Limaj bën homazhe para shtatores së Fehmi e Xhevë Lladrovcit dhe dëshmorëve në Marinë

07 tetor 2018 | 17:18

Zëvendëskryeministri dhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka bërë homazhe para shtatores së dëshmorëve të kombit, Fehmi e Xhevë Lladrovci në Drenas dhe në kompleksin e dëshmorëve të kombit në Marinë të Skenderajt.

I shoqëruar nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Isa Xhemajlaj, zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Çerkin Dukolli, dhe përfaqësues të degëve të Nismës në Drenas dhe Skenderaj, Limaj është ndalur fillimisht në Drenas.

Më këtë rast, Limaj ka thënë se sheshi i Drenasit që nga vendosja e shtatores është më i bukur dhe këtij sheshi ka thënë se i takon t’i ketë këta dy njerëz.

“Kemi ardhur të nderojmë heronjtë e kombit Fehmi e Xhevë Lladrovci. Besoj që sheshi i Drenasit nga momenti i vendosjes së dy shtatoreve është shumë më i mirë dhe më i bukur dhe i shkon këtij sheshi t’i ketë këta dy njerëz. Një simbol i fuqishëm i lirisë së Kosovës, burrë dhe grua që nuk kursyen asgjë dhe gjatë gjithë jetës së tyre dhe veprimtarisë ushtarake për të fituar lirinë dhe këtu sot ndriçojnë dhe çojnë mesazhin se kjo liri është arritur falë veprës së sakrificës të dëshmorëve të kombit”, ka thënë Limaj të dielën në Drenas.

Pas homazheve në Drenas, Limaj ka vazhduar rrugën për në Marinë të Skenderajt aty ku prehen 158 dëshmorë të kombit.

Limaj ka thënë se më në fund heronjtë e mëdhenj të luftës së UÇK-së po prehen në mënyrë të dinjitetshme në këtë kompleks.

“Sot me krenari erdhëm të nderojmë veprën e Ilaz Kodrës, Mujë Krasniqit dhe Abedin Rexhës e qindra luftëtarëve të cilët kanë qenë garda e parë e heroizmit dhe luftës çlirimtare dhe këta burra kanë shënuar historinë e lirisë së Kosovës dhe ne sot ndihemi të nderuar që këta heronj të Kosovës pushojnë në mënyrë të dinjitetshme në këtë kompleks. Qeveria e Republikës së Kosovës më në fund e kreu detyrën e vet për t’u dhënë mundësinë heronjve të Kosovës të rivarrosën këtu dhe për t’u dhënë mundësinë njerëzve anekënd Kosovës për të ardhur këtu dhe nderuar luftën e tyre”, ka thënë Limaj.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Chelsea e mposhti skuadrën e Southamptonit me rezultat 0-3. Eden…