Ligjvënësit evropianë akuzojnë Rusinë

04 prill 2020 | 09:28

Një grup ligjvënësish të Bashkimit Evropian po akuzojnë Moskën se po shfrytëzon pandeminë e koronavirusit në përpjekje për t’i hequr sanksionet e vendosura mbi veprimet e Rusisë në Ukrainë, thuhet në një letër të parë nga Shërbimi Qendror i RFE-së.

Në letrën e dërguar më 3 prill thuhet se ndihma ruse ndaj vendeve evropiane për ta luftuar krizën shëndetësore është pjesë e “një fushate” për ta shtyrë BE-në t’i tërheqë sanksionet ndaj Rusisë.

Letra u nënshkrua nga 19 anëtarë të BE-së dhe iu adresua presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel dhe shefit të Politikës së Jashtme, Josep Borell.

Ligjvënësit thonë se janë duke shqyrtuar çdo mundësi për të mos lejuar tërheqjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

“Autoritetet ruse me anë të një fushate duke dërguar ndihma humanitare në Itali si dhe duke keqinterpretuar deklaratat e zyrtarëve të Kombeve të Bashkuara, janë duke tentuar të ndryshojnë qëndrimin e BE-së dhe vendeve anëtare lidhur me sanksionet”, thuhet në letër.

Sipas burimeve, kjo letër i referohet kërkesës së presidentit rus Vladimir Putin lidhur me ngrirjen e sanksioneve ekonomike që tu mundësohet shteteve luftimi i COVID-19.

Por, ligjvënësit kanë insistuar se nuk është fare e lehtë t’i besohet Rusisë, duke u ndërlidhur me fshehjen e statistikave për shpërndarjen e koronavirusit në vend dhe veprimet agresive ndaj shteteve fqinje.

Rusia ka raportuar për rreth 3 mijë raste të të infektuarve me koronavirus.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Afrika e Jugut duket sikur ka ecur më shumë, më…