Lidhja e Bizneseve kërkon formimin sa më të shpejtë të institucioneve

08 qershor 2026 | 11:56

Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka përshëndetur përfundimin e procesit zgjedhor dhe vlerësuar pjekurinë demokratike të treguar nga qytetarët, institucionet e rendit dhe sigurisë, si dhe të gjithë akterët politikë që kontribuuan në mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

“Në emër të komunitetit të biznesit, bëjmë thirrje që menjëherë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve të reja të Republikës së Kosovës. Kosova ka nevojë për institucione funksionale, stabile dhe me mandat të plotë për të adresuar sfidat ekonomike, për të avancuar projektet strategjike, për të përmirësuar klimën e të bërit biznes dhe për të krijuar kushte më të favorshme për investime vendore dhe të huaja”, është thënë në reagimin LBK-së.

LBK-ja ka vlerësuar se çdo vonesë në formimin e institucioneve krijon pasiguri për sektorin privat, dëmton besimin e investitorëve, pengon proceset zhvillimore dhe ndikon negativisht në perspektivën ekonomike të vendit.

“Njëkohësisht, zvarritja e proceseve institucionale, siç thuhet, rrezikon të ngadalësojë reformat e domosdoshme ekonomike, realizimin e projekteve strategjike dhe zhvillimore, proceset integruese evropiane, si dhe përpjekjet për rritjen e punësimit dhe mirëqenies së qytetarëve. Lidhja e Bizneseve të Kosovës fton të gjitha subjektet politike që, përtej dallimeve partiake, të veprojnë me përgjegjësi shtetërore dhe të kontribuojnë në krijimin e institucioneve sa më parë, duke vendosur interesin e qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik të vendit mbi çdo interes tjetër. Komuniteti i biznesit pret stabilitet institucional, vendimmarrje efikase dhe një partneritet të fortë ndërmjet sektorit publik dhe privat, si parakusht për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, rritje të konkurrueshmërisë dhe përmirësim të mirëqenies së qytetarëve”,  është thënë në reagimin e LBK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fund i papritur i aventurës së Robin van Persiet në…