Ligji për vlerat e luftës javën tjetër në qeveri, OVLUÇK-ja: Duhet t’i pasqyrojë të gjitha kërkesat tona

24 prill 2026 | 16:54

Ligji për vlerat e luftës çlirimtare të Kosovës do të procedohet javën e ardhshme për miratim në qeveri,  ka njoftuar të premten në seancën e Kuvendit, ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti.

Ai ka thënë se janë duke hartuar koncept-dokumentin për këtë ligj dhe shumë shpejt do të finalizohet.

“Besoj që javën tjetër do të jetë në mbledhje të Qeverisë së Kosovës për aprovim dhe pastaj do të fillojmë me procedura të tjera”, ka thënë ai.

Ndërsa Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka kërkuar që ligji të pasqyrojë të gjitha kërkesat e tyre.

“Ky hap ka rëndësi, por nuk mjafton. Procesi duhet të ofrojë përmbajtje, jo simbolikë. Në formën e tij përfundimtare, teksti duhet të pasqyrojë plotësisht kërkesat tona të deklaruara, të mbrojë vlerat e Luftës Çlirimtare dhe të garantojë njohje të dinjitetshme për çdo kategori pjesëmarrëse. Çdo përpjekje për t’i zbehur këto parime do të ishte e papranueshme, e padenjë për sakrificën mbi të cilën u ndërtuan liria dhe shtetësia e Kosovës”, është thënë në reagimin e kësaj organizate.

OVLUÇK-ja ka njoftuar se do ta ndjekë këtë proces me vigjilencë të plotë deri në miratimin përfundimtar në Kuvend.

“Qëndrimi ynë është i prerë: Ajo që u fitua përmes sakrificës nuk mund të zbehet, të shtyhet apo të kthehet në material për pazare politike. Vlerat e UÇK-së nuk janë çështje komoditeti. Ato janë detyrim i përhershëm institucional, një borxh ndaj çdo luftëtari që iu përgjigj thirrjes kur Kosova përballej me orën e saj vendimtare. Ky borxh nuk vjetërsohet, As vendosmëria jonë për ta mbrojtur atë, pa tërheqje dhe pa kompromis”, është thënë në reagimin e OVLUÇK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu, njëherësh ushtruese e detyrës së presidentes, ka…