtë që më bëjnë këtë pyetje, ashtu siç duket se nuk më kuptojnë as ata mua. Ne poetët dhe në përgjithësi shkrimtarët e letërsive të vogla, të letërsive të kombeve të vogla, u nënshtrohemi tregjeve të ngushta të librit, me tirazhe të vogla e me pak lexues. Në kuptimin ekzistencial njeriu nuk mund të jetojë nga libri. Unë nuk njoh ndonjë poet nga Ballkani që jeton ose së paku jeton mirë në kuptimin material nga letërsia, nga poezia hiç se hiç. Po të kisha mundësi të jetoja nga libri dhe poezia, kurrë nuk do të punoja asgjë tjetër, as pro­fesor e as menaxher e as një punë tjetër. Prandaj, poezia është hyjnore, nuk ndërrohet e as nuk krahasohet me profesione e gjëra teknike.

Si qëndron te ju raporti me librin? Meqenëse keni angazhime në menaxhimin e mësimdhënies, e di që keni kohë edhe për lexim, sidomos të poezisë. Po poezinë, e përcillni?

Veten e kam shpallur lexues të specializuar të poezisë. Shumi­cën dërrmuese të librave që i lexoj janë me poezi. Librin me poezi unë e rilexoj jo vetëm pse e meriton (një libër që nuk meriton të lexohet dy herë nuk e meriton të lexohet asnjë­herë), por se lidhem shumë sidomos me poezitë që i piketoj si të mira. I lexoj, pastaj i rilexoj, i rilexoj aq shumë herë sa që i mësoj përmendësh, mandej edhe pasi t’i mësoj përmendësh, përsëri i lexoj. Kjo më habit edhe mua. Përpiqem që të lexoj çdo poezi që botohet, jo vetëm në libra, por edhe në internet; libra elektronik dhe në profile e faqe të ndryshme, jo vetëm të poetëve të dëshmuar, por edhe atyre të panjohur e atyre të rinj. Poezi lexoj në të gjitha gjuhët që i kuptoj. Poezinë kam dëshirë së pari ta lexoj pastaj ta shoh emrin e autorit. Pra, emri i autorit është i fundit që dua ta shoh. Thjesht, nuk para­gjykoj. Nuk kam kufizime kurrë, nuk them se nuk e lexoj atë ose atë. I lexoj të gjithë ata që shkruajnë, natyrisht ata që i gjej.

Sa është i bëshëm vargu i librave që presin leximin nga ju? Dhe, a lexoni shpejt?

Të kuptohemi, libra me poezi që presin t’i lexoj nuk kam. Librit me poezi, siç thotë populli, “nuk ia fali dakikin”. Librat me poezi nuk presin në radhë. Ata i fus në lexim pa rend, por libra të tjera, të zhanreve të tjera letrare, të publicistikës apo shkencorë, ka shumë që presin.

Cilat libra, ose cilët autorë i shmangni jo vetëm nga leximi, por edhe nga biblioteka?

Për poezi, u kuptuam besoj, lexoj pa asnjë kriter. Te poezia nuk kam kritere, e lexoj pa kushte, kurse librat e tjerë po, aty ndoshta jam pak i padrejtë, lexoj dhe mbaj në rafte vetëm autorë të dëshmuar, qoftë të prozës, dramës apo të publici­stikës, apo edhe shkencorë. Jashtë poezisë kriteret për të mbajtur librin në bibliotekën personale i kam shumë të larta dhe shumë rigoroze, edhe pse edhe mua më duket që jam pak më i ashpër sesa që duhet dhe sesa që lejohet.

Unë mendoj se leximi është një akt krijimi. Në ç’masë libri mund t’i lërë lexuesit mundësi krijimi?

Veprat e mira në një mënyrë janë bashkëpunime në mes të krijuesit dhe lexuesit. Nuk ka kuptim asnjë vepër e mirë nëse nuk ka komunikim me lexuesin. Pra është e kotë të shkruash mirë nëse ajo vepër nuk gjen komunikim me lexuesit në vazhdimësi.

Çfarë i mungon sot poezisë shqipe?

Lexuesit e shumtë janë ata që i mungojnë. Duhet të ketë më shumë lexues. Të gjithë njerëzit duhet të lexojnë poezi, pa marrë parasysh moshën, gjininë, të gjithë, sepse kështu e pasurojnë dhe e fisnikërojnë shpirtin. Po ashtu, i mungojnë edhe ekspe­ri­mentet në rrafshe të ndryshme. Nuk ka risi e cilësi pa ekspe­ri­mente të ndryshme, nuk them që s’ka fare eksperimente, por ato janë të pakta. Vërtet të pakta.

A po ndryshon letërsia, poezia?

Po, letërsia e sidomos poezia nëpër botë po evoluon. Si çdo gjë tjetër, ajo po hapet tërësisht; ka vdekur ajo poezia her­metike e mbyllur, kur lexuesi “torturohej”. Letërsia e mun­dimshme e socializmit po kapërcen, sikur edhe ajo lloj letërsie kur shkrimtari dukej sikur është zgjuar në “jermi” dhe ka shkruar. E ka pasur vlerën e vet në kohë, por ajo letërsi ka shkuar, ka qenë me afat skadence. Lexuesit nuk duhet të per­sekutohen. Lexuesin duhet vetëm ta kënaqim me bukurinë e asaj që themi, jo veç për dashurinë dhe gëzimin, por edhe për vdekjen e trishtimin. Lexuesi duhet të kënaqet kur lexon poezi. Pra edhe kur lexojmë “gjera të këqija”, por të thëna e të shkruara bukur në poezi. Ka kaluar koha e shtresimeve të panevojshme në poezi. Mesazhi duhet të jepet sa më herët që mundet, kuptohet në kontekstin poetik. Sa më herët që këtë mesazh ia jep lexuesit, ai është më falënderues. Poezia e ofron këtë mundësi, po ashtu edhe piktura, skulptura, fotografia etj., derisa romani, drama e filmi janë më të komplikuara në kuptimin e mesazhit.

A po?

Po, estetikisht ashtu, të mos ndihet i torturuar dhe të ketë motiv të vazhdojë të lexojë, ndryshe ai ka të drejtë të mos mundohet. Unë në secilin rast jam me lexuesin. Ne shkru­ajmë për ta. Lexuesi ka të drejtë të lexojë dhe të mos lexojë. Ndodh që lexuesi e ndërpret leximin dhe kjo është e drejtë e njohur e tij.

Çmimet letrare, sa e përkëdhelin sedrën e një poeti, sidomos çmimet ndërkombëtare?

E kanë thënë edhe të tjerët dhe e them edhe unë, se çmimet letrare as nuk të bëjnë shkrimtar më të madh dhe as nuk të bëjnë shkrimtar tjetër. Ti je ai që lexuesit e tu mendojnë që je dhe vendin që ata ta kanë përcaktuar, mirëpo shkrimtarin çmimet e gëzojnë, sidomos ato ndërkombëtare. Me çmime duket sikur një shkrimtar merr siguri për punën që bën, merr kurajë për të vazhduar dhe, nganjëherë, i duket që kur i japin një çmim letrar, i thonë falemnderit. Shkrimtari ka nevojë për falënderim. Interesante por, vërtet, shkrimtari ka nevojë për falënderim. Saktësisht s’e di pse.

Sa ju kanë bërë përshtypje dikur e sa sot?

Për çmimet? Kur kam qenë më i ri jam gëzuar më shumë, gëzohem edhe sot, por gëzimi më nuk më tundon si dikur, tani gëzimi më jep qetësi.

Gjatë kësaj dekade disa vepra ju janë përkthyer dhe botuar në disa gjuhë. Cila është rëndësia e të qenët i përkthyer?

Përkthimi? Është shumë i rëndësishëm, sidomos për shkrim­tarët e letërsive të kombeve të vogla çfarë jemi ne. Fillimisht jam përkthyer dhe botuar në gjuhën boshnjake, në Sarajevë. Dhe duke qenë se Sarajeva, për mendimin tim, është një nga metropolet e kulturës në Evropë, ndoshta pas Parisit dhe ndonjë qyteti tjetër të madh, duket se u krijua një mundësi më e madhe për t’u përkthyer jo vetëm në vendet e ish-Jugosllavisë, si në Slloveni, Mal të Zi, Maqedoni, Serbi, por pastaj nga këto gjuhë edhe në gjuhën globale siç e quajmë tani anglishten, e pastaj në shumë gjuhë të tjera të botës, përfshirë edhe gjuhët e mëdha të letërsisë si: frëngjishtja, gjermanishtja, italishtja, rusishtja dhe shumë gjuhë të tjera. Pra, e vetmja mundësi për shkrimtarët e gjuhëve të vogla është që të përkthehen në gjuhë të huaj dhe të hapin atë që unë e quaj si një lloj tregu i lexue­sve, pra thënë me gjuhën e ekonomisë, rritja e konsumit për prodhimet tona artistike, poezisë në këtë rast. Fundja ne për lexuesit shkruajmë dhe për secilin shkrimtar numri i lexueseve është më i rëndësishmi.

Letërsia sot është kthyer në industri, sidomos nobelistët dhe në përgjithësi proza, romani, gjithsesi letërsia e popujve të mëdhenj.

Te tregu i madh i librit, pra te letërsitë e kombeve të mëdha, letërsia gjithmonë ka qenë industri, tash është kuptuar edhe nga ne që vijmë nga letërsitë e kombeve të vogla. Mbase edhe jemi pajtuar me këtë fat, se krijojmë për një treg të ngushtë libri me më pak lexues se shkrimtarët e kombeve e sidomos të gjuhëve të mëdha. Si gjithçka tjetër, edhe letërsia po evoluon dhe këtë sa më herët që ta kuptojmë na bënë më mirë. Bela Balazh (eseist hungarez) ka paralajmëruar apo ka parashikuar lindjen e një arti të ri edhe pse kuptohet se arti gjithmonë do ta nxisë ndjeshmërinë e publikut/lexuesit dhe gjithmonë për­cjell apo kultivon shijet e tij. Pra, ne prodhojmë apo shkru­ajmë për shijen e publikut dhe ajo po ndryshon. Sado e madhe dhe vlefshme që të jetë një krijimtari, megjithatë unë i qëndroj mendimit se ajo i takon një epoke së paku për nga rëndësia. Pas kalimit të asaj epoke ajo letërsi apo ai art mbetet i rëndë­sishëm gjithmonë, por vetëm sa i përket kontekstit kohor të cilit i ka shërbyer, pra shijeve të një kohe. Për ta përfunduar këtë, letërsia sot si industri nuk funksionon fare pa logjistiken e saj, po botuesit e fuqishëm, pa distribuimin, pastaj pa kritikët dhe promovuesit e saj, pa marketingun. Shkrimtari dhe libri kanë nevojë edhe për marke­ting. Një shkrimtar që, përveç talentit, i ka organizuar apo ka pasur fat edhe në këto shtylla, është shkrimtar që nuk mbijeton, por jeton dhe i shijon frytet e punës së vet, pse jo edhe ato materiale. Pra kur thuhet indu­stri mendohet në ekonomi, ekonomia nënkupton finan­cat, financat paranë. Kështu unë e shoh letërsinë si çdo veprimtari tjetër, përkundër që ka edhe shumë specifika të tjera. Pra, për ta rrumbullakuar këtë përgjigje, është përparësi e popujve të mëdhenj të kenë shumë lexues, por kjo ndonëse e vështirëson, nuk i përjashton tërësisht shkrimtarët e popujve të vegjël në numër, që të kenë krijues e shkrimtarë që kanë shumë lexues. Kemi sa e sa raste të tilla e, te ne, te letërsia jonë, Kadareja është argument.

Megjithatë, poezia nuk është industri?

Nuk është por funksionon si industri, sidomos plasimi i saj. Ne nuk po arrijmë ta shndërrojmë e ta zhvillojmë më tej, pikërisht për shkak të tregut të ngushtë të lexuesve të poezisë. Ky problem ndoshta është edhe në botë, përndryshe s’do të duhej të dallonte nga zhanret e tjera letrare për nga fuqia, siç e quani ju, industriale.

Si zhvillohet konkurrenca në letërsi?

Në shoqëri të lira s’ka monopole. Në letërsi nuk ka monopol. Sot askund nuk ka më shumë konkurrencë sesa në letërsi dhe art, po edhe në dije. Sot shkrimtarit më të madh mund t’i konkurroj një njeri i panjohur me një postim, krijim/thënie, përshkrim përvoje e situate, e ku ta di unë në ‘Facebook’ e në platforma të tjera të rrjeteve sociale. Pastaj, sa më shumë që po zhvillohet teknologjia, bota po zvogëlohet. Bota më nuk është e madhe apo, së paku, nuk është e madhe sa ka qenë. E jetojmë kohën e bumit teknologjik. Ne jemi në konkurrencë me botën, bota sot është bërë një ‘Facebook’ apo ‘Instagram’ e të ngjashme. Shkrimtarët sot janë në konkurrencë edhe me kuotat e ‘Instagram’-it e të ‘Facebook’-ut. A dini sa kuota të bukura dhe me vlerë janë shumë prej tyre. Secili njeri sot e ka median e vet. S’ka kush që e ndal këtë zhvillim. Secili në rrjetin e vet social ka shumë konsumues të krijimeve të veta në to, madje shumë më shumë se në tirazhet apo lexuesit e librave tanë. Të them të drejtën, është mirë që është kështu. Ky fakt më bën të jem i lumtur. Mundësia i jepet çdokujt. Edhe nëse ne nuk ia japim këtë mundësi, ai e merr vetë, pa e pyetur askënd, kjo është e bukura.

Shkruhet sot më shumë?

Keni të drejtë që dyshoni, por më parë shkrimet kishin filtra. Ti mund të shkruaje, por nuk mund të botoje, shtëpitë botuese dhe redaktorët mund të ishin të rreptë, lejonin të botoheshin vetëm atë që ata e vlerësonin se i plotësonin kriteret që ata i kërkonin. Nuk kishte letërsi alternative. Letërsinë alternative e bënin shkrimtarët disidentë, ata persekutoheshin, s’botoheshin, s’lexoheshin.

A dallon ajo kohë nga kjo?

E kam të qartë pyetjen tuaj prandaj nuk po përgjigjem për dallime kohore, pasi që ju aludoni te poezia atëherë dhe sot. Nuk është kohë e gjatë, nuk është ndryshim epokal. Tri dekada nuk janë shumë. Kam përshtypje se edhe atëherë edhe sot poezia shkruhet e lexohet pak. Ndoshta atëherë është shkruar pak më pak ndërsa është lexuar pak më shumë, kurse sot shkruhet pak më shumë e lexohet pak më pak. E merreni me mend sa i vogël është dallimi.

Poeti Abdullah Sidran ju krahason me Zhak Preverin. A ju miklon sedrën ky krahasim nga një poet i njohur boshnjak?

Tani, normalisht që kur dikush dëshiron t’i bëjë një vlerësim një poeti tjetër qoftë ai kritik, studiues letërsie apo edhe koleg shkrimtar, gjithsesi se dikush e gjen një krahasim me një poet tjetër. Ta krahasojnë krijimtarinë tënde me të tjerët, me veçoritë dhe dallimet ndërmjet tyre. Sidrani gjen të më krahasojë me Preverin. Natyrisht që është nderim i jashtëzakonshëm jo vetëm për mua, por për çdo poet në botë. Ai thotë se edhe unë kam Barbarën time, duke iu referuar në raste Ajkunës në poezinë time. E vlerësoj shumë ngaqë kjo nuk vjen nga çfarëdo poeti, por pikërisht nga Sidrani, që për mua është një nga shkrim­tarët më të mëdhenj të gjallë që kemi. Vjen nga një shkrimtar që sot bota i përulet artit të tij të madh. Si njeri, Sidrani ka shumë vlera, bashkë me Sarajliqin ata kanë vuajtur edhe tmerret e luftës së Sarajevës, edhe pse ai nuk e quan luftë. Sipas Sidranit, në Sarajevë nuk ka pasur luftë, ngaqë në luftë duhet të jenë dy palë që luftojnë, kurse në Sarajevë ka pasur vrasje, siç i quan ai, në transmetim të drejtpërdrejtë të qyteta­rëve boshnjakë nga makineria vrastare e palës tjetër. Sidranin e vlerësoj edhe për dijet e tij të shumta prej eruditi.

A duhet të jetë poeti njeri i njohur?

Po, poetin të njohur e bën poezia. Poeti ka nevojë të njihet te lexuesit. Tek ata që nuk lexojnë poezi nuk ka edhe pse të njihet, se ne shkruajmë për lexuesit.

Cilat libra, ose cilët autorë i shmangni jo vetëm nga leximi, por edhe nga biblioteka?

Me dëshirë s’do të shmangia asnjë, por njeriu e ka të domo­s­doshme që t’i shmangë disa. Autorët të cilët në jetën reale kanë bërë veprime jonjerëzore: Hitlerin, Stalinin, Karaxhiqin etj., edhe pse jam që jeta e shkrimtarit të ndahet nga krijim­taria e tij. Të them të drejtën, kur Handke u shpërblye, reagi­met tona nuk ishin profesionale. Reagimet tona disi u orientu­an sikur ai të ishte shpërblyer për paqe e jo për letërsi. Nuk e them asnjë fjalë për artin e tij, e meriton krijimtaria e tij të shpërblehet apo jo, por vetëm për qëndrimet e tij publike me të cilat nuk pajto­hem, por mos të harrojmë se shpërblimet për letërsi janë me kritere së paku nominalisht letrare. Në shumë konkurse letrare nuk kërkohet as emri por vetëm shifra, pran­daj frikësohem se me reagimet tona dolëm keq, joprofesional.

A janë poetët fëmijë të zgjatur?

Shumë epitet i bukur ky. Po, mendoj se janë fëmijë të zgjatur, bile, po ashtu, mendoj se janë qenie të paplakura e të pavdek­shme. Kjo i bënë ata të jenë të veçantë. Epitetit për poetët si fëmijë të zgjatur duhet t’i shtohen edhe shumë epitete të tjera të bukura si ky.

Sa është nazike poezia juaj gjatë krijimit?

Mendoj që nuk është shumë nazike, edhe pse, kur poezia ka vlera artistike, ajo e duron edhe këtë tipar. Para së gjithash, poezia ime është e natyrshme. Së paku unë e shoh kështu.

Poeti brenda vetes e bart dhembshurinë. Kur shfaqet te ju dhemb-shuria e shprehur e kur e pashprehura?

Dhembshuria është vlerë dhe pjesë e natyrës njerëzore, ndërsa poetët dhembshurinë e shkruajnë disa mirë e disa të tjerë edhe më mirë. Njëjtë edhe unë.

A kanë ndërruar poetët epoka?

Ndonëse jo në kuptimin fizik, në kuptimin shpirtëror po, kanë ndërruar edhe epoka, pa përmendur emra, por kjo ka ndodhur edhe te ne.

Jeni pjesëmarrës dhe i laureuar në festivale të ndryshme evro­piane të poezisë, keni letërkëmbime me autorë të ndryshëm botërorë të letërsisë. Ç’mendim kanë ata, a ekziston letërsia e popujve të vegjël?

Po, gjithsesi kam. Pjesëmarrja në festivale, kongrese e takime të tjera me shkrimtarë më ka mundësuar që të njihem me shumë poetë pothuajse nga mbarë bota. Natyrisht, meqë kam njohje personale me shumë shkrimtarë me ndikim në botë, me shumë prej tyre kam miqësi dhe komunikim. Më dërgojnë dhe u dërgoj poezi për lexim. Komunikimi, tash, pothuajse është i tëri elektronik, mundësia e komunikimit është shumë e madhe dhe krejtësisht e lehtë. Bota po zvogëlohet çdo ditë me zhvi­llimin e teknologjisë dhe më të drejtë globin tonë kanë filluar ta quajnë një fshat.

Meqenëse jemi te letërkëmbimi, a keni pasur dikur letërkëmbim me njerëz, miq, familjarë, mikesha, si ka qenë komunikimi juaj atëherë, para 30-35 vjetësh, ta zëmë, në moshë të djalit të ri?

Kam pasur shumë, bile kam pasur dëshirë të shkruaj por, kuptohet, kam pasur dëshirë edhe të marr letra. Më gëzonin kur i merrja. Që nga kureshtja nga kush e pastaj edhe çfarë shkruan në të. Zakonisht letrat më kanë sjellë gjera të bukura gjithmonë. Kam plot kujtime të bukura.

Po sot, komunikimi a është më shumë formal, apo vetëm mjetet elektronike e kanë ndryshuar atë?

Komunikimi me njerëz gjithmonë sjell ngrohtësi, sidomos me njerëzit që nuk i ke afër, në ndjesi nuk ka ndryshuar asgjë, por në mënyrë po.

A e kanë zbehur mjetet e komunikimit elektronik letrën, dikur aq të pritur?

Po, sepse komunikimin e ka bërë më të lehtë. Gjërat kur janë të lehta, janë më të shumta, shumëzimi gjithmonë është më i zbehtë. Sot merr më shumë letra sesa ato që t’i ka sjellë postieri dikur. Janë bërë edhe këngë për letrat, janë bërë këngë për ata që i kanë shkruar letrat, janë bërë këngë për ata që i kanë marrë dhe ndierë ato, janë bërë edhe këngë për ata që i kanë sjellë letrat, postierët. Letrat kanë qenë prej gjërave më të bukura. Si të them, mendimet dhe kujtimet për to janë si për një aureolë të bukur.

E habitshme se sa shpejt i mësoni përmendësh poezitë e të tjerëve. A e ndieni përmbushje kur deklamoni poezi?

Këtë pyetje më parashtrojnë shpesh, madje një ditë një këngëtar më pyeti me habi se si unë di aq shumë poezi pë­rmendësh. I thashë ashtu siç i ke mësuar ti këngët që i këndon ashtu i kam mësuar unë poezitë. I thashë, ti i ke mësuar duke i dëgjuar e ridëgjuar, unë duke i lexuar e rilexuar. Poezitë që më pëlqejnë i lexoj shumë, madje aq shumë herë saqë edhe po të mos jesh shumë i zgjuar, i mëson përmendësh. Por unë edhe pasi t’i mësoj përmendësh, i lexoj përsëri.

Po akti i krijimit të poezisë, a ka ndryshuar te ju gjatë viteve, frymëzimi, ta zëmë?

Po, sepse ndryshojnë motivet, edhe ato evoluojnë, përjashti­misht atyre që janë universale. Përderisa akti si akt, nuk mendoj se ka ndryshuar shumë, ngaqë ai është në një mënyrë unike te secili poet.

A mund të shkruani poezi në telefon, në laptop?

Po, e pranoj se në fillim e kisha të vështirë vetëm ta para­mendoja. Nuk e imagjinoja që poezia të shkruhet ndryshe përveç me laps dore, por tash mendoj se poezia shkruhet drejtpërsëdrejti dhe, ndoshta, më efektshëm shumë herë sesa dikur me laps. Nuk e imagjinoj më të shkruaj me laps. Shkrimtari duhet të jetë gjithmonë në hap me kohën, pra edhe me teknologjinë, assesi nuk duhet të jetë mbrapa. Po mbeti mbrapa, e humbet hapin.

Për poezinë tuaj është shkruar të jetë goditëse. Ku e shigjeton goditjen poetike Lulzim Tafa?

Ndonjëherë targetoj, marr në thumb diçka, marr në shenjë dhe përpiqem ta qëlloj. Këtë, si duket, e kanë quajtur goditje. Natyrisht që çdo krijues godet, por ideja është të godasësh me të parën pra, pa shumë tentativa, sepse shumë tentativa në vend që ta godasësh shenjën, ta thyejnë shtizën, pastaj me shtizë të thyer edhe goditja është e plogësht, prandaj duhet bërë përpjekje që të godasësh me të parën, pra të shkruash shkurt. Prandaj unë s’e lus shumë vargun, më shumë vargu më lut mua. Nuk rri shumë gjatë mbi vargjet e mia. Përpiqem të mos i dhunoj. Asgjë nuk shkon me zor, nëse nuk ma do, nuk shkruaj. Kur shkruaj më pëlqen, ndër të tjera, edhe të godas.

Çfarë e bën individualitet një poet?

Poezia përcjell emocion, e emocionet tek askush nuk janë të njëjta e askush nuk i përjeton njësoj. Pra, tiparet e të veçantat që sjell një poet nga një poet tjetër si stili, gjuha, narracioni që ndërton, mënyra si rrëfen, shkurtesat, zgjatesat, pastaj idetë, motivet e në përgjithësi bota poetike dhe, në fund të fundit, edhe vizualisht dukja e një poezie të shkruar dallon te poetët, pra edhe si formë. Të tëra këto e ndërtojnë individualitetin e një poeti. Pra këto, por jo vetëm, e përbëjnë individualitetin krijues, që përcaktohen në forma dhe përmbajtje të ndryshme nga botëkuptimi i tij dhe që e dallojnë atë nga të tjerët.

A janë poetët egoistë? Në cilat raste?

Ka edhe të atillë që mendojnë se poetit i lejohet gjithçka, pra edhe egoizmi. Nuk mendoj se egoizmi është tipar i mirë. Mendoj se poeti më shumë e aktron egoistin sesa që është realisht. Madje, p. sh., kur ai shqetësohet për të tjerët, e keni parë edhe në poezi ai shqetësim është altruizëm i pastër, pra jo që nuk është egoist, por është e kundërta. Tash a ka raste? Në poezi ndoshta, por vetëm te poezia e dashurisë, në dashuri po. Aty duket që e ka interesin. Shënjon “prenë” dhe dëshiron ta marrë dashurinë edhe me “zor”.

Disa nga krijimet tuaja kanë edhe pjesën vizuale, sa ngjajnë në 3D (poezia ‘Ashensor’, ta zëmë). A shikoni shumë filma?

“Ashensor” është një poezi që zgjatë pak më shumë sesa që zgjatë një ngjitje me ashensor nga kati zero në katin e katër­mbëdhjetë. Është një udhëtim i bukur me një bashkudhëtare “të panjohur” që të ka pritur në një stacion të qëllimshëm ashensori, për ta bërë atë rrugëtimin që përshkruhet si situatë poetike e krijuar “ad-hoc”. Unë e bëra poezi, ndoshta ndonjë skenarist do ta bënte skenar filmi, mund të bëhej edhe film. Filma shikoj, por poezi lexoj më shumë. Poezisë nuk i konkurron asgjë.

Lul, ju krijoni më shumë se 30 vjet, ndërkaq asnjëra nga vajzat e tua nuk është marrë me letërsi (përveç vëllait, Bujarit). Nuk ka qenë nxitje e juaja apo ato vetë nuk kanë shfaqur interesim e as talent?

Tani fëmijët idealizojnë prindërit e tyre dhe përpiqen t’i ndjekin deri në një moshë, pastaj kërkojnë dhe e gjejnë rrugën e vet. Unë u kam propozuar atyre që të ndjekin modele më të mira sesa mua. Duket se më kanë dëgjuar. Mbase nuk më ka thënë asnjëra që duan të bëhen poete, por lexuese e di që janë dhe mirë që janë. Kurse sa i përket Bujarit, ai duket si i eklipsuar nga unë dhe Iliri. Më duket se ia kemi zënë pakëz rrezet që ai i lëshon, edhe pse marrëdhënia ime me Bujarin është subjektive, meqë e kam vëlla të vogël. Në vlerësimin tim, përveç si studiues i poezisë, ai edhe është një poet i jashtë­zakonshëm, por që duket se “nuk i jep shumë të njofshëm publikut”. Kjo është natyra e tij. Para se të botonte librin e parë, ma dha ta lexoja në dorëshkrim dhe nuk më besohej që ai shkruante aq bukur poezi nga pozita e një empatiku që kishte marrë.

Botimet e tua datojnë nga fundi i viteve ‘80 dhe fillimi i viteve ‘90 të shekullit të kaluar. Aty nis krijimtarinë edhe unë. Ku janë sot krijuesit e brezit tënd?

Nuk e di nëse arritëm ne të “markohemi” apo, si thuhet, të patentohemi si brez, të kategorizohemi ashtu siç duhet. Nuk e di edhe nëse është e nevojshme për një emblemë brezi, por nga ne që filluam të botojmë në fillim të viteve ‘90, dolën disa poetë shumë të mirë. Periudha ishte e vështirë, ishin kohët më të rënda për vendin dhe popullin tonë. Gjithçka ishte e vështirë, pastaj edhe lufta përmbysi gjithçka, disa ikën në mërgim, disa vazhduan këtu, pra ndodhi një shkapërderdhje.

Çmimet letrare që ju janë dhënë, përfshirë edhe çmimin prestigjioz me emrin e poetit “Mihai Eminesku” në Rumani, janë ëndërruese për plot poetë. Çmimet që përmbajnë emra të mëdhenj të letërsisë, janë përtej çmimeve?

Një shkrimtar çmimet nuk e bëjnë shkrimtar më të madh, por fakti se ato jepen nga një juri ose institucion, përveç që ti merr një përkrahje, merr edhe siguri për artin tënd, disa nga­njëherë të duken si certifikim apo njohje që njerëzit kompe­tentë i bëjnë krijimtarisë sate. Unë kam marr shumë çmime ndërkombëtare, ndoshta pse pata fatin e madh që krijimtaria ime të përkthehej në gjuhë të botës. Çmimin “Mihai Eminesku” është çmimi më i madh që jep Rumania në fushën e letërsisë dhe që mban emrin e shkrimtarit më të famshëm rumun dhe ndër shkrimtarët më të mëdhenj në botë. Në Rumani më janë botuar dy libra me poezi.

Një nga krijimet tuaja identifikuese thotë: Se Zoti/ është një fëmijë i vogël/ Që luan me yje (Poezia “Andrra”)…

Po, ajo poezia “Andrra”, përveç që është botuar këtu, është e përkthyer në disa gjuhë të botës dhe duket se është një poezi që ka funksionuar. E shoh tani që është e botuar dhe botohet shumë përveç në revista letrare edhe në portale kulturore dhe platforma të ndryshme, qoftë të hapura qoftë të mbyllura në të cilat gjendem edhe unë dhe funksionojnë si platforma ku botohet vetëm poezia dhe nga komentet që i lexoj e shoh që njerëzit e kanë pëlqyer, ndoshta për shkak të dyshimit të madh që ka ajo poezi në ekzistencën tonë. Pra shfaqet dilema e madhe, vërtet këto që shohim dhe përjetojmë, janë apo vetëm na duket që janë.

“Mendoni se astronautët mburren kot që shkele në Hanë”, kështu keni thënë në një poezi, derisa poezia ka pushtuar kaherë kozmosin. Në poezinë tuaj, figurë dominuese është Hëna. Çfarë është Hëna për ju?

Dua të jem i prerë, gjithë hapësira është mahnitëse, por Hëna është objekti më i bukur që e shohin sytë tanë, që e njeh mendja jonë. Hëna është një kryevepër në sytë tanë, së paku në sytë e mi.

Ç’identitet i keni dhënë ironisë e cila nuk mungon në krijimet e tua?

Më duket se ironia i rri poezisë dhe shpesh shfaqet mrekullisht në të. Natyrisht se ironia ka një “marifet” të hollë dhe të mbuluar mirë. Ironia pa mbulesë nuk funksionon në poezi, ashtu siç duket fshehurazi edhe tallet fshehurazi. Nëse nuk e fsheh mirë ironinë, mos e përdor. Ironia nuk duhet të marrë atë trajtën e ashpër dhe agresive e as të duket e pamëshirshme dhe e vrazhdë.

Në letërsinë shqipe krijuesit kanë ditur ta sublimojnë dhimbjen e humbjes së njerëzve të dashur me shtrirje të fuqishme, duke e përfshirë këtu edhe mikun tuaj Ali Podrimjen me “Lum Lumin”. Në një ngjarje letrare, ku kam qenë e pranishme, publiku e përcillte me lot poezinë tuaj për nënën. Sa keni arritur ta sublimoni dhimbjen si ndjesi për ta përsosur poezinë gjatë viteve?

Dhimbja për njeriun tënd të dashur, në këtë rast motivi që poeti e gjen për të shkruar për të, është personal, por dhimbja është universale, prandaj kjo ndjesi e poetit e shprehur në vargje aq bukur u pranua ashtu nga lexuesi dhe prandaj ky libër (Lumi Lumi) pati kaq shumë sukses. Edhe te ngjarjet që ju u referoheni, kur unë lexova atë poezi, nuk është që qau vetëm publiku, gati qava edhe unë, ndaj nuk besoj që bëmë mirë as unë e as publiku. Ndoshta do të ishte më mirë që me qetësi të “kapërdihej” dhimbja. Dhimbja është e pamatshme dhe nuk matet as me vargje, as me lot.

A ka përsosje në poezi apo ngarendja për ta përsosur i humb natyr­shmërinë vargut?

Nuk ka përsosje, por në vazhdimësi ka përpjekje për për­sosmëri. Kjo është natyra e poezisë. Sapo më pyetet për “Lum Lumin”, Podrimja aty ka një varg brilant ku thotë “Poezia më e mirë nuk është shkruar ende dhe nuk do të shkruhet”. Poetët nuk do t’i ndalin kurrë tentativat për ta kapur vargun më të mirë dhe poezinë më të mirë, por kjo gjithmonë do të ngelet në nivel të përpjekjes/tentativës nga e cila, megjithatë, poezia do të dalë më e mirë. Poezia do të jetë më e mirë, në vazhdimësi shumë më e mirë.

Sa duhet të besojë poeti te besimi e sa te dyshimi?

Te të dyja duhet të besojë dhe te të dyja duhet të dyshojë në mënyrë të barabartë. Ne besojmë në shumë gjëra që nuk janë, por edhe dyshojmë në gjëra që janë. Për shembull, ne besojmë në ekzistencën tonë dhe të njerizimit, të planetëve e të qiejve, besojmë në dhimbje e dashuri, besojmë në gjërat që men­dojmë sepse i shohim apo i ndiejmë e ato ndoshta janë vetëm perceptime subjektive etj.

Poeti malazez Jevrem Bërkoviq, kur shkruan për ju, ju cilëson si poet që nuk i frikësoheni asgjëje. Sa është i rëndësishëm guximi për të qenë poet?

Po, sepse edhe Jevremi vetë nuk i frikësohej asgjëje. Ai ishte poet dhe disident i vërtetë. Jeta e tij ishte e vështirë. Ndaj tij pati dhunë dhe terror, jo vetëm psikologjik, por edhe fizik. Imagjino sulmet fizike ndaj poetit. Çmenduri. Ai pati dy aten­tate të rënda, po kurrë nuk u zmbraps; njerëzoren e kishte vënë edhe para jetës së vet. Ai ishte me ne, në anën tonë kur ne ishim të shtypur. Jevremi është shembulli më i mirë se sa i rëndësi­shëm është guximi për një poet. Jevremi, po ashtu, ishte poet i cili iku nga kjo botë duke lënë gjurmë të pash­lyeshme. Ai ishte poet fantastik. Në vargjet e tij, gati si të asnjë tjetri, inkurajohet ëndrra. Bile ai vetë thotë se kur më nuk mundësh as të ëndërrosh, shihe revolverin. Poetin pa ëndrra e pa guxim, as si qenie nuk e përballon. Ëndrra dhe guximi janë edhe mbijetesa e poetit.

Lasgushi nuk lejonte ta quanin as modernist, as simbolist, me arsyetimin se poezia e shpreh shpirtin e njeriut dhe është huma­niste. Ju ku e shihni veten, Lul?

Po ka pasur të drejtë sepse humanizmi u takon të gjitha kohëve, por fokuset ndërrojnë në kohë, epoka apo periudha. Vetës nuk ia kam dhënë asnjë pozicion, por nga ajo që lexoj çfarë shkruajnë për mua, e shoh se më rendisin më shumë te postmodernja.

Teoricienë të ndryshëm dhe studiues shqiptarë dhe botërorë vlerësojnë se është me rëndësi që poezia të jetë bashkëkohore dhe të ketë universalitet në mënyrë që të komunikojë me të gjitha kohët njësoj për t’u bërë e pavdekshme. A mendoni që universaliteti mund ta dëmtojë natyrën nacionale të një poezie?

Nëse është menduar për universalitet kohor e gjeografik, atëherë unë nuk besoj se e dëmton nacionalen, sepse tërësia përbëhet nga pjesët, dmth. poezia e të gjithë popujve e krijon univer­salen. Kohët lidhen mes vete. Elioti thotë te “For quartets”, që koha e kaluar influencon të tashmen dhe të ardhmen tonë, ashtu si koha e ardhme ka ndikim në të tashmen. Te poezia, kohët janë pakëz amulli në dukje por, të qarta në thelb.

Një pjesë jo e vogël e krijuesve, prej Homerit deri te bashkë­kohorët, mbështeten në mitet e vendeve të tyre, traditën gojore, figurat nacio­nale. Meqenëse jeni poet i përkthyer në disa shtete, a shihni përpjekje që kjo epokë e poezisë është ajo e universalitetit, larg traditave? Këtë e shoh në disa publikime libreske ku mjafton fjala, universaliteti pa dhënë vulën e identitetit kombëtar apo të kohës. Si e shihni këtë proces?

Shembull i mirë. Vargjet e Homerit nuk janë veçse të Homerit tashmë. Ato krijime që janë të mëdha të të gjithë krijuesve të mëdhenj, janë tashmë krijime të përbotshme. Kuptohet, varet nga shkrimtarët e mëdhenj sa arrijnë ata që kulturën e popujve të tyre ta bartin si vlerë të kulturës mbarënjerëzore. Nëse një poet arrin ta bëjë këtë, ai e ka përfunduar punën e vet, i ka dalë hakut asaj që është kombëtare.

Sa e kërkon poeti baraspeshën njerëzore?

E kërkon, në shumë raste, pikërisht mungesa e kësaj baras­peshe njerëzore, e prodhon poezinë.

Sa kemi kujtesë ne si shqiptarë, për poetët e mirë, për librat e mira, për epokat e mira të letërsisë?

Mendoj se ne si popull kemi kujtesë të mirë për shkrimtarë, vepra e epoka, ndonëse jam i vetëdijshëm që kjo kujtesë duhet të rritet në vazhdimësi e të ruhet në vazhdimësi. Kush nuk di sot, ose kush nuk ka mësuar sot për Naimin, Fishtën, Kadarenë, Rilindjen e për ngjarje të tjera madhështore kombëtare?

Poeti brenda vetes e bart dhembshurinë. Kur shfaqet te ju dhemb­shuria e shprehur e kur e pashprehura?

Mendoj se dhembshuria është vlerë dhe pjesë e natyrës njerë­zore, ndërsa poetët dhembshurinë e shkruajnë edhe më mirë. Njëjtë përpiqem edhe unë.

Shkrimtari i madh gjerman Gëte shkruante dhe proklamonte se gjeniun e krijon puna. Këtë mendimin e mbronte edhe Lasgushi ynë. Ju ç’mendim keni?

Nuk do të më pëlqente polemika në këtë rast, por në art paksa ndryshon kjo. Mund të punosh shumë e të mos arrish të reali­zohesh, (mungesa e talentit për shembull). Letërsia e, sidomos, poezia më duken më shumë dhunti.

Për rreth 150 vjet disa poetë shqiptarë janë bërë edhe mit edhe kult shpirtëror i shqiptarëve. A janë vërtet poetët të tillë, sot?

Sot është tjetër kohë. Naim Frashëri është bërë mit sepse koha e Rilindjes Kombëtare ka qenë e tillë, kohë e zgjimit dhe formimit kombëtar. Njëjtë edhe Gjergj Fishta e të tjerë.

Kur ndodhin luftërat, pse?

Rreziku për të shpërthyer një luftë është gjithmonë, por gjithmonë gjenden njerëz që i ndalin ato. Luftërat ndodhin atëherë kur nuk ka njerëz të aftë për t’i ndaluar.

Çfarë mund të bëjë letërsia, shkrimtarët, për t’i penguar luftërat?

Munden të mos e përkrahin së paku, të mos i fyejnë zjarrit të luftës, çfarë bënë disa shkrimtarë në Ballkan. E dini se një poet nga Ballkani është dënuar me burg të përjetshëm nga një tribunal ndërkombëtar për krime lufte, kjo është katastrofale. Shumë shkrimtarë të Ballkanit me primitivizëm luajtën rol të keq në luftërat e përgjakshme që ndodhën. Shumë prej tyre ishin me ndikim, por ata ose e zgjodhën heshtjen dhe nuk bënë asnjë përpjeke për ta penguar luftën, ose në emër të një “patriotizmi”, po ashtu primitiv, e përkrahën gjakderdhjen.

Në poezinë “Luftëtarët” shkruani: “Edhe mbrëmë/ S’shtina gjumë në sy/ A kanë bukë/ Për sonte morë/ Barot për nesër”. Cili është portreti i luftëtarit të ditëve tona?

Gjithsesi luftërat ndahen, ka edhe luftë mbrojtëse çfarë ishte kjo e jona. Tani lufta ka zënë vend te një pjesë jo e vogël e krijimtarisë sonë. Ne kishim një luftë dhe mezi e kaluam. E mbijetuam. Një gjë duhet ta kemi të qartë dhe duhet ta themi për brezat që po vijnë, vendi ynë nuk hyri në luftë nga dëshira, por nga imponimi dhe për të mbijetuar. Lufta ishte krejtësisht e pabarabartë. Ata kishin prapa vetës një armatë të madhe ushtarake, policore e paramilitare, me tërë arsenalin ushtarak të ish-Jugosllavisë që bashkë e përbënin një industri të madhe të vdekjes. Ne pothuajse nuk kishim asgjë, disa djem e vajza me dy duar mbi kokë u përpoqën që të organi­zojnë një mbrojtje për popullatën e pafajshme. Ata kishin gjithë admirimin e njerëzve, por pas luftës gjendja ndryshoj me një “salto mortale” që as sot nuk e kuptoj. Ata që ishin agresorë e aktronin viktimën, kurse në anën tjetër në skenë dolën dhjetëra mijëra “komandantë” që kishin bërë “namin” duke luftuar dhe njerëzit me të vërtetë ranë në konfuzion të thellë. Në njërën anë kishim mbi dhjetë mijë viktima civile të pafajshme e të pambrojtura, mijëra të zhdukur, mbi dhjetë mijë gra e burra të përdhunuar, e qindra mijëra shtëpi të shkatërruara, e rreth një milion qytetarë të dëbuar, pra përmasat ishin të një holokausti. Ndërsa në anën tjetër dhjetëra e mijëra mburra­vecë iu shtuan gueriles dhe luftë­tarëve të vërtetë që nuk ishin edhe shumë. Duke e parë këtë gjendje, njerëzit filluan që të mos kenë shumë respekt as për luftëtarët e mirëfilltë. Mendoj që një pjesë të fajit e kanë edhe luftëtarët e mirëfilltë, ata nuk do të duhej të lejonin që këta mbu­rravecë të zbehnin edhe kontributin e tyre.

A duhet të jetë shkrimtari nacionalist?

Po, në kuptimin e gjerë, por assesi në atë të ngushtë. Ndjenja kombëtare ekziston dhe duhet të ekzistojë, por assesi naciona­lizmi si ideologji politike dhe me ndjenjë dominimi mbi të tjerët. Ka kombe të mëdha e të vogla, ka kombe të zhvilluar dhe kombe që kanë stagnuar në zhvillim në çfarëdo plani qoftë, por nuk ka mbi kombe e super kombe.

Kur duhet të guxojë poeti dhe ku?

Gjithmonë, guximi e shoh si një veti. Vetitë nuk janë dhe nuk duhet të jenë të përkohshme ose të shpërfaqen me raste. Guximtar je ose nuk je. Nëse nuk je guximtar është mëkat të jesh poet. E tash ku? Sigurisht jo në fushëbeteja e as në ring boksi, por në krijimtari dhe në fusha debati, aty ku fjala dhe zëri i tij kërkohet edhe kur nuk dëgjohet.

Si e keni përjetuar periudhën e luftës. Sa është përfshirë ajo në kriji­mtarinë tuaj?

Lufta është përmbysje e madhe, është gjëja më tmerrshme që i ndodh njeriut, fatkeqësisht nga vet njeriu. Pra është një e keqe e madhe që njeriu i sjell vetës së vet. E pakuptueshme, absurde, por edhe paradoksale. Kam shumë poezi të kohës së paraluftës, luftës e pasluftës me motive të luftës, luftës për mbijetesë. Pak kohë para shpërthimit të luftës kam botuar një libër me poezi me atmosferë lufte me titull “Vdekja çon fjalë”. Dukej si një paralajmërim ogurzi se diçka e tmerrshme po vjen, se vdekja po vjen. Fatkeqësisht ashtu edhe ndodhi. Lufta erdhi dhe shkatërroi gjithçka. Para, gjatë dhe pas luftës unë shkrova poezi, por e pashë se një përbindësh i madh si lufta nuk ndalej dot me vargje, por ngushëllim gjeta, gjithsesi.

A shkruani edhe gjatë udhëtimeve, apo më shumë akumuloni gjatë shijimit të vendeve e të kulturave?

Nganjëherë më duket që edhe muza vjen pa të pyetur dhe ka shumë të panjohura, disi si vdekja, e mistershme, nuk dihet kur vjen dhe ku të vjen. Nëse më vjen gjatë udhëtimeve aty e shkruaj, nuk lë asgjë për më vonë. Po e lashë për më vonë më nuk e shkruaj. Por, muza ka shumë mistere.

Jeni poet që keni udhëtuar në vende e kultura ku jeni përkthyer e botuar. A ekziston ndonjë vend i qenë apo i paqenë që ju ndjek pas?

Nuk e di, ndoshta disa vende të thella të Afrikës. Më pëlqen ta njoh nga afër kulturën e Afrikës, ta shoh jetën e tyre. Nga ajo që di është se është shumë e pasur. Në takimet me shkrim­tarët nga vendet afrikane, sidomos të Afrikës lindore, ata më flasin shumë për vendet e tyre, pastaj në Kenia, Ruandë dhe Zambia kam miq. Ata më kanë ftuar shumë herë. Do të gjej kohë dhe do të shkoj, nëse Zoti na jep jetë. Po ashtu, në Afrikë ka poetë interesantë. Unë e lexoj poezinë e tyre vazhdimisht.

Çfarë e bën identitare letërsinë shqipe?

Letërsia shqipe, si ajo e shkruar si ajo folklorike, janë pjesë e pandashme e identitetit shqiptar. Identitare e bën aspirata kom­bëtare, e bën vetëdija kombëtare. Identitare e bën ëndrra dhe dëshira e shprehur për barazi, për liri dhe pjesëmarrjen e saj në vlerat evropiane dhe botërore.

Si pjesëmarrës në festivalet botërore të letërsisë, çfarë u mungon ngjarjeve tona letrare që i kanë, ta zëmë, francezët, rusët, rumunët?

I mungon tradita në organizim, edhe pse edhe Kosova dikur kishte traditë në organizime të tilla, si Mitingu i Poezisë, Deçani, festivali që organizohet në Rahovec, në Pejë etj. Por në vendet që ju i përmendini ato bëhen me më shumë buxhet. Po ashtu, atje ka më shumë përfshirje, p. sh., në Festivalin Mesdhetar të Poezisë në Sete të Francës i gjithë qyteti është i përfshirë në festival. Unë kam lexuar para mijëra shikuesve, orët letrare bëhen nëpër të gjitha rrugët, rrugicat e parqet e qytetit. Është fantastike të shohësh një qytet të tërë në orga­nizim të festivalit, apo festivali në Rumani që është ndër më të mëdhenjtë në Evropë që zgjatë rreth dhjetë ditë. Organizimi i një festivali jo vetëm festival poezie, por çfarëdo ngjarje tjetër kulturore merr shumë kohë e do shumë mund. Në fund kudo në botë merr mirënjohje e falënderim, kurse te ne është punë jofalënderuese, njerëzit vijnë për të parë dhe kritikuar, për të gjetur ndonjë mangësi dhe jo për të të përkrahur. Si poet, unë dua publikisht t’i falënderoj të gjitha ata që në Kosovë merren me organizime të tilla. E di sa e vështirë është.

Cila është ndjesia që ju pushton kur i dëgjoni poezitë tuaja në gjuhë të tjera?

Të jem i sinqertë, edhe pse periudhën e asaj kënaqësie të madhe e kam kaluar, përsëri kjo më kënaqë shumë. Fundja poeti shkruan për lexuesit. Kur ti je përkthyer në shumë gjuhë, ty të shtohen lexuesit, të shtohet mundësia. Janë disa gjuhë që mua më duket kanë më shumë muzikalitet, duken si gjuhë të krijuara për poezinë. Herën e fundit një aktore italiane dekla­monte vargjet e mia në një mënyrë që më bëri të ndihesha mirë.

Në realitetin tonë kulturor e aq më pak në realitetin letrar, rrallë ndodh që të festohen përvjetorë të librave. Ju e keni bërë këtë. Me një solemnitet në kolegjin AAB, shënuat këtë ngjarje, një vit para se të ndërronte jetë poeti Ali Podrimja. Si pjesëmarrëse në ngjarje, kujtoj se Podrimja ndihej tejet i nderuar. Ideja dhe realizimi ishte juaji. Cila është kujtesa për poetin/mësuesin e poezisë për të cilin një ditë thatë që ka qenë komandanti ynë?

Po, unë vazhdoj të besoj se Podrimja ishte “komandat” i brezit tonë, në periudhën e paraluftës dhe luftës, së paku i imi, po. Ai ishte poet i jashtëzakonshëm dhe i përkrahte poetët e brezit të ri. Ne ishim krijuar si brez emergjent. Në një periudhë kur ne dhe vendit tonë i kanosej shfarosja, ne shkruanim, nuk ndaleshim. Së paku me art e mundem të keqen, edhe pse nuk mundem ta parandalonim luftën, ajo ndodhi, por agresorët edhe poetikisht humbën nga ne. Vargjet tona ishin më të fuqishme se krejt ushtria e tyre. Po, pak para se të kalonte në amshim Podrimja, ishte 30-vjetori i librit “Lum Lumi” që, për mendimin tim, është libri më i mirë i botuar në gjuhën shqipe në të gjitha kohët. Ne e shënuam këtë përvjetor bashkë me Podrimjen dhe me shumë shkrimtarë të tjerë dhe shumë lexues të poezisë së Podrimjes. Mendoj se shkollave dhe universi­teteve tona u takon të organi­zojnë ngjarje të tilla. Nëse jo shkollave dhe universiteteve, atëherë kujt.

Në kuadër të AAB-së tashmë është bërë traditë të jepet çmimi presti­gjioz letrar që mban emrin e Ali Podrimjes. Edhe kjo ide ishte e juaja dhe deri më tani u është dhënë poetëve të njohur, të cilët ishin edhe miq të Podrimjes.

Po, AAB i ka të themeluar pesë çmime ndërkombëtare të fushave të ndryshme, ndër të tjera, edhe çmimin ndërkom­bëtar “Ali Podrimja”. Deri më tani këtë çmim e ka marrë shkrimtari i shquar shqiptar Ismail Kadare, poeti i famshëm malazez, tashmë i ndjerë, Jevrem Bërkoviq, si dhe poeti e skenaristi me famë botërore Abdullah Sidran. Është interesant se këta bashkëkohanikë të Podrimjes ishin edhe miq të poetit Podrimja. Ky çmim, në bazë të rregullores, nuk jepet post­mortem, prandaj jam i kënaqur që këtë çmim e ka fituar Jevrem Berkoviqi sa ishte gjallë. Po ashtu, edhe si prestigj çmimi “Ali Podrimja” është çmimi më i lakmuar letrar që tani ndahet në vendin tonë. Vitin e ardhshëm presim nominime nga mbarë bota. Ky çmim do të jetojë sa do të jetojë krijimtaria e Podrimjes, pra të jetë i përjetshëm siç është e krijimtaria e Podrimjes. Pra, prestigji i këtij çmimi nga viti në vit do të jetë më i madh e më i madh.

Pse poetët janë figura shpirtërore edhe në kombe të tjera?

Janë figura shpirtërore pikërisht sepse janë luftëtarë të mëdhenj dhe nxitës të mëdhenj të kauzave të kombeve të caktuar. Edhe veprimtaria e tyre realizohet jo dhunshëm, por përmes kriji­mit, përmes pendës, përmes shkrimit, përmes idesë, pra. Ata ndërtojnë kauza që dallohen në një mënyrë nga të tjerët.

Sa rritet poeti bashkë me vitet?

Shpesh më duket se poeti nuk rritet, madje duket që nuk ka as moshë. Brenda vetes së vet ka edhe të madhin edhe të voglin, shiheni çka përfaqëson ai në atë që shkruan. Herë duket fëmijë e herë një mijë vjeç. Duket se poetët kanë tjetër përllogaritje të kohës, nëse veç koncepti kohë për ta ekziston, nuk jam i sigurt. Herë më duket që poetët nuk kanë kohë, herë që u takojnë të gjitha kohëve. Jam konfuz, e pranoj.

 Fati i poetit i paracaktuar, i ndërtuar vetë, apo nuk keni mendim për këtë?

Besoj në teorinë e paracaktueshmërisë, por jo të gjithçkaje. “E paracaktuar kjo vdekja” thoshte Esenini, por shumë gjëra njeriu i ndërton vetë. Fati nuk i takon një dite apo një viti të caktuar, por si tërësi i takon gjithë jetës. Pra deri në vdekje. Vdekjen unë për vete nuk e quaj gjithmonë fat. Jetën po. Punën po, suksesin po, talentin po.

Në zyrën tuaj të madhe të punës, në mesin e shumë pikturave, në ballë mbretëron portreti i nënës suaj që shkoi relativisht e re nga kjo botë. Në njërën nga poezitë tuaja, janë disa vargje të pazakonta për nënën. Ikjen e saj e krahasoni me “Njëfarë vranësie/ Si hije”. Goditëse mungesa e goditëse figura.

Po, /njifarë vransie si hije/ si dhembje e rand/një terr syve u bie/, si dita pa diell/ si nata pa hanë/. Lidhja me nanën duket se ishte më e fuqishme sesa njeriu e mendon derisa e ka, duket se nuk është vetëm shpirtërore, ndoshta edhe biologjike, prandaj është vështirë e përballueshme. Ku ai “planeti’ nga ti ke ardhur për një moment nuk është. Ai portret është punuar nga piktori i famshëm boshnjak Sead Vladoviç dhe ma kanë sjellë nga Sarajeva. E mbaj në zyrën time dhe frymëzohem nga ajo. Nana ishte impresionuese gjithmonë. Fjalëpake, por i kishte fjala peshë. Vdekja e saj ka ndryshuar jetën time, madje ka ndry­shuar edhe krejt perceptimin që kam pasur për jetën. Tash mendoj ndryshe. Është interesante kjo lidhje që shkrim­tari ka me nënën, pothuajse nuk ka shkrimtar që nuk ka në krijimet e veta nanën, dhe kurrë askush nuk i ka quajtur temat për nanën të konsumuara në letërsi.

Thuhet se artisti duhet të jetë i sinqertë deri në fund të shpirtit të tij. Gjatë jetës suaj, sa herë keni takuar artistë të pasinqertë?

Është vështirë të përgjigjem, të them të drejtën. Jo vetëm artisti, por njerëzit në përgjithësi duhet të jenë të sinqertë, ndryshe ti duhet të bësh përpjekje që ta fshehësh mossinqe­ritetin, dhe kjo të bënë hipokrit, të bësh jetë të dyfishtë, e jeta e dyfishtë është kur bëhesh ai që s’je dhe kjo të bën njeri të keq. A kam takuar njerëz të tillë? Po, kam takuar. Edhe ata e kanë të vështirë, nuk e kanë të lehtë. Lutem për ta.

Lasgushi thoshte se arti është më i fortë sesa natyra, kurse piktori i njohur shqiptar Ibrahim Kodra, në një intervistë më thoshte se artisti, sidomos piktori, duhet të dijë ta imitojë natyrën. Ju, ç’mendim keni?

Natyra e ka mënyrën e vet të krijimit e krijuesi mënyrën e vet, kuptohet te të dy këta ka një lloj ndërgjegje. Zoti e ka krijuar natyrën. Ashtu si natyra që krijon dhe artisti në një mënyrë krijon gjithmonë diçka të re.

Në aktin e krijimit, sa ju shoqëron ajo ndjesia e papërcaktuar: a ia keni qëlluar?

Kur shkruan ti jeton mes dy ndjesish, mes asaj që ti je poeti më i mirë dhe mes asaj që ti nuk di të shkruash. Herë i rrokesh njërës anë e herë tjetrës derisa lexuesit s’ta thonë ndonjë fjalë. Gjithçka varet nga lexuesi. Nëse një poet mendon që ai di të shkruaj aq mirë saqë lexuesit nuk e kuptojnë, ai e ka gabim, sepse poezia është e lexuesit, ai e kupton poetin, e kupton aq shumë sa as poeti vetë nuk e kupton. Pra, lexuesit na kuptojnë edhe më shumë sesa ne e kuptojmë veten.

A ju ndodh shpesh ta lini poezinë të flejë?

Po, tani i lë të flenë edhe për shkak të përgjegjësisë për emrin, por dikur nuk i lija, i botoja më shpejt dhe më duket se atëherë veproja më mirë.

Kur i riktheheni vargut, a e rikrijoni/përpunoni?

Po, ndonjëherë, por nuk kam qenë kurrë i sigurt se versioni i dytë apo i tretë është më i mirë se i pari, apo jo. Në të tilla raste ka pasur edhe rast konfuzioni pastaj ,e ndoshta, edhe heqje dorë nga botimi.

Një segment i punës suaj është shqipërimi i vargjeve të poetëve modernë botërorë. Si u qaseni përkthimeve? Çfarë keni përkthyer deri më tash, ç’frymëzim ju nxit të shqipëroni një përkthim?

Natyrisht, unë lexoj shumë poezi dhe kur has në ndonjë poezi të mirë kam dëshirë ta përkthej. Nuk është që kam përkthyer edhe shumë por, me raste, herë pas herë ashtu, disa poezi spe­cifike. E kam thënë edhe më herët përkthimi i poezisë është edhe rikrijim, mendimi im është i prerë. Poezinë mund ta për­kthejë vetëm poeti, askush tjetër. Sado që mund ta njohësh mirë një gjuhë, pa e njohur mirë frymën që poezia e sjellë, nuk mund t’i përkthesh përbërësit e shumtë të poezisë dhe mesazhet poetike, ngaqë janë shumë vështirë të transme­tueshme pa qenë vetë poet.

A mund të rishkruhen poezitë e dorëshkrimeve të djegura në luftë?

Eh, këtu është dhimbja ime e madhe, është plaga ime e hapur. Një ditë gjatë luftës erdhi një konvoj me militarë dhe ata ma dogjën shtëpinë. Unë nuk isha luftëtar. Isha poet. M’u dogj biblioteka, m’u dogjën dorëshkrimet, fotografitë, kujti­met, letërkëmbimet. Një shkrimtar e di çka do të thotë t’i digjen librat. Atë pamje nuk e harroj kurrë në jetë. Unë isha vetëm nja dyqind metra larg kur një tym i zi filloi të dalë nga pullazi, pastaj flaka nga të gjitha dritaret. M’u duk se po më dilte flaka mua jo për shtëpinë si objekt, por shtëpinë si ndjenjë, si emocion, për bibliotekën, librave që i kisha mbledhur gjatë gjithë jetës po u dilte tymi, po digjeshin autorët e atyre librave, personazhet, po digjeshin Borëbardha e Hirushja, po digjej Barbara e Ana Karenina. Pas përfun­dimit të luftës shtëpia u rindërtua shumë shpejt, por librat dhe dorëshkrimet me tymin shkuan në qiell.

Ju kanë quajtur asket? A jeni i tillë?

Po, deri diku kanë të drejtë, kam qenë dhe jam refuzues i shumë gjërave të mira. Puna ime më ka mundësuar që të mund t’i marr shumë më shumë kësaj jete sesa realisht i marr, shumica e punëve që bëj janë të karakterit probona-publika. Shijoj shumë pak nga ajo që më takon nga puna ime. Arsyet e asketi­zmit tim, nëse veç ai ekziston, tek unë janë njerëzore.

A keni provuar të shkruani edhe gjini të tjera letrare përpos poezisë?

Jo që nuk më ka shkuar mendja, por kam dashur t’i mbetem besnik poezisë. Më duket sikur i bëj një pabesi asaj. Unë e pranoj se dikush e shkruan poezinë më mirë se unë, se e njeh më mirë se unë, por nuk mund ta pranoj që dikush e ndien poezinë më shumë se unë, se e do poezinë më shumë se unë. Këtë nuk mund ta pranoj. Nuk e pranoj sepse s’e besoj. Ndoshta maksimumi që unë do të mund ta pranoja është se dikush e do poezinë sa unë.

A mund të na shpjegoni misterin gjatë aktit të krijimit të poezisë?

Për mua kjo hyn në mesin e gjërave të pashpjegueshme ose aftësia ime për të bërë këtë përshkrim nuk ekziston edhe pse e kuptoj si proces. Janë ca gjëra që kuptohen, por kurrë nuk mund të shpjegohen.

Çfarë është për Lulin ‘poezia filigran’, si shkruhet?

Ndoshta duke i vënë emra të ndryshëm poezisë e duke e pike­tuar, rrjedhimisht ne e ndajmë dhe e kategorizojmë poezinë, frikë­sohemi pa të drejtë, andaj poezia për mua është në rrugë të vazhdueshme, gjithmonë për të qenë e përsosur e sa më e përsosur. Kjo e përfshinë tërësinë, kuptohet edhe poezinë “filigran”.

Çfarë e bën të rëndësishëm emrin e një shkrimtari?

Vetëm ajo që ai lë të shkruar dhe që është e aprovuar, e pra­nuar nga lexuesi.

Ç’rol ka luajtur libri në jetën tuaj?

Normalisht libri është bashkudhëtar në jetë, në punë, në çaste gëzimi dhe hidhërimi. Nuk e kam as më të voglën ide çka do të kisha bërë pa librin, sidomos pa librin me poezi.

Si libri që i riktheheni, ashtu disi?

E thashë edhe më parë, se duke u bazuar në një thënie për librin, se një libër që nuk meriton të lexohet dy herë nuk meriton të lexohet asnjëherë, por pavarësisht sa i mirë është një libër, unë i rikthehem vetëm librit me poezi, asnjë zhanri tjetër.

Cilën poezi nuk e keni shkruar ende?

Atë që nuk do ta shkruaj kurrë.

JETA

Çfarë është pija për një poet?

Mendoni sigurisht për alkoolin? Ka shumë studime për këtë. Olivia Laing, për shembull, është marrë me rolin që alkooli ka pasur në jetën dhe krijimtarinë e shkrimtarëve kryesorë amer­ikanë, saktësisht me lidhjet psikologjike midis alkoolit dhe lidhshmërisë pije/krijim. Shumë kryevepra letrare janë shkruar nën ndikim të alkoolit të autorëve, mos të flasim për poezi. Personalisht një shkrimtar të tillë e kam njohur dhe e kam pasur mik, Mirko Gashin. Ai ishte poet i jashtëzakonshëm, por edhe njeri i mirë, kur pinte e kur nuk pinte. Shumë shkrim­tarë kanë qenë alkoolistë, përfshirë Bukovskin. Heminguei bëri vetëvrasje. Por, është e vërtetë që alkooli u ndihmoi shumë shkrimtarëve të bëjnë art “ekstaza e mendjes” e quante Jack Kerouac. Tani po flas për vete, unë nuk di të kem shkruar diçka në gjendje të dehur. Unë shkruaj esëll. Në një mënyrë ndjenja dhe akti i krijimit dhe frymëzimit janë një lloj dehjeje.

Mund ta përshkruani dhomën tuaj të punës?

Po, ajo ka në një kënd bibliotekën, një kënd me koleksion të verërave që unë e quaj verotekë dhe një me uiski që unë e quaj, po ashtu, uiskotekë, pra bibliotekë që është emër i njohur dhe i huazuar dhe dy emërtimet e tjera më shumë origjinale Uiskotekë dhe Verotekë. Nuk më ka thënë që i ka asnjë poet tjetër, si dhe një tavolinë e punës. Po ashtu, i kam edhe disa instrumente muzikore që herë pas here merrem me to.

Ushqimi që ju shijon, apo dieta që ju ka hequr kilogramët?

Brumërat dhe ëmbëlsirat, ato ma shtuan peshën, kisha bërë shumë kilogramë. Dikur e pashë se po rrëshqas shumë dhe bëra regjim ushqimi dhe ecje vrapim. Për katër vjet hoqa njëzet e pesë kilogramët e tepërt dhe tani në dhomë të gjumit e kam një peshore dhe e peshoj veten çdo ditë.

Zoti, religjioni apo të dy bashkë?

Zoti.

Në poezinë tuaj Zoti shkruhet me shkronjë të madhe. Duket se i besoni, derisa hasim, p. sh., në një varg: “Zot, më pëlqen humori yt me dhimbje”, si ka mundësi të bëni shaka me Zotin të cilit i besoni?

Shikoni, jam kundër leximit statik të poezisë, Poezia nuk lexohet ngurtësisht, ne Zotin e njohim mirë. E dimë çka thonë librat e shenjtë e çka thotë shkenca, ia njohim fuqinë, ia shohim veprat çdo ditë, dhe derisa ne e njohim, besoj që edhe ai na njeh ne. Librat e shenjtë thonë se Zoti na njehë ne. Fundja njeriu bën shaka me ata që i do. Unë Zotin dhe ligjin i respektoj dhe i dua.

Vetura apo ecja?

Ecja gjithsesi. Unë eci dhe vrapoj vazhdimisht tash e shumë vite që kur kam rimarrë veten në kontroll dhe kam një rënie të ndjeshme në peshë. Të gjitha i kam arritur me aktivitet fizik.

A rebeloheni shpejt?

Shumë rrallë.

A jeni gjaknxehtë në çaste krijimtarie, pune, udhëheqje, mësim­dhënie apo familjare?

Gjaknxehtë jo, në krijimtari, mësimdhënie, familje asnjë­herë. Në punë, po. Puna, normalisht, që të jep stres dhe atë stres ti ndonjëherë e konverton brenda vetes në nervozë, pastaj nervo­zën e manifeston dhe bartë te bashkëpunëtorët. Natyrisht që kjo e dëmton vetë punën, natyra e punëve që unë bëj e do që të marr shumë vendime. Ato vendime, përveç që janë shumë, merren edhe shpejt, nuk di që ndonjëherë në gjendje nervoze kam marrë vendimet më të mira.

Si riktheheni?

Kthehem shpejt, e bëj me kërkimfalje ose e pres atë.

Çfarë bëni kur nuk doni të rebeloheni?

Numëroj me vete, numëroj pa zë, kjo më del më mirë, nuk rrotulloj e as përmbys tavolina. Rrotullimet dhe përmbysjet i bëj në kokë. Njerëzit më thonë se vërehem nga fytyra dhe mesa­zhi shkon, duket njësoj.

Lul, cilat kanë qenë ëndrrat e tua të fëmijërisë?

Paranë e fituar me meritë dhe vlerat në përgjithësi i kam dashur gjithmonë. E pranoj se të gjitha ëndrrat i kam pasur të lidhura me poezinë. Të shkruaja poezi, të lexoja poezi. Poezia më mundësonte të fluturoj. Fluturimi është ëndrra e çdo fëmije.

A shpenzoni shumë, a kurseni?

Nuk shpenzoj. Unë punoj gjithë ditën, për të shpenzuar duhet edhe kohë. Ditën e kaloj me shumë pak para, ndoshta të vetmin shpenzim e kam në veshje.

Vetë i pesti vëlla dhe një motër, e secili prej jush drejtoni pjesë me rëndësi të kompanisë. Si arrini t’i bashkëveproni të gjitha kur dihet se gjysma prej jush jeni artistë, dy poetë e një aktor?

Janë bërë më shumë se tri dekada nga rënia e komunizmit dhe sado që në rrethana të vështira në fund të viteve të ‘90, Jugosllavia e atëhershme i ndryshoi ligjet dhe nga ekonomia centraliste e tregut – kaloi në ekonominë e lirë të tregut. Lexu­esve të gjeneratës sonë dhe atyre të mëhershmeve u kujtohet kjo periudhë, të ashtuquajturat reformat e Ante Markoviqit, një inxhinier kroat që erdhi në krye të qeverisë federative. Ai lejoi themelimin kompanive private dhe aty shqiptarët, duke qenë se masivisht po dëboheshin nga puna, nuk u mbeti opsion tjetër përveç krijimi i sektorit privat dhe vetëpunësimit. Më kujtohet që vetë Markoviq kishte ardhur në Prishtinë dhe kishte lavdëruar shqiptarët e Kosovës se janë treguar të shkathët në krijimin e kompanive private, tjetër që Serbia më vonë u stërkequ gjithçka. Aty edhe ne si familje, pas dëbimit nga puna, pas grevës së tre shtatorit, mbetëm pa asnjë të punësuar në familje dhe kishim nisur themelimin e një kompanie private. Të themi më mirë se ne po riktheheshim për të vazhduar traditën e nisur nga gjyshi që kishte punuar deri në pension në sektorin e tregtisë. Pra pas gjyshit, babai ishte ai që themeloi bashkë me ne një kompani private, pastaj të gjithë vëllezërit me rend, pastaj edhe motra, pastaj edhe fëmijët tanë dhe tani në familjen tonë është brezi i katërt që merret me afarizëm. E para ishte vajza ime Lirika që ka themeluar një shkollë profesionale shumë të suksesshme. Me gjithë këtë, ne kurrë nuk iu ndamë as artit, ngaqë edhe biz­nesi është veprimtari krijuese. E thatë ju që Iliri është aktor shumë i njohur, pastaj Bujari një shkrimtar i mirëfilltë, unë që nuk iu ndava kurrë poezisë, prandaj e them si me shaka, siç e thoshte Azem Shkreli për familjen e vet, në familjen time kemi aq artistë sa për ta themeluar një shoqatë të vogël të shkrim­tarëve dhe artistëve.

Shtëpia si hapësirë apo shtëpia si koncept?

Gjuha angleze e ka ndarë më së miri këtë se ka dy emërtime house për shtëpinë si ndërtesë dhe Home për shtëpi me ndjenjë. Unë jam për këtë të dytën.

 

Çfarë paraqet paraja për ju? Si i keni marrëdhëniet me to?

Ne punojmë shumë dhe kundërvlera që marrim, përveç këna­qësisë që puna i jep njeriut në vetvete, është paraja. Në ndërma­rrësi paraja është mjet pune, pa para nuk mund të punosh. Mua paratë më duhen për punë, për aktivitete afariste, për pagesë të ardhurave personale për të punësuarit, për shpenzimet e domosdoshme logjistike të punës, për zhvillim dhe për hapje të vendeve të reja të punës, për pagesë të taksave dhe tatimeve. Paraja e një ndërmarrësi dallon nga paraja që njerëzit tjerë e kanë në duar. Paraja për një ndërmarrës është e pazëvendësueshme. Pra paraja për një ndërmarrës është ashtu siç është brusha për një piktor siç është, ta zëmë, traktori për një bujk.

A ka rrezik që luksi ta dëmtojë letërsinë?

Luksi (nëse nuk është përbuzje) nuk dëmton asgjë, përkun­drazi ndihmon. Të krijon mundësi për të udhëtuar, për të parë vende dhe për të njohur më shumë kultura.

 Keni themeluar një universitet të madh, një shkollë fillore e dy të mesme, po ashtu edhe një shkollë profesionale si dhe një institucion shëndetësor, një media të fuqishme. Sa është e vështirë kjo në një vend postkomunist?

Nuk ishte e lehtë sidomos të veprosh në sektorin e arsimit në një vend të dalë nga komunizmi, kur komunizmi ende nuk ka dal nga ne. Arsimi e shëndetësia janë ato dy “oazat” e fundit të socializmit në Kosovë, por edhe kjo po kalon. Të rinjtë tanë, brezi i teknologjisë, kanë besim te ne. Ata janë në hap me kolegët e tyre nëpër botë. Ata e dinë se në të gjitha ranglistat botërore të cilësisë, universitetet private prijnë për nga cilësia. Të rinjtë tanë po i japin fund mendësisë komu­niste. AAB tani më nuk është vetëm qendra arsimore në vend. Duke qenë universiteti më i madh në vend, por edhe qendra kryesore e kulturës dhe librit, ne kemi dy teatro profesioniste, organizojmë festivalin ndërkombëtar të teatrove dhe shumë e shumë aktivitete të përditshme rreth të cilëve janë mbledhur njerëzit e kulturës në vendin tonë. Po ashtu, ne kemi edhe TV-në, radion, portalin, revistën shkencore dhe shtëpinë botuese që shquhet për botimet cilësore të librit shkencor, letrar dhe publicistik.

Në ndërkohë disa biznese të tjera të familjes suaj të fushës së prodhimit, ndërtimeve, sigurimeve dhe shërbimeve gjenerojnë sukses dhe punësim, si tatimpaguesi i vitit në Kosovë. Pastaj, ku gjendet koha për letërsi?

E thashë më herët, edhe ndërmarrësia është punë krijuese ngaqë do shumë kreativitet, guxim, përkushtim e dashuri. Nuk shoh ndonjë dallim të madh mes artit dhe ndërmarrësisë. Unë vij nga një familje ku të gjithë merren me afarizëm në fusha të ndryshme. Familja ime ka katër ose pesë ndërmarrje në listën e tatimpaguesve të mëdhenj, kurse njëra nga këto ndërmarrje vitin e kaluar u shpall tatimpaguesi i vitit. Të them të drejtën, kjo më bëri krenar. Sa i përket kohës për letërsi, ajo gjendet gjithmonë. Leximin dhe krijimin unë i konsideroj çlodhje dhe relaksim pas punës.

Si refren na është përsëritur në orët shkollore të letërsisë se poetët kanë qenë të varfër, fshatarë, se janë arsimuar me vësh­tirësi. Me kohë e pamë, e mësuam se kjo nuk ishte e vërtetë.

Po ashtu, i kemi mësuar në shkolla, apo na kanë detyruar t’i mësonim. Arsimtarët na pyesnin për biografitë e shkrimtarëve dhe të gjithë ne e nisnim se lindi në një familje të varfër fshatare, se kështu shkruante në libra. Kjo edhe mund të qëndronte, por natyrisht jo te të gjithë, ka pasur edhe shumë shkrimtarë të pasur, shumë të mirë dhe shumë të pasur.

E kujtoj se në vitet ’80, kur isha nxënëse, publikohej në “Rilindje” të shtunave një rubrikë për shkrimtarët e gjallë. Asokohe shkruhej pothuajse për secilin, rrjedh nga një familje e varfër. Asokohe/ komunizëm, ka qenë normale që poeti të jetë i varfër. Po sot, Luli?

Atëherë ishte komunizmi dhe komunizmi i kishte varfëruar të gjithë, edhe shkrimtarët nuk mund të bënin përjashtim. Komunizmi nuk kishte varfëruar vetëm nga pjesa materiale, në shumë raste kishte varfëruar edhe mendjet e njerëzve. Kjo nuk i falet komunizmit. Përveç krejt të këqijave, komunizmi ishte edhe shpirtngushtësi. I varfër nuk duhet të jetë askush. Varfëria duhet të ç’rrënjoset. Te poeti disa gjëra dallojnë sepse tek ai gjithçka ka hijeshinë e vet. Më duket se poetit i ka hije edhe varfëria, i ka hije edhe dhembja, alkooli, njësoj siç i kanë hije edhe eleganca, pedanteria, pasuria e kapitalizmi. Poetit i rri mirë gjithçka. Poetit të mirë është fjala. Por sot shkrimtari nuk duhet të jetë i varfër. A është e vështirë kjo? Natyrisht se po, tregu i ngushtë i lexuesve, librat me tirazh të vogël, çmimi i ulët i librit, pagesa e vogël e honorarëve, të gjitha këto ndikojnë. Por, shkrimtari nuk e ka të ndaluar të bëjë edhe punë të tjera dytësore. Secili shkrimtar mund të hapë një ndërmarrje qoftë edhe të veprimtarisë intelektuale, shtëpi botuese, librari, gazetë, revistë, radio, portal, televizion, shkollë, universitet, çerdhe të fëmijëve etj. Edhe po qe se nuk e bëjnë këtë gabojnë ngaqë nuk kanë mundësi që të jetojnë vetëm nga veprimtaria kri­juese. Nga shkrimtarët e letërsisë shqipe ndoshta vetëm Kadare deri-diku mund të jetojë nga shkrimi, edhe ai për shkak të fatit të madh që pat për të depërtuar në botë si i përkthyer dhe fati që ka botues të mëdhenj e seriozë.

Kjo i bie që shkrimtari jo vetëm duhet të mbijetojë, por edhe të jetojë, apo jo?

Shkrimtari nuk duhet vetëm të mbijetojë, por duhet të jetojë dhe jo vetëm të jetojë, por të jetojë më mirë se krejt profesionet e tjera, ngaqë i takon.

Sa për ta ilustruar mendimin tuaj, po përmend se para disa ditësh ju e keni përkthyer dhe publikuar poezinë “Kënga dhe vaji” të poetit miliarder kinez Huang Nubo, i cili, ndër të tjera, shkruan: “Kur fitoj, këndoj me zë të lartë/ Kur humbas, pushoj menjëherë”.

Po, unë shkrova për të në profilin tim për t’i inkurajuar shkrimtarët që të merren me biznes. Biznesi nuk e dëmton artin, përkundrazi e ndihmon. Edhe biznesi është siç do punë tjetër, ku suksesi të jep kënaqësi e dështimi trishtim. Unë i përktheva disa vargje të tij dhe e titullova shkrimin “Kënga dhe vaji i poetit miliarder”. Huang Nubo nuk është çfarëdo poeti. Ai është ndër më të mirët që ka Kina, por edhe ndër më të pasurit. “Forbes” e ka vendosur atë në mesin e njerëzve më të pasur në Kinë. Pasuria e tij, sipas “Forbes”, është 1.1 miliard dollarë. Të them të drejtën, unë marr frymëzim nga poetë të tillë.

Jeni themelues i ATV-së, ndërsa për herë të parë shfaqeni në këtë intervistë me tërësinë tuaj jo vetëm prej poeti, por edhe biznesmeni. A ka në botë poetë dhe biznesmenë?

Po, ATV është televizion që iu shtua skenës mediale të vendit dhe hyri furishëm në shtëpitë e kosovarëve dhe shqiptarëve në përgjithësi kudo që janë. Edhe u prit jashtëza­konisht mirë. Kur e filluam universitetin, ne e filluam progra­min e parë – atë të komunikimit masiv dhe gazetarisë dhe qysh atëherë u patëm premtuar studentëve se do të themelojmë një shtëpi mediale, dhe pasi që ne vetëm e kishim radion, portalin e gazetën, ne e rrumbullakuam edhe me televizionin dhe, siç e keni parë, ATV për një kohë shumë të shkurtër u bë televi­zioni më i shikuar në vend. ATV është televizion me vizion të qartë, është televizion promuovues dhe ka për qëllim ta ndjekë lajmin e mirë dhe përcjell sukseset e njerëzve e t’i përkrahë ata. Dallon nga mediat e tjera shumë në këtë plan. Ka shumë hapësirë për librin, artin, argëtimin e suksesin dhe shumë pak merret me lajmin e keq. A ka poet biznesmen në botë? Jo vetëm që ka, por ka shumë, madje janë shumë poetë të mirë.

Si i keni raportet me faljen? A e ndeshni vetën duke kërkuar falje dhe duke e pranuar faljen e të tjerëve?

Çfarëdo keqkuptimi që kam pasur në jetë, epilogu ka qenë ai me falje, ose i kam falur kur ata nuk kanë pasur të drejtë, ose u kam kërkuar falje dhe e kam marrë atë falje nga ata kur unë nuk kam pasur të drejtë. Pra, edhe kërkoj falje edhe pranoj falje. Zemërimet kurrë nuk duhet të zgjasin përgjith­monë. Ato duhet të pushojnë sapo të pushojnë edhe arsyet e asaj që i ka shkaktuar ato zemërime.

A keni armiq?

Po, por jo armiq njerëz, por koncepte, pastaj brenda koncep­teve dhe dogmave, sidomos atyre të vjetruara dhe të dala boje. Ka njerëz që i përfaqësojnë ato koncepte dhe dogma dhe ata njerëz pastaj janë armiqtë e mi.

Kur i keni, a i shpallni të tillë, a përpiqeni t’i bëni miq, apo i injoroni?

Ata të shpallur janë, kur është e shpallur dogma e tyre, për shembull, komunizmi, aty bëjnë pjesë komunistët, neokomunistët dhe komunistët antikomunistë. Kaq, shumë e thjeshtë është kjo. U kuptuam, armiq personalë nuk kam, përveç ndonjë rasti të rrallë, incidenti. I bëj miq apo i injoroj varet nga shkalla e së keqes që më kanë shkaktuar. Në jetë kam pasur shumë pak gjëra të këqija. Edhe ato pak gjëra të këqija që më kanë ndodhur, në të gjitha rastet janë njerëz që kryesisht u kam bërë ndonjë të mirë. Pak gjëra mbesin për në botën tjetër, edhe e mira edhe e keqja kthehen në këtë botë. Nëse i ke bërë një të mirë një njeriu të mirë nga ai do të marrësh gjëra të mira. Nëse asgjë tjetër nuk merr ti, për shembull, një falënde­rim, një buzëqeshje. Kurse nëse i ke bërë një të mirë një njeriu mosmirënjohës që në kara­kterin e tij nuk ka asgjë të mirë për të të kthyer, ai ta kthen me të keq sepse nuk ka të mira dhe nuk dëshiron të ngelet obligues.

Në fakt, si mund të mbahen miqtë, mikeshat?

Vetëm pa kushte, në asnjë mënyrë e asnjë rast tjetër. Unë kam miq të mirë ndoshta pse nuk jam marr në radhë të parë me politikë dhe nuk kam ushtruar pushtet. Atëherë s’e di cilin mendim do ta kisha. Kam lexuar që njerëzit e pushtetshëm kanë miq të rrejshëm e armiq të vërtetë, personalisht mendoj se më i keq është miku i rrejshëm se armiku i vërtetë.

Në dinamikën e zhvillimit të gjërave, për çfarë pendoheni që e keni apo nuk e keni bërë?

A e dini si, kur dikush bën një mijë punë brenda ditës ashtu siç i bëj unë, disa edhe mund të mos i bësh mirë, mund të bësh edhe gabime, e pastaj normalisht thua pse e bëra apo pse s’e bëra, mund të mos e bëja apo mund ta bëja më mirë, kjo më ndodhë përditë, për tjetër gjë nuk di që të jem penduar. Kush punon i ndodhin gabime, por e rëndësishme që puna jote të mos jetë e mbështetur në gabime. Kjo nuk më ndodh. Dhe kjo ka rëndësi për mua.

Mosmirënjohja, a është përditshmëri apo mallkim?

Mallkim. Në librat e shenjtë mosmirënjohja është e mallkuar. Qoftë mallkuar mosmirënjohja! Kurse në një shtet ka pasur një iniciativë ligjore që mosmirënjohja të kriminalizohet, të bëhet pjesë e Kodit Penal. Pra, mosmirënjohja të konside­rohet krim. Si profesor i së drejtës penale jam që mosmirë­njohja të kualifikohet si krim. Pas gënjeshtrës dhe hipokrizisë, ndoshta mosmirënjohja është gjëja më e rëndë që një njeri e bartë në shpirtin e tij. Çuditërisht, as gënjeshtra (përveç asaj përpara një gjykate) as hipokrizia nuk janë të ndëshkueshme me ligj.

Përsëri po kthehemi te puna. A ekziston edhe bukuria e të qenët aktiv?

Tash po më nxit të flas për punën dhe do të flas. Punoj që nga mosha shtatëmbëdhjetë vjeçe, njëzet e katër orë në ditë, siç thotë populli, hiç pesë orët e gjumit. Duket ndoshta e pabe­sueshme, por punoj edhe të shtunën dhe të dielën. Brenda vitit bëj pesë ditë pushim. Tani edhe ato pesë ditë punoj pothuajse gjysmën e kohës online. Nuk mund t’i ndahem punës, nuk më lëshon ajo edhe po të dua unë. Gjithçka arrihet me punë e përkushtim, por edhe me seriozitet, pedanteri, me disiplinë. Në jetën time kurrë nuk jam vonuar për punë, kurrë nuk më ka ikur asnjë termin, as në takimet me miq nuk vonohem kurrë. Shumë nga miqtë e mi që e lexojnë këtë intervistë do t’jua pohojnë këtë.

Tash që i shihni të rritura vajzat tuaja, të pavarësuara, a ju zë droja që po shkoni drejt pleqërisë?

E thatë bukur, i shihni të rritura vajzat. Po, i shoh dhe kjo më mbetet pengu i jetës sime se unë nuk i pashë ato duke u rritur. Volumi dhe dinamika e punëve të mia ishte shumë e madhe dhe unë nuk i pashë ato duke u rritur, vetëm i pashë të rritura. Droja e pleqërisë nuk më zë edhe pse njeriu e kujton gjithmonë vdekjen, por kurrë pleqërinë dhe mirë bën që nuk e kujton. Fundja mosha është sukses. Derisa nuk ka alternativë tjetër, kaq e thjeshtë është kjo. Ose plakesh ose ndalesh rrugës, vdes i ri. Përsëri pra pleqëria është më e mirë. Nuk pendohem për punën që e kam bërë në raport me jetën sepse jeta ecën, s’ka gjë që e ndalon, prandaj më mirë të kaloj jeta duke punuar se duke mrizuar.

A të flasim për nipat tuaj të vegjël?

Kam dy nipa, Edenin dhe Ledin. Kur fiton statusin e gjyshit është një ndjenjë e përzier. Gjyshi si status është shumë stresues, por si ndjenjë e pa përshkruar.

Përmendët gjumin. A është pushim i domosdoshëm apo pakt që e prishni shpesh dhe herët?

Edhe kjo ndoshta mund të jetë interesante. Në jetën time as kur kam qenë me ndonjë grip apo i sëmurë, ora 6 e mëngjesit nuk më ka gjetur me sy mbyll. Besoj se ka pasur njerëz që flenë më pak se unë. Po ashtu, kurrë në jetën time nuk kam fjetur ditën, madje as kur i bëj ato pesë ditët e pushimit. Kjo ndoshta është edhe trashëgim. Gjyshi im ka qene njeri i njohur në anën tonë si njeri që është zgjuar herët. Po ashtu, kurrë në jetë nuk më ka ndodhë që kur jam zgjuar të mos e gjejë edhe babanë tim të zgjuar. Jam rritur me thënien se ai që zgjohet herët i ka dy fate, një të vetin dhe një të atij që fle, kurse ai që fle, kur të zgjohet, nuk e gjen asnjërin.

Kur ju rrjedhin lotët zakonisht?

Lotët flasin. Natyrisht lotët rrjedhin atëherë kur ti nuk mund më të thuash atë që do ta thuash. Lotët janë mungesë e forcës për të thënë diçka me fjalë, nga gëzimi apo nga trishtimi, por jo vetëm, lotët nuk të pyesin shpesh, tregojnë diçka edhe ti kur nuk do ta tregosh. Pra, më rrjedhin në të gjitha këto raste.

Në krijimtarinë tuaj ndeshim poezi për vdekjen, ironi me vdekjen, por mbizotërojnë poezitë për jetën. Ju si krijues, si njeri, para së gjithash, si e ndërtoni dashurinë për jetën?

Jetën as shkrimtari nuk mund ta shohë ndryshe nga të tjerët përveç se një rrugëtim nga lindja në vdekje. Vdekja ka qenë gjithmonë temë interes për shkrimtarët. Nuk ka shkrimtar që nuk e ka trajtuar në mënyrën e vet vdekjen njerëzore. Ka qenë gjithmonë e errët nga misteri. Poeti flet për vdekjen edhe kur flet për parajsën dhe për ferrin. Parajsa dhe ferri, në mënyrën si na e përshkruajnë, për të vdekurit janë. Përballë vdekjes nuk kam gjetur asnjë armë tjetër përveç ironisë. E vetmja që më është dukur më efektive në këtë rast është ironia. Vdekja është një nga proceset më të natyrshme. Unë jam pajtuar me vdekjen prej kohësh. Vdekjes nuk duhet t’i frikësohemi. Vdekja në një mënyrë nuk është e keqe. Latinët e vjetër njerëzit i quanin vdekatarë, madje vdekja na bënë të barabartë edhe në jetë.

A ka qenë ndonjëherë politika pjesë e pasioneve tuaja?

Jam vëzhgues aktiv i politikës, edhe pse nuk merrem me të. Politika merret me ne dhe e influencon jetën tonë, sidomos punën tonë.

Ose a e dëmton politika një krijues?

Krijuesin e mirëfilltë nuk e dëmton asgjë, as politika, as biz­nesi, asnjë punë tjetër.

Shikuar nga kjo kohë, si i shikoni poetët që e kanë vuajtur censurën dhe autocensurën?

Autocensura është më e keqe se censura. Autocensura, edhe pse burimin e ka te censura, është censurë e dyfishtë. Për një krijues është vdekje për së gjalli, prandaj si vuajtje mendoj se e kanë vuajtur autocensurën.

T’i bëjmë pak lak bisedës. Cila ka qenë dashuria juaj e parë dhe e fundit?

Dashuria është dashuri, si në fund si në krye, s’ka të parë e as të fundit. Dashuria e parë është dashuria e fundit dhe dashuria e fundit është dashuria e parë. Nuk ka asnjë dallim mes dashurisë së parë dhe asaj të fundit.

A i keni realizuar përherë gjërat që i keni dashur apo gjatë rrugëtimit, dëshirat dhe realizimet kanë qenë në shpërputhje?

Kam punuar shumë dhe para secilës punë kam bërë një plan së pari në kokën time, pastaj e kam paraqitur te bashkëpunëtorët e mi dhe kam kërkuar që të realizohet. Projektet e punës kanë qenë dëshirat e mia kryesore (jashtë poezisë kuptohet) ato i kam realizuar, i kam realizuar edhe për shkak se nuk kam bërë plane vetëm nga dëshira pa mbulesë, por ato kanë qenë reale edhe pse në shikim të parë janë dukur vështirë të realizueshme, dhe tani do të ishte e padrejtë që unë me gjithë këtë punë të kem dëshira të parealizuar, që i bie se nuk kam.

E DREJTA

Cili është koncepti për lirinë i Lulzim Tafës?

Për njeriun s’ka asgjë më të rëndësishme se liria. Liria është mundësi për të vepruar sipas dëshirave, ideve, interesave dhe targeteve por, pa cenuar dhe pa e prekur lirinë që i takon atij tjetrit; prandaj liria është forcë. Pa forcë ti nuk lëviz dot.

Cikli për robërinë, a është morbid apo hap drejt çlirimit?

Në poezi? Drejt çlirimit, ndryshe do të mbetej pa kuptim.

Herë pas herë në shkrimet tuaja jeni paraqitur me mendime të qarta për tema të mëdha e globale, Eutonazia, për shembull?

Edhe si poet, por edhe si jurist, më ka takuar që të flas për këtë teme ngaqë e drejta për jetë është e drejta kryesore e njeriut, është kryeedrejta e të gjitha të drejtave. Kushtetuta e Republikës së Kosovës ashtu si edhe të gjitha kushtetutat e tjera të vendeve demokratike e njohin të drejtën në jetë si të drejtën thelbësore. Të drejtën njeriu e fiton që në embrion në trupin e nënës. Është e ndaluar vrasja e frytit. Është e ndaluar edhe vrasja e fëmijës që lind me të meta të theksuara, të gjymtë, me mungesë organesh apo organe të tepërta, deformime të rënda në kokë në trup. Është e ndaluar edhe vrasja e atij që pa të drejtë quhet “monstrum”. Është e ndaluar edhe vrasja e njeriut të diagno­stikuar me çfarëdo lloj sëmundje qoftë edhe të pashërueshme dhe të pashpresë. Ndalohet edhe vrasja e njeriut për të cilin është edhe krejtësisht e qartë se brenda një kohe të shkurtër pritet të vdes. Të gjitha këto i keni në libra dhe në ligje penale. Merrini dhe shihini, i gjeni kudo në literaturë. Kudo në botë, në qarqe edhe akademike dhe shkencore, por edhe ato reli­gjioze (rasti i inkuadrimit në këto debate edhe i kishës katolike) zhvillohen diskutime dhe jepen mendime të ndryshme lidhur me atë që quhet “vrasje nga mëshira” që ndryshe njihet edhe si Eutonazia. Në thelb, kuptimi i eutanazisë është menduar si pozitiv, por vetëm formulimi “vrasje nga mëshira” përmban brenda vetes situatën më kontroverse që e njeh fjalori i një gjuhe. Pra, edhe vrasje që është vepër e rëndë penale e ndaluar, e që është pjesë e fjalorit kriminal, por edhe mëshirë, që është një nga fjalët që e njeh fjalori human. Pra kemi një përballje mes vrasjes dhe mëshirës. Të them të drejtë, mbi këto përpla­sje të skajshme gjendet edhe sot situata me aprovimin ose jo të eutanazisë, zëra për e kundër ka. Normalisht zërat kundër janë me shumicë, por përmbyllja e debatit, nxjerrja e konklu­dimit të akorduar është pothuajse e paarritshme. As religjioni nuk e lejon eutanazinë, dhe jo vetëm që nuk e lejon, por edhe e ndalon, madje e sheh si mëkat, ndoshta edhe më mëkat se vrasjen klasike (nga jomëshira). Prandaj, mbasi e keni lexuar, e keni parë që unë i kam thënë jo eutanazisë.

A mund të flitet për drejtësi të vonuar apo për drejtësi të munguar në vendin tonë?

Të dyja bashkë, por të vonuar më shumë. Drejtësia e vonuar është padrejtësi. Sa më e gjatë që është vonesa aq më e madhe është padrejtësia. Një gjë duhet sqaruar, ligje kemi, vendi ynë nuk e vuan mungesën e ligjeve, por zbatimin e tyre. Proble­met janë me abuzimin me ligjin. Pra, ligje kemi, por e them shpesh me shaka se na duhet vetëm edhe një ligj tjetër, një ligj për ta zbatuar ligjin. Shumë njerëz nuk e kanë kuptuar ligjin, qëllimin dhe frymën pse bëhet një ligj. Polici, prokurori, gjykatësi dhe të gjithë aktorët e tjerë të zbatimit të ligjit, duhet të jenë shembulli i zbatimit dhe respektimit të ligjit. Njerëzit nuk duhet t’i kenë frikë ata kur t’i shohin. Kur qytetari takohet me policin, prokurorin apo gjykatësin, duhet ta shoh te ta sigurinë e jo frikën. Zotin dhe ligjin duhen dashur e duhen respektuar. Ata na japin sigurinë tonë për të drejtat që na takojnë. Për gjërat që janë tonat. Cilat janë gjërat tona që na i mbron ligji? Është jeta jonë, shëndeti ynë, prona, nderi, autoriteti, familja, puna. Pra, gjërat që na takojnë ne. Ligji është për këtë.

A keni miqësi me politikanët?

Po, me intelektualët e politikës, por jo me banditët. Fatkeqë­sisht në politikë ka banditë, ka shumë banditë.

Çfarë mund të bisedohet me ta?

Varet prej profesioneve që kanë, disa i kam kolegë, profe­sorë; me intelektualët e politikes është e lehtë biseda. Por, unë anoj dhe insistoj në biseda për letërsinë. Disa prej tyre lexojnë letërsi, janë edhe disa që lexojnë poezi dhe që e njohin poezinë, natyrisht e bëjnë bisedën më të ngrohtë dhe miqësore sepse disi politika të jep ndjesën e ftohtësisë, gjithmonë.

Sa ndiheni i bekuar, i rrethuar me bijat dhe gruan, duke qenë burrë pakicë në familje?

Unë jetoj me bashkëshorten dhe me vajzat. Jam i bekuar. Është e bukur jeta me to, kanë shumë dëshira, bëjnë shumë plane dhe unë jam në shërbim të tyre. Nuk ndihem i diskrimi­nuar absolutisht, përkundrazi më pëlqen. Vajzat më thonë, ti je baba për çika, dhe kjo me kënaqë shumë. Jam i sigurt se si baba i djemve nuk do të dija të jem baba i mirë.

A keni biseduar me ndonjërën prej tyre për poezinë?

Po, me vajzat dhe gruan temat për poezinë dhe letërsinë janë dominuese. Bashkëshortja ime, Flora, është e pasionuar pas poezisë. Po ashtu, di shumë poezi përmendësh, kurse vajzat më shumë i shoh teksa lexojnë romane. Unë nuk u imponoj shije.

Kemi lindur e jemi rritur në komunizëm. Ç’mendim keni për atë periudhë?

Komunizmi është një e keqe e madhe që i ka ndodhur njerëzi­mit, apo një pjese të saj ku bëjmë pjesë edhe ne. E kam thënë pothuajse në çdo mundësi se komunizmi ka cenuar qenësinë tonë. Ai ka goditur në tri shtyllat kryesore që një njeri e mbajnë gjallë: besimin në Zot, familjen dhe pronën private. Komunizmi njeriun e zhveshi nga gjithçka. Tash flitet se a duhet të kemi një dënim të komunizmit dhe ta vendosim një lloj “Epoke para gjyqit”. Unë them jo, sepse nuk ka dënim që do të ishte adekuat për atë epokë. Dënimi shqiptohet për një faj dhe është ekuivalent me peshën e fajësisë. Nuk ka dënim që do t’i përshtatej komunizmit. Ai, thjesht, duhet të mallkohet. Kur përmendet komunizmi, është si të përmendet djalli. Madje në të gjithë tempujt fetarë, kisha e xhamia duhet që lutjet të fillojnë e mbrojnë me “Mallkuar qoftë komuni­zmi!” dhe propagandu­esit e tij.

Ju si mësimdhënës i lëndëve nga jurispodenca, ç’mendim keni, pse nuk ekziston lustracioni te ne?

E kam qartësuar këtë pyetje. Lustracion po, hakmarrje jo. Lustracion duhet të ketë për dy arsye, për t’i ç’montuar patriotët e rrejshëm dhe për t’i rehabilituar të linçuarit. Biografia e secilit duhet të dihet, sidomos e atyre që e pretendojnë poli­tikën.

Çfarë është e drejta, drejtësia?

E drejta dhe drejtësia dallojnë. E drejta është përkufizim juridik që dallon prej drejtësisë. Drejtësia është perceptim, kurse e drejta jo; e drejta është norma e shkruar dhe e aprovuar, pastaj tërësia e të gjitha normave juridike përbën të drejtën.

Po ligji, sipas konceptit tuaj?

Ligji është pjesë e asaj tërësie normash që folëm. Ligji është sistem rregullash dhe normash që njerëzit akordohen për to dhe i zbatojnë. Ligji (si akt formal) është marrëveshje, dukuri e rregullt e përcaktuar nga njerëzit dhe i nënshtrohemi të gjithë. Ligjet janë humane sepse bëhen për t’u shërbyer njerëzve por, ashtu siç ka atë që juristët e quajnë dispozicion, e ka edhe atë tjetrin që për moszbatim quhet sanksion dhe mirë që e ka. Para ligjit të gjithë duhet të jenë të barabartë, ashtu siç është thënë në Magna Karta lebertatum para më shumë se 800 vjetëve: askush mbi ligjin, as mbreti.

A mund të flasim për të drejtat e kafshëve?

Kafshët janë sprovë e madhe për njerëzimin. Janë krijesa që bashkëjetojnë me ne në këtë planet. Janë krijuar nga i njëjti krijues që na ka krijuar edhe ne. I njëjti krijues që ka krijuar gjallesat e tjera, jo vetëm ne dhe kafshët, por edhe shpezët, insektet dhe bimët. Me këtë nuk ka shaka, marrëdhënia që njeriu ka përballë këtyre gjallesave, të them të drejtën, jo vetëm që më shqetëson, por edhe më trishton. Ne nuk i dimë ndjesitë e tyre. Besoj se ato kanë të njëjtën ndjesi si ne, por të shprehura në forma të ndryshme. Në fund të fundit, janë gjallesa me shpirt. Njeriu që veten e ka shpallur si qenien më të përsosur nga të gjitha gjallesat (edhe pse nuk ka shumë argumente për ketë) e ka edhe përgjegjësinë më të madhe për to. Çka mund të bëjë njeriu për kafshët përveç trajtimit human. Të gjitha të drejtat e kafshëve të mbrohen me ligj. Këto të drejta duhet të zgjerohen dhe të avancohen, duke bërë ligje më të mira. Jam i lumtur që me propozimin tim Zofilia, për shembull, ka hyrë në kodin penal të Kosovës. Por duhen edhe shumë ligje të tjera, sepse këto që i kemi nuk mjaftojnë as për së afërmi.

Ç’mendim keni për vettingun?

Patjetër se do ta përkrahja nëse do të bëhej fjalë për një proces të mirëfilltë që do të shërbejë përnjëmend për përja­shtimin e zyrtarëve publikë me mungesë integriteti sepse do të rikthehej besimi i publikut në institucionet e shtetit, sidomos në fushën e sundimit të ligjit. Vettingu si rregull, kryhet duke vlerësuar integritetin e zyrtarit para se ai të zgjidhet në atë funksion gjë që është bërë te ne. Kriteret për zgjidhje sidomos të gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk është që kanë qenë të lehta; realisht ata edhe e kanë kaluar një lloj vettingu përpara se të zgjidhen. Ky vetting për të cilin flitet tash, po mendohet të bëhet që zyrtarët t’i nënshtrohen një rivlerësimi edhe një herë të pasurisë, figurës, dmth. integritetit dhe vlerësimi i aftësive pro­fesionale e që, për mendimin tim, kjo e treta është më e rën­dësishmja, ndoshta! Por frika ime është duke e njohur vendin tonë dhe problemet që shfaqen në vendet e vogla, mund që vettingun ta kalojnë “të gjindshmit” dhe nga sistemi të bien “të pagjindshmit”, dhe kjo do të ishte shumë e padrejtë.

A ka ligj në letërsi?

Nuk ka dhe mirë që nuk ka se edhe po të kishte do të thyhej, madje kjo do ta bënte më interesante letërsinë. Letërsia është jo konvencionale ashtu siç është krejt arti.

Ju falemnderit për intervistën!

Intervistoi: Naime Beqiraj

Marrë nga revista Akademia

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një anije me rreth 400 persona në bord në ujërat…