Ligji për qeverinë do të miratohet këtë vit

18 qershor 2019 | 14:26

Koordinatori Nacional për Reforma Shtetërore, Besnik Tahiri, ka bërë me dije se gjatë këtij viti do të miratohet Ligji për qeverinë.

Ai ka thënë se me këtë ligj qeveria nuk do të ketë më shumë se 15 ministri, 30 zëvendësministra si dhe nuk do të ketë zëvendëskryeministra pa portofol.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Tahiri ka deklaruar se ky ligj përmirëson efikasitetin dhe funksionalitetin e ekzekutivit. Duke folur për reformën shtetërore, ai ka thënë se nuk ka reformë e cila nuk është e dhimbshme.

Megjithatë, Tahiri ka vlerësuar se reforma mund të jetë në disfavor të partive që udhëheqin qeverinë, por gjithmonë është e pëlqyer nga shoqëria.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës reformën në administratën shtetërore e ka vendosur në prioritetin kryesor.

“Epoka e re”: Z. Tahiri, si po ecën procesi i reformës shtetërore në Republikën e Kosovës?
Tahiri: Qeveria e Republikës së Kosovës reformën në administratën shtetërore e ka vendosur në prioritetin kryesor. Vitin e kaluar është miratuar pakoja e ligjeve që e rregullon organizimin dhe funksionimin e administratës së shtetit dhe agjencive ekzekutive, pra që e disiplinon dhe e rregullon me model evropian. Derisa nuk është aprovuar Ligji për pagat, organizatat buxhetore në një farë forme kanë bërë rritjen e pagave dhe kanë riorganizuar sistemin e pagave në bazë të një organizimi të tyre, kurse tani secili shërbyes i shtetit që nga presidenti e deri te punëtori teknik është i normuar në tabelë dhe saktësisht e di sa e ka pagën. Kemi miratuar edhe Ligjin për zyrtarët publikë i cili i përmbush të gjitha kriteret dhe kushtet e modeleve evropiane dhe njëkohësisht shërbyesin publik e kthen në një shërbyes për qytetarë duke e sanksionuar për çdo aktivitet tjetër si politik ashtu edhe të aspekteve të tjera. Ky ligj kur të hyjë në fuqi do t’u mundësojë njerëzve që përmes testit dhe përmes procesit të testimit të jenë të barabartë në procesin e rekrutimit. Pra, më nuk do të ketë intervistime me panele një me një, mirëpo do të ketë test dhe 90 për qind e vlerësimit do të ndodhë mbi bazën e meritës dhe jo mbi baza të tjera.

“Epoka e re”: Edhe më tutje shteti i Kosovës vazhdon ta ketë një administratë të politizuar dhe jo shumë efikase. Kjo çështje është përmendur nga viti në vit në raportet për Kosovën të Komisionit Evropian. Çfarë do të bëni për ta depolitizuar administratën dhe për ta bërë më funksionale?
Tahiri: Do t’i ndërmarrim një serë çështjesh në këtë drejtim. Administrata Shtetërore e Kosovës nuk është në numra të mëdhenj ashtu siç flitet. Edhe në bazë të popullsisë dhe aspekteve të tjera administrata shtetërore e Kosovës është shumë më përpara se ato të vendeve të rajonit. Është e vërtetë se në administratën e shtetit përgjatë viteve ka pasur ndikim politik dhe këtë ne jemi duke e përmirësuar. Aktivitetet politike për shërbyes civilë me këtë ligj sanksionohen saktë dhe mbi këtë bazë në sistemin e rekrutimit do të vendoset meritokracia. Në anën tjetër, shërbyesit civilë në masë të madhe kanë arritur ta ngritin kapacitetin e tyre, mirëpo duhet ende të punohet në veçanti në përpilimin e politikëbërjes, do të thotë ta ngrehim kapacitetin te shërbyesit e lartë civilë.

“Epoka e re”: Në përgjithësi, cilat janë vështirësitë me të cilat po ballafaqohet procesi i reformës shtetërore?
Tahiri: Nuk ka reformë shtetërore e cila nuk është e dhimbshme. Reforma realisht mundet me qenë në disfavor të partive që udhëheqin qeverinë, por gjithmonë është e pëlqyer nga shoqëria. Si shef i reformës shtetërore kam pasur një mbështetje të fuqishme nga kryeministri Haradinaj, nga kryeparlamentari Veseli, zëvendëskryeministri Limaj dhe zëvendëskryeministri Pacolli. Realisht unë i kam bërë më tepër aspektet e modelimit dhe aspektet e rregullimit teknik në vijë me mandatin, por edhe me vlerat e qeverisjes së mirë. Më vjen mirë që raporti i Komisionit Evropian e ka vlerësuar lart dhe shumë saktë punën që ka bërë qeveria sa iu përket reformave shtetërore. Një sfidë me të cilën jemi duke u ballafaquar është hartimi i disa rregulloreve që duhet të dalin nga këto ligje, grupet punuese janë themeluar, një numër i tyre janë në proces dhe katër prej tyre i kemi përmbyllur. Në këtë proces mendoj se jemi në rrugë të drejtë dhe pastaj do të vijë Ligji për qeverinë, Ligji për racionalizimin dhe organizimin e agjencive ekzekutive, Ligji për financat lokale dhe të tjera.

“Epoka e re”: Cili është suksesi kryesor i këtij procesi?
Tahiri: Viti 2018 ka qenë vit i hartimit dhe miratimit të legjislacionit bazë për reforma, kurse viti 2019 është vit i jetësimit të reformave si me miratimin e Ligjit për paga, Ligjit për zyrtarët publikë dhe Ligjit për organizimin e administratës shtetërore, po ashtu edhe me miratimin e Ligjit për qeverinë dhe Ligjin për racionalizimin dhe organizimin e agjencive ekzekutive dhe, mbi të gjitha, me praktikat e mira që i kemi vendosur në procesin e performances dhe rekrutimit.

“Epoka e re”: Kur do të miratohet Ligji për qeverinë?
Tahiri: Ligji për qeverinë është gati. Aktualisht jemi në konsultim të brendshëm. Tash po e trajtojmë me juristë dhe profesionistë sanksionimin e numrit të dikastereve qeveritare në kuadër të këtij ligji. Pastaj ligji do të dalë në diskutim publik dhe shumë shpejt besoj do të miratohet në qeveri, pastaj të procedohet në Kuvend. Ligji për qeverinë e përcjell logjikën e modeleve ndërkombëtare të ministrive kryesore. Do të thotë, kemi bërë një analizë krahasuese të vendeve evropiane që janë të ngjashme me Kosovën dhe kanë dalë nëntë ministri më kryesore dhe jemi duke i organizuar dikasteret në mënyrë që Qeveria e Republikës së Kosovës mos të ketë më shumë se 15 ministri. Me këtë ligj qeveria do të ketë jo më shumë se dy zëvendësministra dhe secili zëvendësministër do ta ketë detyrën e vet të sanksionuar si dhe do të ketë zëvendëskryeministra me portofol, pra nuk do të ketë zëvendëskryeministra pa portofol. Përveç kësaj, në Ligjin për qeverinë i kemi identifikuar të metat përgjatë viteve të cilat i kemi sanksionuar me nene duke e penguar potencialisht keqpërdorimin e detyrës zyrtare e cila do të mund të ndodhte në mungesë të një ligji të saktë. Ndër vite kemi pasur një numër të madh të lëvizjeve sa i përket numrit të ministrive dhe kemi parë se në mungesë të një ligji rregulloret kanë ndryshuar hap pas hapi.

“Epoka e re”: Përveç zvogëlimit të numrit të ministrive, çka parasheh tjetër ky ligj?
Tahiri: Ky ligj në radhë të parë e parandalon ushtrimin e funksioneve të tjera të kryeministrit dhe ministrave. E parandalon vendimmarrjen në kohë të fushatave zgjedhore, pastaj deri në esencë e shpjegon procesin e konsultimit dhe transparencës dhe, mbi të gjitha, e vendos tavanin, respektivisht e saktëson numrin e ministrive, të zëvendësministrave dhe e riorganizon portofolin në bazë të sektorëve të vet. Për shembull, aktualisht ka shumë ministri që merren me ekonominë, kurse me këtë ligj do të jetë një ministri që do ta ketë sektorin e ekonomisë, tregtisë, investimeve strategjike dhe kështu me radhë. Ky ligj përmirëson efikasitetin dhe funksionalitetin e ekzekutivit.

“Epoka e re”: Z. Tahiri, përfundimisht brenda këtij viti Kosova do ta ketë Ligjin për qeverinë?
Tahiri: Unë pres që ky ligj të miratohet këtë vit. 2019 Kosovën do ta gjejë me Ligjin për qeverinë i cili do të jetë model edhe për rajonin. Me këtë rast i falënderoj të gjithë ekspertët vendorë dhe ndërkombëtarë që kanë qenë pjesë e procesit të hartimit të këtyre ligjeve, në veçanti të Ligjit për qeverinë. Ligji për qeverinë do të duhej të merrte 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës sepse është ligj që u përshtatet të gjithëve.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Mevludin Krasniqi, së …